Qytetarët e Kosovës të izoluar, shkaku i lojërave politike

Aktuale

Qytetarët e Kosovës të izoluar, shkaku i lojërave politike

Rivdan Emini Nga Rivdan Emini Më 17 janar 2017 Në ora: 15:26
Ilustrim

Qytetarët e Kosovës kanë mbetur thuajse të izoluar nga Perëndimi. Ky izolim nuk është  bërë vetëm nga kushtet e ‘rënda’ të cilat i janë vendosur institucioneve të Kosovës nga Unioni Evropian, por ky izolim më së shumti ka ardhur dhe po mbahet si i tillë nga politikanët  e vendit. Liberalizimi i vizave ishte premtuar thuajse që një dekadë nga secili lider i partive politike. Ndërsa, realiteti flet krejtësisht ndryshe.

Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, është bërë një çështje e cila është shumë e kërkuar dhe e dëshiruar, ndërsa nga ana tjetër kjo dëshirë ka filluar të venitet si rezultat i mos arritjes së kësaj lirie të lëvizjes. Qytetarët e Kosovës kanë mbetur thuajse të izoluar nga Perëndimi. Ky izolim nuk është  bërë vetëm nga kushtet e ‘rënda’ të cilat i janë vendosur institucioneve të Kosovës nga Unioni Evropian, por ky izolim më së shumti ka ardhur dhe po mbahet si i tillë nga politikanët  e vendit. Liberalizimi i vizave ishte premtuar thuajse që një dekadë nga secili lider i partive politike. Ndërsa, realiteti flet krejtësisht ndryshe. Partitë politike të cilat kanë arritur të marrin timonin e qeverisjes së vendit, nuk kanë arritur të tregojnë seriozitet për të realizuar premtimin e dhënë kohë më parë e të përsëritur çdo ditë, kinse është duke u punuar në këtë drejtim. Nga kjo lodhje e mos-lirisë së lëvizjes, qytetarët e Kosovës morën rrugën ilegale në mënyrë masive drejt shteteve Evropiane. Ata, dëshmuan se e duan atdheun aq shumë, sa që nuk duan ta shkatërrojnë duke u bërë revolucionar për të hequr nga pushteti partitë që po udhëheqin me vendin, por morën vendimin e tyre për të injoruar tërësisht elitën politike.

Keqpërdorimi i çështjes së  liberalizimit të vizave

Në pyetjen e gazetës “Bota Sot” se pse çështja e liberalizimit të vizave përdoret si kartë rezervë, si nga pozita ashtu edhe nga opozita. Njëra palë e përdorë, si kartë fitoreje, se kanë plotësuar një pjesë të kritereve e tjetra palë si kartë dështimi. Cila është kostoja që paguajnë qytetarët mes kësaj përplasjeje, politologu Hidajet Ahmeti është shprehur se çështjen e liberalizimit të vizave si pozita po ashtu edhe opozita po e përdorin si arme të fortë për akomodimin e tyre sa më të mirë në pushtet: “Duke parë gjendjen e rëndë socio-ekonomike në një shtet në tranzicion e post-konfliktual, pozitë–opozitë çështjen e liberalizimit të vizave e përdorin si armë të fortë. Pozita duke dhënë deklarata të pamatura, të pa analizuara e me agjenda politike ditore duke mos pasur idenë e funksionimit të institucioneve të BE-së, kurse opozita duke shfrytëzuar boshllëqet e duke kritikuar në këtë drejtim Qeverinë për dështimet në këtë drejtim, dhe dukë mos qenë konstruktive karshi këtij procesi.”  Ndërsa studiuesi i shkencave politike Argjent Softolli është shprehur se kostoja që paguajnë qytetarët e Kosovës nga kjo ‘kapje’ e çështjes së liberalizimit të vizave nga pozita dhe opozita, është mjaftë e madhe: “Liberalizmi i vizave për qytetarët tanë shihet si e vetmja shpresë për të mbijetuar. Qytetarëve tanë liberalizimi iu është bërë ëndërr, e shohin dritën në fundin e tunelit. Sot ne nuk mundemi të themi se Kosova nuk ka plotësuar asnjë kriter, Kosova ka plotësuar disa kritere dhe është afër liberalizimit të vizave, infrastruktura është përmirësuar dukshëm, Kosova po zhvillon një luftë kundër terrorizmit, sfidë për neve mbetet luftimi i korrupsionit dhe nepotizmit në institucionet më të larta dhe qenësore të vendit. Sfidë Kosovës i ka mbetur sundimi i ligjit për çka edhe BE-ja më së shumti po insiston që kësaj pike ti kushtohet rëndësi e veçantë. Sot pozitë e opozitë e përdorin kartën e liberalizimit të vizave, të dyja palët e përdorin për poena politik që ta kthejnë në vota, kjo është gabim, qytetarët e vendit kanë mbetur peng dhe me të izoluarit në Evropë vetëm si pasojë e këtij faktori të korruptuar politik që qytetarin e shohin vetëm si elektorat. Kostoja që po paguajmë ne si qytetar është e rëndë dhe e madhe, vazhdojmë që studentët, rinia e Kosovës të mbetet e izoluar dhe botën ta shohë përmes rrjeteve sociale. Liberalizimi i vizave do të zbuste sado pak varfërinë që e ka kapluar vendin”, është shprehur ai.

Fjala publike duhet të ketë peshë

Më tej politologu Ahmeti, ka bërë thirrje pozitës dhe opozitës që të mos bëjnë veprime populiste të cilat nuk e ndihmojnë agjendën e realizimit të liberalizimit të vizave: “Pozitë e opozitë nuk duhet të bëjnë veprime populiste të cilat nuk i ndihmojnë aspak procesit të liberalizimit të vizave, por duhet gjetur konsensus politik për arritjen e qëllimit përfundimtar. Qytetarët e Kosovës janë lodhur nga premtimet boshe, të cilat në thelb nuk kanë asgjë substanciale. Fjala publike ka peshë të jashtëzakonshme, por në Kosovë askush nga krerët institucional nuk merr përgjegjësi për deklarata manipulative e kontradiktore. Të luash me ndjenjat e qytetarëve të lodhur nga ky mjerim ekonomik është pak sa absurde dhe e pamoralshme nga të dyja palët, pozitë-opozitë. Por, për hir të sinqeritetit dhe korrektësisë pa marrë parasysh destruktivitetin opozitarë, barra për dështimet në këtë proces bie mbi supet e Qeverive të pasluftës, e në veçanti mbi këtë të fundit”, ka përfunduar ai./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat