Hoxhaj takon mbi 16 diplomatë të BE-së dhe rajonit: Serbia po nxit konflikte të reja

Aktuale

Hoxhaj takon mbi 16 diplomatë të BE-së dhe rajonit: Serbia po nxit konflikte të reja

Më: 17 janar 2017 Në ora: 10:01
Pamje nga takimi

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka vazhduar me takimet informuese me vendet mbështetëse, ku ka takuar mbi 16 diplomatë të BE-së dhe rajonit, të akredituar në Kosovë, për t’i informuar në lidhje me provokimet e reja të Serbisë në raport me Kosovën.

Hoxhaj tha se me veprimet e fundit në raport me Kosovën, Serbia ka treguar se dëshiron të nisë konflikte të reja. Ai theksoi se Kosova do t’i përgjigjet çfarëdo provokimi duke e mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial e shtetëror të saj. 

“Veprimet e Serbisë në raport me Kosovën, kanë treguar se Serbia dëshiron të nisë konflikte të reja. Mirëpo, kurdo që të kemi provokime të reja, Kosova është e gatshme të përgjigjet në mënyrë shtetërore duke e mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të saj”, ka thënë Hoxhaj gjatë takimit.

Çështja e trenit ilegal, arrestimi i Haradinajt dhe deklaratat nacionaliste të liderëve serbë, sipas Hoxhajt, janë pjesë e një game në rritje të provokimeve, të Serbisë ndaj Kosovës. Ndërkohë, Hoxhaj theksoi se institucionet e Kosovës janë të shqetësuara për situatën në veri të vendit.

Hoxhaj ka takuar edhe shefin e UNMIK’ut dhe shefin e OSBE-së në Kosovë, në një takim të ndarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat