Thaçi: Biden, frymëzim dhe model i përkryer i liderit botëror

Aktuale

Thaçi: Biden, frymëzim dhe model i përkryer i liderit botëror

Nga: A.Zh Më: 12 janar 2017 Në ora: 10:13
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi sot është takuar me zëvendëspresidentin e SHBA-ve Joe Biden

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi sot është takuar me zëvendëspresidentin e SHBA-ve Joe Biden.

Thaçi ka thënë se në jetën e tij në kohë dhe në rrethana të ndryshme, ka takuar shumë liderë botërorë, por sipas tij, Biden mbetet inspirim dhe modeli më i përkryer.

“Ajo çfarë e bën të veçantë zëvendëspresidentin Biden, ndër të tjera është urtësia, mençuria dhe sinqeriteti i tij. I tillë ishte dhe ka qenë në të gjitha takimet që kam pasur përgjatë gjithë këtyre viteve. I tillë ishte edhe në takimin e sotëm”, ka thënë Thaçi, përcjell Bota sot.

Sipas tij, përkushtimi i Amerikës dhe përkushtimi personal i zëvendëspresidentit Biden për paqen në Kosovë, në rajon dhe më gjerë mbetet i përhershëm, sepse është interes strategjik i SHBA-së.

“Prandaj, jam i sigurt se ky përkushtim do të vazhdojë edhe gjatë administratës së re. Ndërsa, zëvendëspresidenti Biden dhe gjithë familja e tij, tani dhe përgjithmonë, Kosovën duhet ta konsiderojnë si shtëpinë e tyre”, ka theksuar presidenti Thaçi.

“Ndjehem njeri me fat dhe krenar që vendi im mbështetet nga njerëz të tillë të jashtëzakonshëm si zëvendëspresidenti Biden. Le të mbetet e përjetshme dhe e bekuar kjo miqësi ndërmjet Kosovës dhe Amerikës”, ka shkruar Thaçi në Facebook./BS/

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat