Kërkohet që Specialja të gjykojë krimet serbe

Aktuale

Kërkohet që Specialja të gjykojë krimet serbe

Më: 15 janar 2017 Në ora: 10:49
Gjykata

Ishte vetëm 9 vjeç dhe ende i ka të freskëta kujtimet e luftës së fundit të Kosovës. 17 vite të lirisë për familjen e Zana Bytyqit kanë qenë në fakt vite të dhimbjes dhe përpjekjeve të pafunda për zbardhjen e fatit të babit të saj Bajram Bytyqi.

Ajo risjell momentet kur babai i saj u ndalua nga forcat ushtarake serbe në fshatin Kralan të Gjakovës, ku në prill të vitit 1999 ndodhi një nga masakrat më të mëdha në Kosovë.

Bytyqi: Kujtimet i kam në kokë

“Në vitin 1999 kur ka ndodh masakra e Kralanit unë kam qenë atëherë 9 vjet, më kujtohet shumë mirë  ditën kur babin e morën dhe babi na tha që unë dhe vëllau me vazhduar tek mami. Kemi vazhduar 24 orë në këmbë deri në Shqipëri edhe ato kujtime mu nuk me hekën, domethënë janë 17 vjet që i kemi ato kujtime në  kokë”, rrëfen Bytyqi.

Dy vite më parë, kur po diskutohej ligji për themelimin e Gjykatës Speciale, nëna e saj, atë kohë kryetare e shoqatës “Familja dhe Shpresa” në Klinë, ndërmorri një inivciativë shtesë ku kërkoi nga autoritet përkatëse, duke përfshirë  Gjykatën e Hagës, që fillimisht dhe pa kushte të zbardhin fatin e viktimave të krimeve serbe në Kosovë.

Bytyqi: Dy vite më parë kërkuam gjykimin e serbëve edhe në Gjykatën e Hagës

“Këtë kërkesë e ka adresuar në Gjykatën e Hagës  për Gjykatën në ish-Jugosllavi, ku gjykatësi belg ka thënë që për këto krime është kompetent EULEX-i. Një finlandez ka qenë disa herë, në familjen tonë dy herë dhe te disa familje tjera.  Janë 89 raste e Kralanit për 89 të zhdukurit. Të gjitha dëshmitë nga familjarët janë të përkthyera në gjuhën angleze dhe askush nuk është marrë me to”, tha Bytyqi.

Por ajo thotë të jenë të dëshpëruar me reagimin e institucioneve shtetërore për adresimin e kësaj çështje. Të pakënaqur me rrjedhen e procesit, shoqata “Familja dhe Shpresa” nga Klina, e cilësojnë si skandaloz dhe të papranueshëm faktin se si institucionet e vendit janë pajtuar siç thonë ata, për krijimin e një gjykate selektive e cila për ironinë e fatit, do të gjykojë krimet e pretenduara të shqiptarëve. Si rrjedhojë, ata ndërmorrën iniciativën për nënshkrimin e një peticioni ku kërkojnë që gjykata fillimisht të zbardhë krimet  e Serbisë.

Deri më tash, ata kanë mbledhur 300 nënshkrime të familjarëve, të cilat janë deponuar në Kuvendin e Kosovës, ku kërkohet ndryshimi i ligjit për Gjykatën Speciale.

Bytyqi: Gjykata Speciale të gjykojë krimet serbe në Kosovë

“Me datën 5 dhjetor, unë personalisht e kam deponuar këtë kërkesë në Kuvendin e Republikës së Kosovës e cila është e protokolluar, kërkesën e kemi publikuar edhe në media dhe po presim nga Kuvendi i Republikës së Kosovës nga deputetët dhe nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës Kadri Veseli, që kërkesën tonë ta marrë parasysh dhe që krimet tashmë 17 vite të Serbisë të vihen në vend, drejtësia të vihet në vend. Kërkesa jonë është e qartë, të ndryshohet të bëhet plotësimi i ligjit që edhe kriminelët serb të dënohen në Kosovë, që kanë kryer masakrën e Kralanit dhe të gjithë masakrat të tjera në Kosovë dhe kërkesa e dytë është që të stopohet dialogu me Serbinë për të gjitha këto masakra nuk e kuptoj pse mungon vullneti politik. Pse duhet mos me u ndryshu ligji?”, thotë Bytyqi.

Por peripecitë në jetën e Zana Bytyqit nuk kanë të ndalur. Ajo po e vazhon iniciativën e  nënës së saj, e cila humbi jetën dy vite më parë në betejën me kancerin, sëmundje të cilën ajo mendon se e përjetoi për shkak të stresit dhe dhimbjes së pafund që i shkaktoi humbja e vëllait dhe bashkëshortit. 

Bytyqi: Do ta vazhdojë iniciativën e nënës

“Jemi rritë jetim, jemi rritë pa baba, kemi pasur peripeci të ndryshme në jetë dhe u bënë tash 1 vit  tani që  mami më vdiq prej kancerit. Të gjitha këto nuk janë fituar nga dëshira ose nga diçka e madhe ose diçka e mirë, prej stresit, prej dhimbjes, prej mërzisë dhe më së shumti prej neglizhencës të vetë neve, popullit tonë, partive politike, kryetarëve të partive politike të cilët nuk dëshirojnë, është votuar apo nuk është votuar, është me dëshirën apo pa dëshirën e tyre , ligji tashmë ekziston, por ekziston edhe mundësia mu ndryshu”, tha Bytyqi.

Ajo ka rikujtuar se janë mbi 500 masakra në të gjithë Kosovën dhe  mbi 13.000 civilë të vrarë, përgjegjësit e të cilave nuk janë përgjigjur para drejtësisë. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat