E vërteta e pajtimit mes Imerit e Thaçit, ja kë e akuzon rëndë tash Imer Imeri

Aktuale

E vërteta e pajtimit mes Imerit e Thaçit, ja kë e akuzon rëndë tash Imer Imeri

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 19 janar 2017 Në ora: 18:45
Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 19 janar 2017 Në ora: 18:45
"Jam i bindur se Hashim Thaçi nuk është në dijeni se kush e ka vrarë vëllaun tim”, ka thënë dje Imer Imeri, gjatë homazheve me Hashim Thaçin te varri i të ndjerit, Haki Imerit.

Vëllai i anëtarit të LDK-së, Haki Imerit i vrarë me 2 nëntor të vitit 1999, Imer Imeri kohë më parë akuzonte shumë rëndë presidentin Hashim Thaçin, ku sipas Imerit ishte Hashim Thaçi ai i cili kishte lidhje me vrasjen e vëllait të tij dhe vrasjet politike që kishin ndodhur në Kosovë. Madje ai bënte thirrje që në zgjedhjet e kaluara bënte thirrje që populli mos ta votonte Hashim Thaçin, pasi ai e kishte vetëm për vota politike.

Por gjatë ditës së djeshme, Imer Imeri është pajtuar me Presidentin aktual Hashim Thaçi, ku edhe bëri homazhe së bashku me të tek varri i Hakiut, dhe duke pranuar mirënjohje nga Hashim Thaçi.

“Jam i bindur se Hashim Thaçi nuk është në dijeni se kush e ka vrarë vëllaun tim, pasi gjatë një komunikimi më të, ai është i shprehur i gatshëm se edhe në forma kanunore të zotohet se nuk di gjë për vrasjen e Haki Imerit”, ka thënë dje Imer Imeri, pas homazheve që ka bërë me Hashim Thaçin te varri i vëllau të tij, i vrarë nga dora vrastare, e për të cilën Imeri deri dje e akuzonte vet Hashim Thaçin.

Thirrja e Thaçit që bindi Imer Imerin

Imer Imeri, i kontaktuar nga gazeta “Bota sot”, duke folur për tërheqjen e akuzave ndaj presidentit Hashim Thaçi, thotë se deri tek ndryshimi i mendimit për Thaçin erdhi, pasi sipas tij me thirrjen për hetimin e vrasjeve politike dhe bombat për presidentin Rugova, ai është bindur se më të mund të flitet. Imeri ka drejtuar akuza ndaj LDK-së, duke thënë se vëllai i tij, ishte vrarë për LDK-në, e LDK-ja që 18 vite nuk kishte bërë asgjë për të, madje sipas tij as edhe një akademi përkujtimorë dhe homazhe në përvjetorët e tij.

“Vëllai im u vra për LDK, dhe LDK-ja 18 vite nuk bëri asgjë për vëllain tim dhe LDK-ja nuk e bëri asnjë akademi përkujtimorë as për një përvjetor nuk i erdhën të varri madje as nuk folën për të asnjë fjalë në përvjetorët e tij. Me thirrjen e Thaçit për ti zbuluar vrasjet para dhe pas luftës si dhe bombat e President Rugova më ka lënë me kuptua se me këtë njeri mundesh me fol. Edhe Thaçi e përsëriti disa herë thirrjen për ti zbulua vrasjet ,Thaci madje e aplikojë edhe Gjykatën Speciale dhe kjo është e duhur se Kosovës i vyen Gjykata Speciale, për krimet që kanë ndodh”, thotë Imeri.

Sipas Imerit, me deklaratat e Thaçit dhe heshtjen e LDK-së se Gjykata Speciale erdhi si rezultat i vrasjes së dëshmitarëve, ai u bind se Thaçi e ka mirë.

“Thaçi bëri thirrje sërish që mi zbulua këto vrasje dhe kjo po tregon prodhimi i Gjykatës Speciale është vrasja e dëshmitarëve dhe LDK-ja kurrë nuk u përgjigj në këtë , e LDK-ja u dashtë me mbajt Thaçin për fjale dhe me i thanë “president ti fole që me i hetua vrasjet,  ne çka duhet më bërë? po askush nga LDK-jua nuk u përgjigj për këtë punë”. Prandaj mua ma morri mendja që presidenti Thaçi e ka mirë edhe këtë punë unë e kam kërkuar gjithmonë  që 17 vjet me thirrje për drejtësi që të hetohen vrasjet. Por kurrë LDK-ja se ka marrë parasysh këtë punë dhe nuk u duk më si LDK, madje më erdhi keq kur e lexova një koment nga deputetit Adem Salihu që unë gjoja po i thërrasë ata e po ndryshojë mendje, kur ai vet është i asaj partie vet i asaj familje në LDK, që kurrë nuk iu përgjigj ftesës së Thaçit për hetimin e vrasjeve apo bombat e presidentit që ai kërkoi”, thotë Imer Imeri,  për gazetën “Bota sot”.

Akuza ndaj LDK-së

Imeri tash hedhë akuza të rënda ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku sipas tij, LDK-ja kurrë nuk e ka përkrahur thirrjen për hetimin e vrasjeve politike, gjë të cilën, sipas Imer Imerit e ka bërë tash Hashim Thaçi, duke shtuar se tash Thaçin e kanë përkrahës për zbulimin e këtyre vrasjeve.

“Unë nuk e di çfarë fytyrë kanë me fol edhe ku mbetet LDK-ja mbas këtij rasti a unë nuk heqë dorë kurrë për hetimin e vëllait tim , por pe shoh që presidentin Thaçi e kemi përkrahës të këtyre vrasjeve për ata edhe unë e falënderojë. LDK-ja kurrë se ka përkrahur thirrjen për hetimin e vrasjeve, dhe LDK-ja pra nuk është dashtë mu lëshu në këtë lojë të Thaçit e me bërë president, sepse ata e bën president”, thekson ai.

Pas tërheqjes së akuzave të bëra ndaj Hashim Thaçit, Imeri në vrasje e implikon LDK-në, duke thënë se ajo e ka shfrytëzuar që 17 vite luftën dhe se u intereson vetëm vota.

“LDK-ja u tregu sikur me qenë vet implikues në vrasje, u treguan mashtrues të votave dhe shfrytëzuan luftën 17-18 vjet dhe iu intereson veç votat LDK-ja veç për shkak të votave kurrë zëri nuk iu dëgjua. Ata kishin qenë njerëz të pandërgjegjshëm njerëz të lig.  Rugova ka vdekur dhe me vdekjen e tij ai e ka marrë edhe LDK-në me veti, e këta tjerët mbrapa tij janë veç matrapaz”, shton Imeri duke akuzuar rënë LDK-në.

Imer Imeri duke fol për akuzat që kishte bërë ndaj Thaçit, ai ka thënë se me thirrjen për hetimin e vrasjeve politike, Hashim Thaçi e ka mbajt fjalën, ndërsa LDK-ja sipas tij vetëm po hesht.

“Unë kam thanë që z. Thaçi e din kush ma ka vra, ata ndoshta janë 100 vetë që e din se kush ma ka vra vëllain tim, po unë nuk mundem me i akuzuar  krejt. Unë mundem me e akuzuar vetëm atë që ma ka vra e jo të gjithë. Z. Thaçi e majti fjalën që ka thanë ti hetojmë vrasjet e pas luftës dhe ti hetojmë bombat e presidentit. Ai të paktën po flet, po pse s’po flasin ata të LDK-së pse po heshtin ata?? Është marri për ta, se vëllai im ka qenë i LDK-së , sepse LDK-ja është ajo që e ka pru në pushtet Thaçin, dhe e kanë bërë president Thaçin, e tani veç presidenti Thaçi po shikojka mu shpërla. Por jo jo, janë ata tjerët që po fshihen pas tij, se –presidenti Thaçi  po bën thirrje me i hetua vrasjet e këto probleme që as vet LDK-ja s’po i përmend a mbi gjakun e presidentit Rugova dhe mbi gjakun e të vrarëve i kanë marrë votat të gjithë”, thotë Imer Imeri për gazetën “Bota sot”.

Jo drejtësi kanunore

Por një mendim ndryshe nga axha i tij e ka djali i të ndjerit Hakiut, Kastriot Imeri, i cili ka thënë se për vrasjen e babit të tij kërkon drejtësi institucionale e jo kanunore, duke aluduar në atë se Thaçi ishte shprehur i gatshëm të bëj “be” në 127 pleq se ai nuk kishte dorë në vrasjen e Haki Imerit.

 “Unë, Kastriot Imeri, djali i Haki Imerit. Kërkoj drejtësi Institucionale, jo Kanunore. Kërkoj nga Institucionet, qe me te vërtetë do ta ndriçojnë vrasjen pas shpine te prindit tone, dhe vrasjeve te tjera qe u bene gjate e pas luftës ne Kosove. Kërkojmë drejtësi nga Institucionet Ndërkombëtare. Jo nga këto vendore, te cilat udhëhiqen nga kriminelet”, ka deklaruar Kastriot Imeri në reagimin e tij.

Ndërsa Imer Imeri, ka dhënë dorëheqje edhe nga shoqata “Thirrje për Drejtësi”, ku Imer Imeri ishte kryetar, shoqatë kjo e themeluar që për synim ka thirrjen për zbulimin e vrasjeve politike.

Sipas kësaj shoqate qëndrimet e Imerit janë qëndrime personale të tij, ku sipas tyre ata janë dhe do të jenë të angazhuar për zbardhjen e vrasjeve politike.

“Ju njoftojmë se qëndrimet e z. Imer Imerit , janë qëndrime personale dhe jo të Shoqatës! Poashtu ju njoftojmë se z. Imer Imeri nuk është më kryetar i Shoqatës "Thirrje Për Drejtësi" që para 1 muaji , me çrast vullnetarisht ka ofruar dorëheqje me shkrim. E faleminderojmë z. Imer Imerin për punën e bërë si kryetar i Shoqatës që nga themelimi e deri me dorëheqjen e tij. Ne jemi angazhuar për drejtësi për të gjitha rastet e vrasjeve me motive politike dhe do të angazhohemi në vazhdimësi! Këtë duhet ta bëjnë organet e drejtësisë së Shtetit të Kosovës , e edhe ajo ndërkombëtare ( gjykata speciale) në rast mossuksesi të institucioneve tona. Qështjen e drejtësisë ,ne nuk e konsiderojmë si qështje "gatishmërie" për të bërë "be", edhe pse kemi respekt për pleqtë e popullit tonë”, thuhet në njotimin e kësaj shoqate.

Haki Imeri ishte vrarë më 2 nëntor të vitit 1999, në rrethana të pasqaruara dhe për këtë familja e tij e kishin akuzuar disa herë Thaçin, se ai ishte i informuar se kush e ka vra familjarin e tyre.

Haki Imeri ishte kidnapuar midis orës 16 dhe 17, me 2 nëntor në fshatin Brojë, nga persona të panjohur, që ishin  prezantuar si policë,  e më pas ishte gjetur i vdekur në një thellësi të malit në fshatin Aqarevë, dy kilometra larg vendit ku është kidnapuar

Haki Imeri ishte dekoruar me Medaljen e Artë të Pavarësisë nga Presidenti Rugova, së bashku me Prof. Fehmi Agani, Latif Berisha, komandat Sali Çeku, Agim Hajrizi, Enver Maloku, Xhemail Mustafa, Shaban Manaj, Ismet Rraci, Ismail Hajdaraj, e Ukë Bytyçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat