Prapavija e vizitës së Thaçit në SHBA, pas arrestimit të Haradinajt në Francë!

Aktuale

Prapavija e vizitës së Thaçit në SHBA, pas arrestimit të Haradinajt në Francë!

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 11 janar 2017 Në ora: 07:42
Hashim Thaçi gjatë vizitës në SHBA

Është bërë pothuajse një javë që nga arrestimi i ish kryeministrit  të  Kosovës dhe kreut të  Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në Francë. Kundër arrestimit të tij janë shprehur zyrtarët nga Kosova e shoqëria civile, duke organizuar kështu edhe protesta për të kërkuar lirimin sa më shpejt të tij.

Në këtë kohë arrestimi e protestash për lirimin e Haradinajt, Presidenti Thaçi ka shkuar në vizitë zyrtare në Amerikë, duke krijuar zëra se këtu mund të ketë një prapavijë,  që Presidenti ka shfrytëzuar arrestimin e Haradinajt  në mënyrë që të shkojë në SHBA, para ingaurimit të Presidentit të ri amerikan, Donald Trump.

Këtë e pohon edhe anëtari i kryesisë së Nisma për Kosovën, Bajram Hasani, i cili thotë se secilit qytetar i ka lindur dyshimi se gisht në arrestimin e Ramush Haradinajt mund të ketë lidhje Thaçi.

Egoizmi dhe xhelozia e Thaçit

Hasani thotë se vizita e Thaçit në Amerikë në këtë kohë tregon egoizëm dhe xhelozi.

“Pothuajse secilit qytetar të vendit në këtë ditë i ka lindur dyshimi se pas arrestimit të Ramush Haradinajt mund të kenë gisht kundërshtarët e tij politik, e në këtë rast edhe presidenti Thaçi. Por, vizita e Thaçit në Amerikë pikërisht në kohën kur Haradinaj u arrestua e shfaqi edhe një herë fytyrën e vërtetë të tij prej egoisti dhe xhelozi. E kemi parë reagimin e tij xheloz pas lajmit se Haradinaj është ftuar në inaugurimin e Donald Trump si president i SHBA-ve. Mbase ai me këtë vizitë dëshiron të tregoj fuqi para të tjerëve. Shumë dyshuese është sepse kjo nuk është hera e parë që kur kanë ndodhur ndalime të tilla të Haradinajt ai ka pasur vizita jashtë vendit, sepse edhe pas marrjes së Haradinaj nga Gjykata e Hagës Hashim Thaçi e pati zhvilluar një vizitë në SHBA. Sigurisht kjo nuk është rastësi. Ne jemi optimist se z.Haradinaj do të lirohet së shpejti dhe do t’i kthehet familjes dhe Kosovës” shprehet Hasani.

Kurse kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dega në Prishtinë, Avni Arifi, shpreh habinë e tij se si Presidenti në këtë kohë shkon në vizita zyrtare, në vend se të qëndrojë bashkë me qytetarët e tij.

“Kur në një vend ndodhin ngjarje shqetësuese presidenti i atij vendi nëse ndodhet jashtë vendit e ndërprenë vizitën zyrtare dhe kthehet që të jetë bashke me qytetarët e vendit të tij. Te ne ndodhë e kundërta, Presidenti atëherë del nga vendi dhe nga Washingtoni dërgon mesazhe kryesisht inatqore. Qudi!!!” thotë Arifi.

Arrestimi i Haradinajt për arsye politike

Deputeti nga radhët e PDK-së, Nait Hasani, thotë se vizita e Thaçit nuk ka qëllim të tërheq vëmendjen në SHBA apo ndonjë qëllim tjetër.

“Vizita e Thaçit nuk ka ndonjë qëllim që të tërheq vëmendjen në SHBA dhe në inagurimin e Trampit. Tramp do të inagurohet president dhe aty thërret mysafirë nga shtete të ndryshme dhe presidentë e politikanë. Prandaj shkuarja atje është një nder që iu bëhet personaliteteve politike të vendeve të ndryshme që kanë aleatë SHBA-të” pohon Hasani.

Ai thotë se arrestimi i Haradinajt është vetëm për arsye politike.

“Arrestimi i Haradinajt në Francë është politikë e vjetër e miqëve të vjetër që njëqind vjet mes Francës dhe Serbisë që nga krijimi i Jugosllavisë së kralevinave. Prandaj kjo ëndërr serbe dhe franceze e dominimit të Ballkanit po kërkohet përsëri përmes eleminimit te luftëtarëve të UÇK-së duke i izoluar tash me lista të Interpolit dhe me Gjykatën Speciale. Arrestimi është politik dhe si i tillë duhet të trajtohet” thekson Hasani.

Zhvendosja e vëmendjes nga Demarkacioni dhe Asociacioni

Në anën tjetër me arrestimi i kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, ka arritur ta zhvendos vëmendjen e opinionit nga çështjet e rëndësishme vendore siç është Demarkacioni dhe Asociacioni.

Por, deputeti i PDK-së, Nait Hasani thotë se me arrestimin e Haradinajt nuk ka mundësi të tërheqet vëmendja e të harrohen çështjet e rëndësishme sikur Demarkacioni e Asociacioni.

Sipas Hasanit këto janë tema që duhet të jenë pjesë e këtij viti për t’u diskutuar.

“Arrestimi nuk ka mundësi ta tërheq vëmendjen nga çështjet politike të vendit si Asosacioni e Demarkacioni, këto janë tema që do të jenë pjesë e këtij viti në debate e diskutime. Prandaj,  arrestimi është politik dhe këto janë çështje e brendshme të Kosovës që debatohen për të arritur marrëdhënie të mira me Malin e Zi dhe qytetarët serbë në Kosovë” shprehet Hasani.

Kurse, kryetari i AAK-së në Prishtinë, Avni Arifi, thotë se nuk e dinë çfarë mund të ketë në prapavijë arrestimi i Haradinajt dhe shkuarja e Thaçit në Amerikë në këtë kohë, por sipas tij këto marrëveshje nuk duhet të procedohen në këtë formë.

“Nuk i di me saktësi prapavijat por shpejt do të i kuptojmë.  Nuk e di sa por do të ishte gabim nëse procedohen këto dy tema në formën që janë. Nuk do të ishte befasi” pohon Arifi.

Ndërsa, Nisma për Kosovën, thotë se edhe me arrestimin e Haradinajt nuk do arrihet të largohet vëmendja nga marrëveshjet që janë të dëmshme, prandaj ato nuk do të jetësohen përsëri.

“Ne besojmë se z.Haradinaj do të kthehet shpejt për të vazhduar punën aty ku e ka lënë për çështje të rëndësishme të vendit siç janë demarkacioni dhe asociacioni. Ndalja e marrëveshjes së demarkacionit dhe mos lejimi i krijimit të asociacionit në këtë mënyrë siç parashihet nuk janë vetëm kauza të Ramush Hardinajt por të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe as arrestimi i z.Haradinaj dhe asgjë tjetër nuk do të bëjë që këto marrëveshje kaq të dëmshme për vendin të jetësohen. Natyrisht se është një hendikep i madh mungesa e z.Hardianaj por të gjithë qytetarët e kanë vëmendjen tek këto marrëveshje” shprehet Bajram Hasani, anëtar i kryesisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat