Lajm i madh për Haradinajn nga Isa Mustafa: Ramushi nuk do të ekstradohet në Serbi

Aktuale

Lajm i madh për Haradinajn nga Isa Mustafa: Ramushi nuk do të ekstradohet në Serbi

Më: 18 janar 2017 Në ora: 09:40
Në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka shprehur vendosmërinë e Qeverisë për të zbatuar plotësisht dhe pa asnjë mëdyshje ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë në vend. Prishtinë, 18 janar 2017

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa , në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ka përçuar mesazhin e vendosmërisë së kësaj Qeverie, për të zbatuar plotësisht dhe pa asnjë mëdyshje ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë në vend.

Ai siguroi qytetarët e vendit,  se institucionet janë në nivel të detyrës për të mbrojtur stabilitetin e arritur.

Kryeministri ka ftuar edhe njëherë ministrat serb që  të kthehen në Qeveri,  por siç tha ai ata ministra, të cilët e respektojnë Kushtetutën, ligjin dhe institucionet e Republikës së Kosovës.

Mustafa: Institucionet e vendit, janë në lartësinë e detyrës

“Kohëve të fundit, ne të gjithë jemi dëshmitarë të intensifikimit të provokimeve nga Serbia. Prandaj, qytetarët e Kosovës dëshiroj t’i siguroj se Qeveria dhe të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, janë në lartësinë e detyrës së tyre, janë të përgatitura dhe të koordinuara mes vete, por edhe me bashkësinë ndërkombëtare për të mbrojtur stabilitetin e arritur dhe për të avancuar prosperitetin e Kosovës. Unë dëshiroj që edhe njëherë të përsëris ftesën për serbët e Kosovës, që ata të kthehen në institucionet e Republikës së Kosovës, në Qeveri dhe Kuvend dhe të punojmë bashkërisht për të ardhmen e qytetarëve të Kosovës, pa asnjë dallim”, tha Mustafa.

Ai tha se  Qeveria është e përkushtuar për të implementuar marrëveshjet nga dialogu, edhe marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe,  për të cilin tha se do të implementohet   në harmoni me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me marrëveshjen e parë, por me pjesëmarrje të serbëve dhe komuniteteve tjera në këtë proces.  

Mustafa në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar u ka bërë thirrje autoriteteve lokale në Mitrovicën Veriore,  që të zbatojnë ligjet e Kushtetutës së Kosovës për murin e ndërtuar pa leje.

Mustafa: Muri nuk është e tashmja dhe e ardhmja e qytetarëve të Kosovës

“Po ashtu, thërras pushtetin lokal të komunës veriore të Mitrovicës për zbatimin e ligjit rreth murit të ndërtuar pa leje. Muri i ngritur në mes të qytetit të Mitrovicës, nuk është e tashmja dhe e ardhmja e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Qeveria nuk është e interesuar të ndërhyjë në punët e pushtetit lokal, përderisa ky pushtet do të respektojë dhe do të iplemetnojë ligjin, por në rast të kundërt, Qeveria do të kërkojë nga organet përkatëse të marrin masa ligjore,  për të mos lejuar që askush të ngre mure për të ndarë qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha kryeministri.

Mustafa po ashtu ritheksoi qëndrimin për dialogun, duke pohuar se pa marrë parasysh vërejtjet dhe kushtëzimet,  dialogu është orientim strategjik dhe nuk ka alternativë, por duhet të sigurohen që ky dialog të jetë efektiv dhe sa më gjithëpërfshirës.  Po ashtu  ai ftoiedhe Qeverinë e Serbisë, që të heq dorë nga gjuha kërcënuese, dhe këtë gjuhë ta zëvendësojë me gjuhën e dialogut dhe me gjuhën e bashkëpunimit.

Mustafa: Qytetarët nuk do të ndahen me mure, Haradinaj s’do të ekstradohet në Serbi

“Provokimet si shtytja e serbëve kosovarë për t’u larguar nga integrimi në institucionet e Kosovës, muri i Mitrovicës, keqpërdorimi i institucioneve ndërkombëtare të sigurisë për të provokuar  Kosovën dhe qytetarët e saj me fletarreste të paligjshme dhe të motivuara politikisht. Provokimet si ai me trenin e pa licencuar dhe me elemente nxitëse të urrejtjes etnike, nuk janë sjellje të konstruktivitetit nga ane Serbisë. Prandaj Qeveria jonë është e bindur se skenarët e tij jo vetëm që janë të parealizueshme por janë edhe anakronike, ashtu siç jemi të bindur se serbët kosovarë të ardhmen e tyre e kanë në Republikën e Kosovës dhe e kanë në institucione të Republikës së Kosovës.  Prandaj dua të konkludoj se qytetarët  e Kosovës, nuk do të ndahen me mure, por do të bashkohen me ura. Ramush Haradinaj, nuk do të ekstradohet në Serbi, por do të kthehet në Kosovë dhe trenat do të mund të hyjnë nga Serbia në Kosovë dhe nga Kosova në Serbi, duke respektuar në mënyrë të dyanshme rregullat e lëvizjes së mallrave dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve”, tha ai.

Në këtë mbledhje Mustafa  përgëzoi  të gjitha  institucionet dhe organet e sigurisë për punën e bërë, ditën në të cilën ishte paralajmëruar arritja e trenit nga Beogradi në Mitrovicë.

Mustafa: Institucionet vepruan sipas kushtetutës

“Menaxhimin e provokimit nga Serbia dhe trenin pa licencë dhe të ngarkuar me parulla provokuese, të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, kanë vepruar mbi bazën e kompetencave kushtetuese. Janë bashkërenditur me të gjitha institucionet relevante, me presidentin e vendit, me Kryetarin e Parlamentit, me institucionet përkatëse, Policinë dhe ministritë tjera, me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të Jashtme. Prandaj unë shfrytëzoj rastin që të përgëzoj të gjitha këto institucione, të përgëzoj edhe  organet e sigurisë së Kosovës për një punë të kryer mbi bazën e ligjit dhe mbi bazën e Kushtetutës”, tha ai.

Ai në emër të Qeverisë falënderoi qytetarët për shkallën e lartë të përgjegjësisë qytetare, me të cilën kanë përballuar provokimet nga Serbia.

Mustafa po  ashtu i ka ftuar  përfaqësuesit e partive politike të opozitës, qytetarët, mediat, shoqërisë civile, që të punojnë bashkërisht, në projektin e avancimit të demokracisë së vendit, në ndërtimin e fqinjësisë së mirë,  paqes e stabilitetit dhe të evitohen me çdo kusht provokimet qëllimkëqija.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat