KDI: Performancë e dobët e Kuvendit, kundërshtojmë ngritjen e mëditjeve për deputetët

Aktuale

KDI: Performancë e dobët e Kuvendit, kundërshtojmë ngritjen e mëditjeve për deputetët

Më: 11 janar 2017 Në ora: 11:30
Albert Krasniqi nga KDI

(E plotësuar)- Kuvendi i Kosovës gjatë vitit 2016 ka pasur një performansë të dobët. Edhe pse Kuvendi do të duhej që gjatë vitit 2016 t’i miratonte 141 ligje, ka arritur që t’i miratojë vetëm 52 prej tyre, që i bie që Kuvendi ka arritur që të përmbush planifikimin në aspektin ligjvënës vetëm për 36 përqind.

Këto vlerësime janë bërë nga Instituti Demokratik i Kosovës, në një konferencë për media.

Albert Krasniqi nga KDI tha se puna e Kuvendit gjatë vitit që shkoi ka qenë dhe më e dobët se sa në vitin 2015, ku Kuvendi është ballafaquar me mungesë kuorumi dhe se është treguar i paaftë për të trajtuar tema të rëndësishme për vendin. Sipas tij Kuvendi ka një performansë akoma më të dobët se vitin 2015 dhe se kjo performansë e dobët, është duke marrë hov tashmë nga kjo legjislaturë.

Krasniqi: Të dobët, kryesuesit e seancave

“Gjatë këtij viti Kuvendi i Kosovës është ballafaquar me mungesë të shpeshtë të kuorumit, si në seanca plenare, ashtu dhe në mbledhje të komisioneve. Miratimi i ligjeve në sesionin vjeshtor, pothuajse asnjëherë nuk është bërë në ditën në të cilën është planifikuar, çka e ka shtyrë Kuvendin që miratimi të bëhet në një seancë tjetër. Shumica parlamentare dhe koalicioni qeverisës po ashtu janë treguar të paafta politikisht për të trajtuar disa prej temave me të rëndësishme për vendin siç është ratifikimin i marrëveshjes për përcaktimin e vijës kufitare me malin e Zi dhe shumë tema të tjera, që po ashtu janë të rëndësishme...Gjatë vitit dhe në përgjithësi legjislatura e pestë ka pasur tendenca që të përfshihet në diskutime të politikave ditore, të cilat kanë qenë të gjata dhe nuk kanë prodhuar asnjë ndryshim. Në këto debate shpesh herë situata ka eskaluar në përplasje ndërmjet deputetëve të partive në pushtet dhe atyre në opozitë, duke përdorur gjuhë të ashpër dhe ofenduese të cilat janë shoqëruar edhe me fyerje dhe akuza të rënda. Kryesisht kryesuesit e këtyre seancave kanë qenë të dobët duke lejuar debate të tilla dhe duke mos respektuar procedurat dhe rregullat e parapara me rregulloren e Kuvendit”, tha Krasniqi.

E si praktikë tjetër negative të Kuvendit, sipas tij është dhe miratimi i ligjeve me procedura të përshpejtuara, e veçanërisht sa i përket buxhetit të shtetit, që është një prej ligjeve me kryesore që miraton Kuvendi.

Ndërsa e quan të papranueshme tendencën, për rritje të mëditjeve për deputetët duke marrë parasysh performansën e dobët dhe gjendjen ekonomike në vend.

Krasniqi: Do të kundërshtojmë rritjen e mëditjeve për deputetët

“Tendencat për të pasur një rritje të benificioneve të deputetëve, janë të papranueshme dhe të paarsyeshme. Duke pasur parasysh gjendjen ekonomike në vend dhe të hyrat e deputetëve janë diku rreth 23 mijë euro brenda vitit mesatarisht, atëherë është një pagë e lartë dhe është e pa arsyeshme që të ndodh. Në krahasim me të gjitha pagat e vendeve të rajonit të deputetëve, pagat në Kosovë, janë shumë më të larta dhe janë diku pesëfishi i pagës mesatare në Kosovë. Besojmë që nuk mund të ndodh. Ne do t’i përdorim të gjitha mjetet për ta kundërshtuar ashtu siç kemi bërë në rastin e pensionit suplementar, që me ndihmën e Avokatit të Popullit e kemi ndaluar në Gjykatën Kushtetutese. Edhe tani përmes presionit medial dhe të gjithë mekanizmat ligjor do t’i shfrytëzojmë për të mos e lejuar një rritje të tillë“, tha ai.

Ndryshe sipas vlerësimit të Institutit Demokratik të Kosovës, as këtë vit Kuvendi nuk ka arritur të mbikëqyrë në mënyrë me strikte punën e Qeverisë. Sipas KDI-së, gjatë vitit 2016, ka pasur të parashtruara 174 pyetje parlamentare, të cilat kryesisht kanë ardhur nga Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka parashtruar 90 pyetje parlamentare. AAK ka parashtruar 12 pyetje, Nisma 11 dhe LDK vetëm tetë pyetje parlamentare. 41 për qind e pyetjeve kanë marrë përgjigje, ndërsa pjesa tjetër nuk janë përfillur fare.

Ndërsa gjatë vitit 2016 janë mbajtur 24 seanca parlamentare, 7 kanë qenë të jashtëzakonshme dhe katër seanca solemne. E që krahasuar me vitin 2015 janë mbajtur 9 seanca plenare më pak.

KDI: Legjislaturë e dobët vitin që shkoi

Gjatë këtij vitit 2016, Kuvendi i Kosovës është ballafaquar me mungesë të kuorumit.

Shumica parlamentare janë treguar të paaftë politikisht për të trajtuar tema të rëndësishme   dhe nuk kanë munguar as rastet kur pushteti legjislativ ka shfaqur tendencë për të ndërhyrë në fushën e gjyqësorit.

Kështu ka vlerësuar Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) i cili ka bërë vlerësimin e punës së legjislativit për vitin 2016.

 Krasniqi ka shtuar se në Kuvendin e Kosovës gjatë vitit që lamë pas, është përdorur gjuhë e ashpër dhe ofenduese.

Kryesuesit e seancave, sipas tij kanë qenë të dobët duke lejuar debate te tilla.

Tjetër praktikë negative sipas Krasniqit është edhe miratimi i ligjeve me procedura të përshpejtuara siç ishte Projektligji për Buxhetin.

”Kuvendi duhet ta shmangë këtë praktikë sa i përket miratimit të buxhetit. Kuvendi s’ka arrit të mbikëqyrë në mënyrë më strikte  punën e qeverisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat