Rendi dhe ligji, kusht për integrimin e Kosovës në BE

Aktuale

Rendi dhe ligji, kusht për integrimin e Kosovës në BE

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 14 janar 2017 Në ora: 13:30
Ilustrim

Kosovës nuk do t’i hapet rruga për integrime evropiane pa pastrimin e politikës nga korrupsioni dhe krimi i organizuar.  Pavarësisht faktit, që zyrtarët e lartë të shtetit po provojnë ta mbajnë gjallë shpresën e qytetarëve që në vitin 2017, Kosovës t'i hapen rrugët drejt integrime evropiane, me liberalizimin eventual të vizave, analistët politikë, vlerësojnë se një pritje e tillë është krejtësisht e kotë, ngase pa pastrimin e politikës nga korrupsioni dhe krimi i organizuar nuk ka perspektivë evropianë as për shtetin, as për qytetarët e izoluar.  Sipas tyre, rrugëtimi i Kosovës drejt BE-së, nuk varet vetëm nga suksesi i gjykatës, por gjithsesi edhe nga gatishmëria e institucioneve relevante për ta luftuar krimin dhe korrupsionin. Ata pohojnë, se pa pastrimin e shoqërisë dhe të institucioneve nga të korruptuarit dhe kriminelët, nuk do të bëhen hapa përpara në integrimet evropiane.

Korrupsioni izolon Kosovën

Njohësi i çështjeve politike Ismet Haziri ka thënë, se vërtet është mëkat që Kosova të humb hapin për integrime dhe të jetë pjesë e organizmave ndërkombëtar nga shkaku i nivelit të lartë korruptiv dhe krimit të organizuar.  Sipas tij, krimi dhe korrupsioni u rritën në djepin e ndërkombëtarëve, të cilët si duket i kënduan ninulla që të rriten dhe të bëhet mallkim për Kosovën.  “ Të gjitha këto institucione lindën pasluftës, prandaj dhe janë pjesë e organeve të përkohshme qeverisëse të themeluar nga UNMIK-u,  janë vende punë të kontrabandura për vota dhe që brenda tyre janë çerdhet e korrupsionit dhe krimit te organizuar të cilat nga paraja publike janë fuqizuar për të kontrolluar e shantazhuar  tërë Kosovën. Shtrirja e këtyre bandave  mafio-politike është e tillë që bëjnë kontroll vertikal dhe horizontal të veprimeve shoqërore dhe politike për të mos mundur të frymojë lirshëm që të ngre kokë kundër krimit dhe korrupsionit”, ka thënë Haziri.  Ai ka vlerësuar, se  me vota është e kontrolluar dhe e tërë administrata  shtetërore dhe shërbyesit civil janë shndërruar në vasal të partive politike që kanë pushtet në nivele lokale dhe qendrore, kurse brenda i kanë shërbimet e veta për informacione dhe për çdo rast i bëjnë preventiva për ndonjë disident të padëgjueshëm.  “Është mirë që të dihet sa të tillë ka në tërë Kosovën dhe të dihet sa ju kushtojnë këta tipa spiunesh  taksapaguesve  që i mbajnë subjektet politike. Prandaj filtrat që duhet të kalojmë si Kosovë për të parandaluar këto dukuri të shembura shoqërore janë vetëm ëndrra dhe duken si filma triler”, ka thënë Haziri.  Sipas të njëjtit, Serbia ka ndikimin e vet politik ekonomik dhe të sigurisë përmes shërbimeve të veta duke investuar me miliona euro vetëm e vetëm që Kosova të jetë e dështuar përmes bashkëpunëtoreve shqipfolës.  ”Të tillët mund të jenë edhe në institucionet e Kosovës, për t’u fuqizuar në mënyrë që të bashkëpunojnë ekonomikisht që Serbisë t’ia mundësojnë kontrollimin dhe të na bëjë te varur edhe politikisht për të vazhduar avazet korruptive  dhe kriminale si dëshmi e Serbisë, se ne nuk meritojmë shtet dhe as liri. Ky vend është i ngulfatur vetëm nga politika dhe të tillët do të ishte mirë që sa më shpejtë të ikin nga pozitat që shoqërinë po e mbajnë peng”, ka thënë Haziri. Ndërsa, analisti politik Imer Mushkolaj ka pohuar, se Gjykata Speciale do të merret me krimet e pretenduara të luftës edhe pas saj, kurse krimi dhe korrupsioni duhet të luftohen nga sistemi i shtetit të Kosovës së drejtësisë.  “Është e domosdoshme që këto institucione të dalin nga kthetrat e politikës, në mënyrë që të munden t'i procedojnë "peshqit e mëdhenj", për gjithë çfarë kanë bërë që nga përfundimi i luftës. Pa pastrimin e shoqërisë dhe të institucioneve nga të korruptuarit dhe kriminelët, nuk do të bëhen hapa përpara në integrimet evropiane”, ka thënë Mushkolaj. 

Me të inkriminuar, nuk ka integrim

Magjistri i Integrimeve Evropiane Sami Blakaj ka thënë, se rruga e vetme drejt Bashkimit Evropian nënkupton rrugën drejt ndërtimit të shtetit ligjor dhe sovran, ndërsa vetë shteti ligjor dhe sovran nënkupton Bashkimin Evropian.  Ai ka vlerësuar, se pa një Kosovë të së drejtës, ku do të sundonte rendi dhe ligji, asnjëherë nuk do të kemi shtet të integruar e të përparuar jo vetëm brenda BE-së, por as edhe brenda vet-vetes. 

“Kjo është një rregull e shkruar dhe uniforme si për vendin tonë, ashtu edhe për të gjitha ato vende, që sot aspirojnë integrimin në familjen e madhe evropiane. Ne sapo lamë një vit të dhunshëm dhe me plot skandale korruptive, skandale këto që u krijuan nga elita jonë politike, e që për pasojë po e mbajnë Kosovën të izoluar si të vetmin vend në rajon, kur bëhet fjalë për udhëtimin e lirë, gjegjësisht për liberalizimin e vizave. E gjithë kjo si pasojë e pazotësisë politike dhe insitucionale për të krijuar një ambient ligjor dhe të barabartë për të gjithë qytetarët e vendit.   Vlerësuar nga ky realitet i hidhur, shihet se BE-ja për Kosovën është një rrugë e gjatë, kërkon politikanë të pakorruptuar, kërkon punë, vullnet, përkushtim dhe seriozitet të institucioneve kyçe. Përderisa kjo nuk do të ndodhë, nuk mund të kemi perspektivë të qartë evropiane për Kosovën,  por as për qytetarët e saj”, ka thënë Blakaj. Sipas tij, fillimi i Gjykatës Speciale domosdoshmërish do ta ndryshojë realitetin politik të Kosovës dhe si e tillë do të prodhojë efektet e veta. “Megjithatë rrugëtimi i Kosovës drejt BE-së nuk varet vetëm nga suksesi i gjykatës, por gjithsesi edhe nga gatishmëria e institucioneve relevante për ta luftuar krimin dhe korrupsionin, duke u thirrur në emër të ligjit dhe shtetit ligjor”, ka thënë Blakaj./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat