Mbi 4 mijë euro telefona për kabinetin e ministres Hoxha

Aktuale

Mbi 4 mijë euro telefona për kabinetin e ministres Hoxha

Më: 18 janar 2017 Në ora: 21:53
Dhurata Hoxha

Ministria e Drejtësisë me paratë e buxhetit ka blerë 6 telefona “Samsung” në vlerë 4,128 euro.

Edhe Ministria e Drejtësisë u është bashkuar institucioneve të tjera shtetërore që buxhetin e shtetit e shfrytëzojnë për të blerë gjëra luksoze.

Kjo Ministri ka blerë telefona të mençur të markës “Samsung” për nevoja të kabinetit të ministres Dhurata Hoxha.

Për blerjen e telefonave kjo Ministri është dashur të sigurojë mjete shtesë pasi vlera e tyre sipas tregut po tejkalonte parashikimin e kontratës.

Për këtë tender kishte vetëm një ofertues.

Në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ  për Prokurim Publik (KRPP), Ministria e Drejtësisë më 1 dhjetor të vitit të kaluar ka publikuan njoftimin për nënshkrimin e kontratës në vlerë prej 4,128 euro për blerjen e telefonave të mençur për nevojat e saj.

I kontaktuar nga KALLXO.com, u.d. drejtori i prokurimit të Ministrisë së Drejtësisë, Sadri Emërllahu tha se janë blerë 6 telefona mobilë për kabinetin e ministres.

Sipas njoftimit për nënshkrimin e kontratës, del që Ministria pagoi 688 euro për një telefon.

Mjetet për blerjen e këtyre telefonave ishin nga buxheti i konsoliduar i Kosovës dhe fillimisht Ministria kishte parashikuar kontratë në vlerë 3,450 euro, por nënshkrimi i kontratës doli të jetë për 678 euro më shumë se planifikimi i saj.

Këtë rritje të vlerës së kontratës Emërllahu e arsyeton me çmimin e tregut. “Pas ofertës nga ajo kompani, çmimi real i tregut ka dalë më i lartë”, tha ai.

Emërllahu tregoi se për këtë tender ka qenë vetëm një ofertues dhe çmimin që e ka ofruar ai është çmim i tregut. Ai shtoi se nuk ka pasur oferta të tjera.

“Nuk ka pasur oferta të tjera se edhe me aq do të pranoheshin sipas parashikimit.

Për shkak se nuk kishte oferta të tjera, sipas Emërllahut është dashur të bëhet zotim shtesë i mjeteve nga vlera e parashikuar nga Ministria.

“Për shkak të nevojave të tyre, përveç atyre  mjeteve e kanë bërë edhe një zotim shtesë që janë shkresat krejt komplet qysh është procedu dhe është rritë për disa euro”, tha u.d. i drejtorit të prokurimit.

Sadri Emërllahu tha se telefonat e blerë janë të markës “Samsung”, por nuk dha detaje rreth specifikave të këtyre telefonave.

Ministria e Drejtësisë nuk është institiucioni i vetëm që shpenzon buxhetin e shtetit për gjëra luksoze.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat