Kështu e mbrojti avokatja franceze Haradinajn

Aktuale

Kështu e mbrojti avokatja franceze Haradinajn

Më: 12 janar 2017 Në ora: 15:47
Avokati i Haradinajt, Arianit Koci, bashkë me avokaten Rachel Lindon, që e mbron Haradinajn në Francë.

Rachel Lindon, avokatja franceze që është caktuar për të mbrojtur ish-kryeministrin e Kosovës dhe liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajn, ka thënë sot para gjykatësve franceze se akuza që qëndron në Interpol për klientin e saj është e kundërligjshme, sepse Haradinaj tashmë është liruar nga ato akuza.

Lindon është shprehur e bindur se rezultati final i këtij gjykimi do të jetë lirimi përfundimtar i Haradinajt, refuzimi i kërkesës së Serbisë për ekstradimin e tij dhe anulimi i akuzave në Interpol për ish-gjeneralin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Rezultati padyshim do të jetë anulimi i akuzave në Interpol të cilat janë të pavend dhe kërkesa për ekstradim duhet të refuzohet”, ka thënë Lindon.

“Njoftimi në Interpol është i paligjshëm”, argumentoi ajo para gjykatësve.

Lindon vazhdoi duke theksuar se klienti i saj është liruar nga këto akuza në vitin 2012 nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë.

Madje ajo ka shkuar tutje, duke akuzuar Serbinë se po shkelë rezolutën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara duke guxuar të bëjë kërkesë për ekstradim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat