Austria mbështet kërkesën e Kosovës për anëtarësimin në Interpol

Aktuale

Austria mbështet kërkesën e Kosovës për anëtarësimin në Interpol

Më: 13 janar 2017 Në ora: 18:29
Skender Hyseni Wolfgang Sobotka

Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni priti në takim, ministrin e Punëve të Brendshme të Republikës së Austrisë, Wolfgang Sobotka me të cilin mbajtën një konferencë për media.

Gjatë fjalimit të tij ministri Hyseni u shpreh se ministri Sobotka dhe Republika e Austrisë e përkrahin plotësisht Kosovën në përpjekjet për të vendosur rend dhe ligj në vend, si dhe për anëtarësimin e Kosovës në Interpol dhe në mekanizmat e tjerë të bashkëpunimit ndërkombëtar policor.

Hyseni po ashtu u shpreh se ky takim ishte inkurajues, duke pasur parasysh problemet e Kosovës me fqinjët, sidomos me Serbinë, për shkak të fletarresteve të lëshuara për qytetarët e Kosovës dhe për figurat e mëdha të këtij vendi. “Kjo praktikë duhet të ndërpritet sepse derisa themi që dialogu me Republikën e Serbisë nuk ka alternativë dhe duhet të vazhdojë, ky dialog dhe çfarëdo përfshirjeje për normalizimin mund të dëmtohet në mënyrë të pariparueshme nga veprimet arbitrare që Republika e Serbisë bën, në dëm të qytetarëve të qytetarëve të Kosovës sidomos karshi figurave të mëdha siç është Haradinaj", theksoi Hyseni.

Ai foli edhe për fletarrrestet e lëshuara nga Serbia, ku u shpreh se ato janë të papranueshme, mbi baza politike dhe sipas tij “si të tilla duhet të refuzohen nga çdo vend anëtar i Interpolit”. Ai po ashtu shtoi se Polica e Kosovës është më e përgatitur më shumë se 30 për qind e anëtarëve të të Interpolit, për të qenë pjesë e tij. “Qytetarët e Kosovës, figurat e UÇK-së për të cilat ka pasur akuza për krime lufte janë gjykuar nga Tribunali ndërkombëtar për krime në Ish-Jugosllavi dhe atje janë spastruar këto akuza, prandaj është absurd që për të njëjtat akuza dhe të manipulohet Interpoli për qëllime politike nga Beogradi”, tha së fundi Hyseni.

Kurse ministri austriak, Wolfgang Sobotka theksoi bashkëpunimin dhe mbështetjen e shtetit të tij për fushën e sigurisë dhe të policisë së Kosovës, sidomos në luftimin e krimit të organizuar ndërkombëtar. Ai vuri në dukje se Policia e Kosovës tani është e gatshme të ballafaqohet dhe t’i parandalojë krimet e ndryshme . Duke vënë në dukje se secili shtet i Evropës duhet të jetë i vetëdijshëm që mund të jetë cak i një sulmi terrorist, Sobotka u shpreh se “Nëse i kujtojmë javët e kaluara i kemi pasur dhjetë sulme të tilla qoftë në Gjermani, Turqi, Izrael në Amerikë, prandaj duhet të jemi të përgatitur për t’i parandaluar ato sulme. Prandaj shkëmbimi i informatave është shumë i rëndësishëm."

Ndërkaq, duke iu përgjigjur pyetjes nëse do të merren parasysh aktakuzat e shtetit serb, nëse personalitet e Kosovës hynë në Austri, Sobotka u shpreh se “Mbështesim qartë kërkesën e Kosovës për t’u anëtarësuar në Interpol sepse të gjitha shtetet e Ballkanit duhet të jenë anëtar në Interpol. Nuk është çështje e politikanëve që të ndërhyjnë ose t’i shikojnë dosjet e akuzimeve ose dosjet e drejtësisë, është çështje e gjykatave, mirëpo me veprimet që i ndërmerr politika mendoj që do të lehtësohet edhe puna e tyre dhe do të jetë më e lehtë marrja e vendimeve gjyqësore".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat