“Përgjegjës për vrasjen e dëshmitarëve është Hashim Thaçi dhe rrjeti i tij”

Aktuale

“Përgjegjës për vrasjen e dëshmitarëve është Hashim Thaçi dhe rrjeti i tij”

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 7 janar 2017 Në ora: 13:29
Hashim Thaçi

“Arsye tjetër e krijimit të kësaj Gjykate ishte vrasja e dëshmitarëve që dëshmuan apo do të dëshmonin kundër krimeve të bëra. Vrasja e këtyre dëshmitarëve ka filluar gjatë luftës më 1999, ndërkaq ishte intensifikuar dukshëm gjatë mandatit të të ashtuquajturës Qeveri e Përkohshme e Kosovës, në krye të së cilës ishte Kryetari aktual i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Nga kjo kuptohet se përgjegjësinë më të madhe për vrasjet politike dhe të dëshmitarëve duhet ta marrë përsipër Hashim Thaçi dhe rrjeti i tij” pohon Mulaj.

Gjykata Speciale do të fillojë të funksionojë nga fillimi i këtij vitit, por diskutimet për funksionimin e Gjykatës Speciale, arrestimet e para dhe pasojat që do t’i sjellë kjo gjykatë kishin filluar që para formimit të saj dhe janë duke u bërë ende.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i ka komentuar akuzat ndaj institucioneve për vendimin politik rreth Gjykatës Speciale. Thaçi ka thënë se Gjykata Speciale është produkt i kërcënimit dhe vrasjes së dëshmitarëve pas luftës dhe jo rezultat i vendimeve politike të gabuara.

Ndërsa ndaj kësaj deklarate të Presidentit kanë reaguar njohësit e çështjeve politike.

Sipas analistit politik, Haki Abazi, deklarimet e Thaçit janë tentim për të prejudikuar punën e Gjykatës Speciale dhe arsyen e krijimit të saj.

Ai thotë se Gjykatën Speciale e kanë negociuar vetë Hashim Thaçi dhe Hajredin Kuqi.

“Deklarimet e Thaçit janë tentim për të prejudikuar punën e Gjykatës Speciale dhe arsyen e krijimit. Ky është intereferim me drejtësinë që nuk është aspak punë tij në cilindo rast. Gjykata Speciale ka ardhur pasi që sistem Gjyqësor në Kosovë ka dështuar të zbardh vrasjen dhe UNMIK dhe EULEX janë treguar institucione sterile dhe kanë kapur njerëz të gabuar në proces për të mbushur kuota. Gjykatën Speciale e ka negociuar vetë Hashimi dhe Hajredin Kuqi dhe ata e dinë pse. Më e rëndësishmja në këtë situatë është se pas arrestimit të Azem Sylës dhe shumë njerëzve tjerë të afërt me Thaçin dhe Veselin është hapur kapitulli i ri i sqarimit të vrasjeve enigamtike të patrioteve dhe veprimtarëve për liri dhe pavarësi. Deklaratat e Nazim Bllacës dhe akuzat për të cilat kanë punuar prokurorë ndërkombtarë nuk kanë të bëjnë asgjë as me UÇK e as me pavarësinë si proces,  por me individë të cilët kanë përdorur emrat, simbolet dhe proceset për përfitime” shprehet Abazi.

Kurse politologu, Isa Mulaj, thotë se një arsye tjetër e krijimit të Gjykatës Speciale ishte vrasja e dëshmitarëve që dëshmuan apo do të dëshmonin kundër krimeve të bëra.

Sipas Mulaj, këto vrasje kishin filluar gjatë luftës më 1999, ndërkaq ishin intensifikuar dukshëm gjatë mandatit qeverisës së Hashim Thaçit.

“Gjykata Speciale nuk erdhi si rezultat i të bëmave gjatë luftës, por për shkak se ata që thirren si “krahu i luftës” vazhdojnë ta degjenerojnë dhe kriminalizojnë thuajse çdo pore të shoqërisë në ditët e sotme. Përndryshe, trupat paqe ruajtëse dhe bashkësia ndërkombëtare për një kohë pas luftës i kishte mbyllur sytë ndaj shumë dukurive me shpresën se ato gjëra ishin kalimtare, dhe se mendohej se akterët e atyre veprave me kohë do të mbushen mend dhe do të punojnë për të mirën e Kosovës dhe popullit të saj. Mirëpo, sa më shumë që bashkësia ndërkombëtare i transferoi kompetencat tek institucionet vendore, këta filluan t’i trashin krimet dhe kërcënimet e tyre. Mu për këtë edhe themelimi dhe funksionalizimi i Gjykatës Speciale ishte i pashmangshëm, pra që keqbërësve të mëhershëm t’u ndalet turri të bëjnë krime edhe më të mëdha në të tashmen dhe të ardhmen” shprehet Mulaj.

Mulaj thotë se përgjegjësinë më të madhe për vrasjet politike dhe të dëshmitarëve duhet ta marrë përsipër Hashim Thaçi dhe rrjeti i tij.

“Arsye tjetër e krijimit të kësaj Gjykate ishte vrasja e dëshmitarëve që dëshmuan apo do të dëshmonin kundër krimeve të bëra. Vrasja e këtyre dëshmitarëve ka filluar gjatë luftës më 1999, ndërkaq ishte intensifikuar dukshëm gjatë mandatit të të ashtuquajturës Qeveri e Përkohshme e Kosovës, në krye të së cilës ishte Kryetari aktual i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Nga kjo kuptohet se përgjegjësinë më të madhe për vrasjet politike dhe të dëshmitarëve duhet ta marrë përsipër Hashim Thaçi dhe rrjeti i tij. Nëse dikush pretendon se Gjykata Speciale nuk ka për qëllim ta ndjekë ish-UÇK-në si organizatë por individët, atëherë individi numër një është Hashim Thaçi. Është interesant të theksohet se këta vrasës që vrisnin në emër të ndjekjes së tradhtarëve ose bashkëpunëtorëve të Serbisë, sot po i bëjnë koncesione të mëdha Serbisë. Prandaj, tradhtarët e vërtetë të kombit dhe Kosovës janë pikërisht këta që kanë vrarë në emër të ndjekjes së tradhtarëve. Këta janë tradhtarët më të paskrupullt të cilët duhet t’i ndjek dhe ndëshkoj Gjykata Speciale” pohon Mulaj.

Ndërsa analisti politik, Zudi Xhelili, thotë se pasi që elita politike është deklaruar pro kësaj gjykate atëherë të gjithë janë të mendimit të zbulohen krimet e mundshme.

“Ajo që ka ndodhur në Kosovë gjatë dhe pas luftës është biseduar nëpër okulare të ndryshme si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Shqiptarët nuk duhet të lejojnë të njolloset pastërtia e luftës çlirimtare. Mirëpo raporti i Dik Martit dhe hulumtuesit ndërkombëtar janë të interesuar t’i ndriçojnë edhe rastet e vrasjeve të shumë kosovarëve mbas lufte, qoftë dëshmitar apo kundërshtar politik. Si rezultat i këtyre rasteve u themelua edhe Gjykata Speciale e cila do të fillojë së shpejti me procesuimin e rasteve që i kanë grumbulluar ata si fakte. Në këtë drejtim elita politike është deklaruar pro kësaj gjykate dhe besoj që të gjithë janë të mendimit të zbulohen krimet e mundshme” thekson Xhelili.

Ai thotë se Gjykata Speciale nuk duhet të kursejë figurat e larta shtetërore.

“Gjithashtu mendoj gjykata nuk do të kursejë edhe figura te larta shtetërore. Ne nuk duhet të paragjykojmë kush i ka vrarë dëshmitarët sepse procesi është në rrjedhim, por ajo që është në interes të Kosovës është zbardhja e të gjitha rasteve gjatë dhe pas luftës” pohon Xhelili.

Për krimet e bëra gjatë viteve 1999-2000 do të merret Gjykata Speciale, ajo do të financohet nga Bashkimi Evropian, vepron në përputhje me ligjet e Kosovës, ndonëse prokurorët dhe gjykatësit do të jenë ndërkombëtarë./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat