Flasin deputetët e Kuvendit, ja pse dështoi rezoluta për Ramush Haradinajn

Aktuale

Flasin deputetët e Kuvendit, ja pse dështoi rezoluta për Ramush Haradinajn

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 12 janar 2017 Në ora: 07:54
Ramush Haradinaj duke hyrë në Gjykatë në Francë i rrestuar më 4 janar në aeroportin e Bazelit

Deputetët e Kosovës nuk kanë arritur ta miratojnë rezolutën për ndalimin e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt në Francë, pavarësisht protestave të mbajtura në vende të ndryshme si brenda Kosovës,  në Shqipëri, Maqedoni e Diasporë.

Në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur për Ramush Haradinajn, ishin prezantuar dy rezoluta, mirëpo asnjëra nuk është miratuar, e kjo ka sjellë pakënaqësi tek deputetët opozitarë.

Deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj, e konsideron të turpshme seancën për mos miratimin e rezolutës.

Sipas Kadrijajt, deputetët në mes komandanti dhe Serbisë e kanë zgjedhur Serbinë.

“ Në bazë të debatit 11 orësh,  qëndrimi i deputetëve ka qenë se duhet të rishikohet formati i bisedimeve me Serbinë, pezullim derisa Serbia të tërheë fletarrestet për të gjithë ushtarët e UÇK. Por në fund kur u hartua rezoluta ku një pikë ishte ndërprerja e bisedimeve, deputetët e koalicionit qeveritar nuk e votuan. Deputetët në mes të një komandanti dhe Serbisë zgjodhën Serbinë. Kjo që ka ndodhë në Parlamentin e Kosovës është turp” shprehet Kadrijaj.

Ndërsa, anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Anton Berisha, thotë se duhet pyetur në çfarë nuk ka dështuar Kuvendi i Kosovës.

Berisha shprehet se thelbi i dështimit në seancë ishte mungesa e vetëdijes shtetërore dhe gjunjëzimi para Serbisë.

“Pse dështoi Kuvendi të miratojë rezolutën për lirimin e Ramush Haradinajt? Pyetja mbase mund të shtrohet: ne çka nuk dështoi ky Kuvend në këtë mandat. Një pjesë e deputeteve, vazhduan sjelljen e të folurit një gjë dhe të vepruari tjetër gjë. Thelbi i dështimit ishte mungesa e vetëdijes shtetërore dhe gjunjëzimi para Serbisë që është duke ndodhur gjatë gjithë mandatit. Ata dje ndjekën parimin fetar: duaje armikun dhe lutu për të edhe kur të përndjek” thotë Berisha për “Bota sot”.

Berisha shprehet se nëse do të aprovohej rezoluta për Ramush Haradinajn,  Kuvendi do të tregonte kulturën shtetërore.

 “Natyrisht, se është dashur të aprovohej një Rezolute për z.Haradinaj në të cilën Kuvendi do të tregonte kulturën shtetërore dhe do t'i bënte me dije Serbisë, por edhe qarqeve të caktuara ndërkombëtare, se dinjiteti i çdo qytetari të Kosovës është i paprekshëm! Me keqardhje e them se shumica e deputeteve nuk i kuptojnë këto parime” pohon Berisha.

Ndërsa, partia më e madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, thotë se Kuvendi ka dështuar si pasojë e deputetëve të pozitës.

“Kuvendi dështoi sepse ishin deputetë  të pozitës të cilët për mendimin tim nuk janë përfaqësues të popullit, por janë përfaqësues të qeverisë sepse çdo herë votojnë atë që ja servon qeveria, kjo është parë në seancën e jashtëzakonshme për rastin e ndalimit të Ramush Haradinaj.  Edhe, pse në fjalimet e tyre pothuajse çdo njeri kërkonte ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë,  kur erdhi momenti të votohet rezoluta  ku pika e 4 e saj kërkonte ndërprerjen e bisedimeve shumica e tyre nuk e votuan”, thotë deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Besa Baftiu.

Baftiu shtoi se ata si VV janë pajtuar për një rezolutë sepse kështu do të merreshin masa për reciprocitetin me Serbinë.

“Ne si Lëvizje Vetëvendosje normalisht që u pajtuam me rezolutën e inicuar nga grupi parlamentar i AAK-së që mendojmë  se do të obligonte qeverinë të ndërmarrë masa të reciprocitetit me Serbinë” tha Baftiu për “Bota sot”.

Kurse, partia opozitare tjetër, Nisma për Kosovën thotë se nuk është për t’u habitur fakti i mos miratimit të rezolutës për Ramush Haradinajn.

Sipas, deputetes nga radhët e Nisma për Kosovën, Valdete Bajrami, ky qëndrim i deputetëve tregon se sa “serioz” dhe se sa “besnik” i qëndrojnë ata mazhorancës,  fjalimeve dhe qëndrimeve të cilat i paraqesin në seanca.

Sipas Bajramit, këta deputetë që nuk e votuan rezolutën janë sjellë njëjtë edhe me votimin e Gjykatës Speciale.

“ Të gjithë qytetarët por edhe ju mediat i keni dëgjuar fjalimet e të gjithë deputetëve e sidomos atyre të mazhorancës, ku kërkesë e tyre ishe pikërisht pika e 4 e rezolutës të cilën e propozoi AAK-ja, pikë ku kërkohej ndërpreja e bisedimeve me Serbinë,  deri në anulimin e të gjitha fletarresteve të lëshuara nga Serbia, kundër ish-udhëheqësve të ushtarëve të UÇK-së nga Interpoli. Por, siç e patë edhe ju epilogu i seancës ishte mos votomi i rezolutës së propozuar nga AAK. Ky qëndrim i deputetëve tregon se sa "serioz" dhe se sa "besnik" i qëndrojnë deputetët e mazhorancës, fjalimeve dhe qëndrimeve të cilat i paraqesin në seanca. Por, kjo mua nuk më habit, sepse po këta deputet janë sjellë njëjtë edhe me votimin e Gjykatës Speciale ku në deklarime ishin kundër themelimit të saj e në fund votën e dhanë pro saj” shprehet Bajrami.

Ajo shton se me seancën e thirrur nga AAK-ja, është dëshmuar edhe një herë që kjo përbërje e koalicionit,  nuk është e gatshme të merr vendime në të mirë të vendit dhe në mbrojtje të shtetasve të saj.

“ Pra, seanca e thirrur dje nga AAK edhe një herë e dëshmoi se kjo përbërje e koalicionit nuk është e gatshme të merr vendime të cilat janë në të mirë të vendit dhe në mbrotje të shtetasve të saj. Por, ishe e gatshme për krijimin e një Gjykate e cila do të merret vetëm më ish ushtarët e UÇK-së, e gatshme të krijojë një mini shtet brenda shtetit tonë e asesi të jetë në mbrotje të intersave shtetërore sepse rasti i z. Haradinaj nuk është rast individuat por është atak për shtetin tonë” pohon Bajrami.

Edhe përkundër që kishin propozuar një rezolutë për kreun e AAK-së, Ramush Haradinajn,  deputetët e koalicionit LDK- PDK, nuk kanë pranuar të flasin se pse ka dështuar rezoluta për Haradinajn dhe cili është qëndrimi i tyre.

Ramush Haradinaj është ndaluar në aeroportin e Baselit nga policia franceze që nga 4 janari në bazë të një fletarresti lëshuar në vitin 2004 nga Serbia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat