Gara për Prishtinën, kandidatët që do t`ia lëkundin karrigen Shpend Ahmetit

Aktuale

Gara për Prishtinën, kandidatët që do t`ia lëkundin karrigen Shpend Ahmetit

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 24 janar 2017 Në ora: 12:04
Shpend Ahmeti

Viti 2017 do të jetë vit zgjedhorë për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve lokale. Sikur edhe para tre vjetësh, gara më e fortë për kryetar të Komunës do të jetë në Komunën e Prishtinës. Kjo vërehet qysh tani, me faktin se emra të ndryshëm të subjekteve politike po përmenden si kandidat të mundshëm për kryetar të Komunës së Prishtinës.

E këta emra, ndonëse të pakonfirmuar pritet t`a sfidojnë të parin e kryeqytetit Shpend Ahmetin, i cili sipas të gjitha gjasave do të jetë sërish kandidat për këtë post.

Shkodran Hoti zëdhënës në Lëvizjen Vetëvendosje, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se çështjen e kandidatit do ta rregullojnë në bazë të statutit të partisë.

“Kjo është çështje që rregullohet edhe nëpërmjet statutit të Lëvizjes Vetëvendosje, por gjithmonë duke e pasur parasysh edhe vullnetin e secilit kandidat, për shkak se ne përmes statutit e kemi garën e brendshme për secilin kandidat të secilës komunë. D.m.th hapet gara dhe secili e paraqet kandidaturën, pastaj shkojmë në zgjedhje të brendshme dhe ashtu caktohet kandidati për secilën komunë”, ka thënë Hoti.

Shpend Ahmeti përsëri kandidat i Vetëvendosjes

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje, është e kënaqur me punën e z. Ahemti në komunë, derisa ka thënë se ky i fundit është i gatshëm të pranoj çdo funksion që i`a kërkon partia.

“Ne jemi shumë të kënaqur me punën e z. Shpend Ahmeti, për shkak se e ka ofruar një model të ri të qeverisjes, që i është dashur Prishtinës dhe normalisht për këtë do të informoheni me kohë. Shpendi është i gatshëm që ta pranoj secili funksion që ia kërkon Lëvizja, në anën tjetër Lëvizja është e kënaqur me punën që e ka bërë ai, kështu që të gjitha do të merren vesh në momentin kur të hapet gara për këtë çështje.  Mendoj që, si Lëvizje jemi shumë të kënaqur me punën që ai e ka bërë në komunën e Prishtinës, dhe formalisht vendoset në kohën e zgjedhjeve të brendshme”, ka theksuar Hoti.

Ai ka shprehur bindjen se si Lëvizje, kësaj radhe do të dalin më të fuqishëm në zgjedhjet e ardhshme.

Duke komentuar çështjen e kundër kandidatëve të mundshëm të Shpend Ahmetit, zëdhënësi i Vetëvendosjes, ka thënë se gara duhet të shihet si përballje e koncepteve apo e modeleve që ofrohen.

“Nuk mendoj se vlerësimi i një gare duhet të bëhet duke i gjykuar individët. Individët e përfaqësojnë një koncept dhe unë mendoj që koncepti i Vetëvendosjes është koncepti që i duhet jo vetëm Prishtinës por gjithë Kosovës. Mendoj se qeverisja në Prishtinë e ka dëshmuar këtë dhe mendoj që kjo e bën Lëvizjen Vetëvendosje si opsionin më të përshtatshëm për qytetarët e Prishtinës, por edhe për gjithë Kosovën. Unë mendoj se qytetarët do ta zgjedhin Lëvizjen Vetëvendosje edhe në Kosovë”, është shprehur ai.

LDK e gatshme për zgjedhje

Ndërkaq, Agim Gashi, asamblist i LDK-së në Komunën e Prishtinës, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se disa emra të cilët po e lakojnë vetveten si kandidat të mundshëm, duhet të kenë kujdes, duke theksuar se emrin e kandidatit do ta  bëjnë publik në momentin më të volitshëm.

“Po, LDK që sot është e gatshme të hyje në garën për Prishtinën. Në momentin e volitshëm do ta publikojmë emrin e kandidatit tonë të mundshëm për kryetar të kryeqytetit. Disa emra që po e lakojnë vetveten mire do të bënin të kenë kujdes sepse LDK gjithmonë ka qenë e kujdesshme kur ka të bëj me gjëra serioze dhe shumë të rëndësishme. Në këtë rast kandidatura për Prishtinën është më prioritet dhe hapi më i rëndësishëm që do ta marr LDK”, ka thënë Gashi.

Kurse, Flamur Shala, asamblist tjetër i LDK-së në KK të Prishtinës, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se LDK ka kapacitete njerëzore intelektuale dhe politike e profesionale të favorshme për të garuar dhe ftuar garën.

“LDK do të jetë e gatshme për garën, aq më shumë kur dihet që kemi hyrë në vitin zgjedhor. Po flas si një anëtar i Kuvendit nga LDK dhe qytetar I Prishtinës. Kandidatura është çështje e Partisë,  e strukturave të saj. Po ashtu, një gjë dihet se LDK ka kapacitete njerëzore intelektuale dhe politike e profesionale të favorshme për të garuar dhe ftuar garën”, është shprehur Shala.

PDK e AAK ende të pa përcaktuar për kandidatin e saj

Ndërsa nga Partia Demokratike e Kosovës thonë se janë të përgatitur për zgjedhje, por sipas tyre sa i përket kandidatit ende nuk janë përcaktuar definitivisht.

"Jemi të përgatitur dhe jemi duke punuar vazhdimisht. Ka një interesim të shtuar nga qytetarët e Prishtinës që të antarësohen në PDK duke besuar që është e vetmja forcë që mund të sjell ndryshime. Sa i përket kandidatit ende nuk jemi përcaktuar definitivisht", ka thënë Lirak Çelaj për Bota sot.

Të gatshëm për garën zgjedhore janë shprehur edhe nga AAK-ja. Kryetari i degës së kësaj partie në Komunën e Prishtinës, ka thënë se nuk është vendosur ende për kandidatin.

“Të përgatitur jemi por ende nuk ka vendim përfundimtar për kandidatin”, ka thënë Arifi për “Bota sot”./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat