Projektligji për pagat gati për Kuvend, ja sa do të rriten pagat e deputetëve

Aktuale

Projektligji për pagat gati për Kuvend, ja sa do të rriten pagat e deputetëve

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 7 janar 2017 Në ora: 21:17
Kuvendi i Kosovës

Megjithëse pagat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës janë mjaft të larta, që kapin vlerën prej 1488 euro, ato mund të rriten ende.

Me Projektligjin për pagat që tashmë ka kaluar në Qeveri dhe pritet të shkojë në Kuvend për miratim, rritja e propozuar për mëditje është 20 për qind e pagës bazë.

Në nenin 18 të këtij projektligji, ku flitet për kompensimet, është shtuar edhe një pikë e cila flet konkretisht për kompensimet e deputetëve.

Kjo pikë është nënvizuar me ngjyrë të kuqe si “propozim që do të diskutohet në seancën e Kuvendit, kur do të shkojë për miratim ligji”.

“Kompensimet për pjesëmarrje në seanca dhe komisionet parlamentare për deputetët deri në 20 për qind të koeficientit të pagës bazë”, thuhet në piken 1.9 të nenit 18 të këtij projektligji.

Pas kësaj, deputetët kanë dhënë vlerësimet e tyre, se a duhet apo jo të rriten pagat dhe mëditjes.

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, në një prononcim për gazetën Bota sot, ka thënë se edhe pse nuk e ka parë ende ligjin, ka kuptuar se nuk ka të bëjë me rritje page, por kjo po bëhet në njëfarë forme që deputetët të mos mungojnë në seanca parlamentare.

‘Se kam parë ende ligjin, por me sa kam parë nuk është rritje, por është vendosje në bllok e mëditjeve, në mënyrë që t’i detyrojë deputetët që të shkojnë në seanca, nëse nuk shkojnë në seanca, atëherë pason dënimi por paga në total nuk ndryshon asgjë, përveç nëse mungojnë sepse është vërejtur se shumë deputetë nuk kanë shkuar në seanca apo kanë lëshuar seancat dhe ajo është masë për t’ bërë të shkojnë në seanca, por në total nuk besoj se ka ndonjë ndryshim’, ka thënë Gashi për bota sot.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti, i ka thënë gazetës Bota sot se ende nuk e di çfarë shkruan në atë dokument.

‘S’kam parë asgjë të shkruar në këtë drejtim, nuk e di çfarë të them pasi nuk e di çfarë shkruan në të, pa e parë dokumentin nuk mund të them asgjë’, ka thënë Pajaziti.

E deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu është kundër rritjes së mëditjeve tani, për shkak të gjendjes ekonomike në Kosovë.

‘Në Kosovë kur është gjendja e tillë që të ardhurat nuk e mbulojnë as shpenzimin e një familje, e mos të flas për barëra dhe gjëra elementare ushqimore, nuk është momenti që të diskutohet kjo. Në një periudhë kur Kosova të zhvillohej, kur Kosova të ketë zhvillim ekonomik dhe vende të reja të punës, e atëherë krah rritjes së pagava të gjithë qytetarëve që janë të punësuar, do të vinte në shprehje një gjë e tillë. Në këtë moment nuk është e duhur, sado që puna e deputetit pak shihet edhe jashtë mediave që bëhet, por megjithatë nuk është momenti për të pasur rritje pagash’, ka thënë Haxhiu për gazetën Bota sot.

Kundër një projektligji të tillë kanë dalë edhe Lëvizja Vetëvendosje, ku tre nga deputetët e saj, Faton Topalli, Albulena Haxhiu dhe Fisnik Ismajli, janë shprehur se do ta kundërshtojnë atë.

’Qeveria e Kosovës e dëshmojë edhe njëherë me projektligjin e ri për pagat, se nuk e ka aspak për qellim rritjen e mirëqenies së popullit por kryesisht mbrojtjen e interesave të klaneve dhe funksionareve partiak duke u përpjekur që të rrisë pasurinë e tyre përmes buxhetit të shtetit. Ju përkujtoj se po kjo qeveri e kishte tërhequr në leximin e dytë projektligjin për parandalimin e konfliktit të interesit pas propozimit te amandamentit të Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje që të mos lejohet marrja e dy pagave nga buxheti i shtetit’, ka shkruar deputetja Haxhiu në llogarinë e saj në Facebook.

Ndërsa deputeti Faton Topalli ka thënë se ligji për pagat duhet të sillet në Kuvend por tër t’i zvogëluar dhe jo për t’i rritur ato.

‘Me ligjin e ri për pagat të ulen rrogat e deputetëve dhe zyrtarëve të lartë shtetëror! Ligji për Pagat duhet të sillet në Kuvend, por jo t'i ngrisë por t'i ulë pagat e funksionarëve të shtetit. Ky ligj duhet të krijoj kushtet e nevojshme që marrja me politikë të mos jetë atraktive për pasurim personal. Kush do të pasurohet le të merret me ekonomi, por jo me politikë dhe në kurriz të shumicës së qytetarëve të varfër të Kosovës’, ka shkruar Topalli në llogarinë e tij në Facebook.

Lidhur me gjithë këtë, Eugen Cakolli nga KDI, thotë se rritja e pagave dhe mëditjeve të deputetëve është fare e panevojshme dhe në fakt do të duhej të flitej për zvogëlim të tyre, duke ditur gjendjen ekonomike në Kosovë.

‘Marrë parasysh që Kosova nuk shquhet shumë për rritje të madhe ekonomike dhe puna që bëjnë deputetët nuk përkon me pagat që marrin, atëherë konsideroj se një rritje e tillë e pagave do të ndikonte negativisht në buxhetin e Republikës së Kosovës fillimisht, por edhe në bindjen që e kanë qytetarët për deputetët dhe punën e tyre. Poashtu nëse bëhet një përmbledhje mesatare, deputetët marrin 23 mijë euro të hyra në vit, atëherë një rritje e pagës edhe mëditjeve për pjesëmarrje në komisione është tejet e panevojshme e kësaj i shtohet edhe fakti që deputetët punën e tyre të vetme e kanë të qenit prezent në seanca dhe komisione. Rrjedhimisht, në vend se të flitej për ulje të mëditjes apo të mos merret fare mëditja, Qeveria po shikon të miratojë këtë projektligj i cili sipas meje është tejet i dëmshëm’, ka thënë Cakolli për gazetën Bota sot.

Tutje, ai bën një krahasim me pagat e deputetëve të Kosovës dhe atyre të rajonit.

‘Poashtu krahasuar me deputetët e Ballkanit dhe të gjitha vendeve në rajon, Kosova prin sa i përket pagave dhe mëditjeve që marrin deputetët, sidomos nëse kemi parasysh faktin që shumica e deputetëve kanë edhe një punë të dytë apo të tretë’, është shprehur Cakolli.

Sa i përket daljes kundër të disa deputetëve të këtë projektligj, Cakolli është shprehur: ‘Shumica e deputetëve të cilët janë lajmëruar dhe kanë konfirmuar de nuk do ta përkrahin këtë vendim, që në fakt janë shumica nga lëvizja Vetëvendosje, konsideroj se këtë e bëjnë edhe për kostum të brendshëm, por edhe për shkak se deri më tani kanë qenë kundër marrjes së shumave marramendëse të pagave dhe në një formë e arsyetojnë qëndrimin e tyre’.

Duke llogaritur pagën bazë të një deputeti prej 1488 euro, me këtë projektligj nëse votohet, një deputet do t’i marrë gjithsej 2 mijë e 88 euro, pa i përfshirë kompensimet, seancat e jashtëzakonshme dhe mbledhjet e komisioneve parlamentare, me të cilat të hyrat e një deputeti shkojnë deri në 3 mijë euro./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat