Dëshmia shokuese e të akuzuarit kryesor në rastin “Kiqina”, ja detajet që tregon ai

Aktuale

Dëshmia shokuese e të akuzuarit kryesor në rastin “Kiqina”, ja detajet që tregon ai

Nga: M.L Më: 12 shkurt 2017 Në ora: 21:17
Burim e Arsim Ramadani dhe Skender Halilaj

I kontaktuar nga gazeta “Bota sot”, Skender Halilaj, i cili ishte i akuzuari kryesor për rastin Kiçina, ka rrëfyer se si ishte akuzuar në Gjykatë, si njeri që pagoi vëllezërit Ramadani e Kiçina për vrasjen e Hamëz Hajrës me familjes.

“Unë jam i akuzuar kryesor në rastin “ Kiçina”. Janë munduar t`ma lidhin akuzën, kinse unë i kam paguar këta djem, për shkak që më është vrarë babai dhe dy vëllezërit, por kjo nuk është e vërtetë, sepse ata janë vrarë në vijën e frontit, aq kanë pas jetë  kurse unë jam invalid i luftës dhe nuk ka të bëj Hamza asgjë me ta.  Për Skënder Halilajn, Hamëz Hajra do të ishte më mirë nëse do të ishte gjallë, pasi kishte informacione të shumta rreth masakrave që kishin ndodhur në Drenicë gjatë luftës.  “Dhe për mendimin tim Hamza ma mirë, ka qenë me pas qenë i  gjallë sesa që e kanë vrarë. Sepse ai për UÇK-në nuk ka ditur asgjë e për kriminelë serb ka ditur mjaft. Ka ditë për masakrën e Likoshanit  9 vetë që juanë të zhdukur në Poklek më 1997. Ai e ka ditur masakrën Delija që e ka parë popullata që ai vetë ka qenë pjesëmarrës me ta, dhe e kanë njohur Hamzën. Kështu që ai me pas qenë i gjallë kish me qenë ma mirë, sepse ai veç kriminelët serb kishte mundur t’i fusë në burg, sepse të UÇK-së nuk kishte mundur askënd ta fusë në burg. Përveç se një rast në luftë që kemi pas urdhër me dalë, me marrë dhe ai në fillim më ka gjuajtur mua dhe unë në vetëmbrojtje kam gjuajtur. E mas luftës e lidhin atë rast që unë gjoja s’kam mundur me vra në luftë dhe tash kam dashur t’i hakmerrem mas luftës që unë as nuk kam lidhje”, ka thënë ai.  

Sipas Skënder Halilajt, Burim e Arsim Ramadani dhe Arben Kiçina nuk kanë lidhje me vrasjen e familjes Hajra.   

“Kështu që po them është rasti më interesant që ata djem mbahen në burg pa pikë faji. Montimi qenka shumë interesant se si ndërkomëtarët po mund ta bëkan. Prandaj, unë dyshoj gjithmonë që me bashkëpunim ndërkombëtar Hamzën e ka vrarë shërbimi sekret serb me bashkëpunim të ndërkombëtarëve e mundet me qenë ky Fadil Syleviqi që po e përmend Fatoni. Por unë nuk mundem ta akuzoj askënd, por gjithçka është e mundshme”, ka thënë ai.  

Halilaj ka theksuar, se është i bindur që familjen Hajra, e ka vrarë pala serbe dhe se shqiptari e ka ekzektuar për të marrë para.   

“Unë atë që e di nuk frikësohem që t`a them, por unë nuk mund të jap supozime që ta akuzoj SHIK-un. Supozimi im i vetëm, është se pala e Serbisë e ka vrarë për të mos lënë dëshmitarë të gjallë, sepse ai për serb ka qenë i rrezikshëm. Dy javë para se të vritej ai kishte bashkëpunuar me Tribunalin e Hagës.  Në krye të dy javëve ai është ekzekutuar, përse? Kjo ka shkuar në interes të Serbisë dhe kush e ka vrarë ia ka bërë një argat të fortë Serbisë. Plus që tradita shqiptare nuk ka qenë vrasja e grave dhe fëmijëve”, ka treguar ai.

Halilaj: Nuk është e vërtetë që jam hakmarrë

Tutje, Skënder Halilaj,  ka folur rreth lirimit të tij nga akuza duke thënë, se në të njëjtën kohë është dashur të lirohen vëllezërit Ramadani e Kiçina.  

“Akuza ka qenë gjoja kinse unë jam hakmarrë. Me lirimin tim është dashur të lirohen gjithë ata djem. Unë kam thënë, që nëse ka drejtësi duhet të veprohet kështu, ose të çoni një Skënder Halilaj dhe ta dërgoni në burg , për të thënë se i paska paguar këta djem ose t`i lironi djemtë si të pafajshëm. Këtu nuk ka drejtësi sepse motivi i akuzës ka rënë me lirimin tim.  Sipas Blerim Kiçinës, unë i kam paguar këta djem për vrasjen, mirëpo avokatja ime ka bërë ankesë tek Ban Ki Muni në atë kohë dhe ai e ka dërguar këtë ankesë në organizatën për të drejtat e njeriut në Gjenevë. Në momentin që kjo organizatë ka filluar të merret me rastin tim, këta më kanë liruar mua sepse UNMIK-u, pa pasur dëshirë që ato marrëzi të mbesin brenda Kosovës”, është shprehur ai. 

 Për Skënder Halilajn, nuk ka pasur logjikë që ai të lirohet dhe vëllezërit Ramadani e Kiçina, të qëndrojnë në burg. 

 “Gjyqi ka filluar dhe është mbajtur në emrin tim dhe unë të lirohem e ata të qëndrojnë në burg, atëherë ku është ajo drejtësi.  Blerim Kiçina thotë, se unë kam qenë me Burimin, Arsimin, Arbenin te ura. Burimi nga para, Arsimi nga ana e djathtë dhe Arbeni nga ana  majë. Dhe kur ka ardhur eksperti i balistikës në gjyq, unë i kam bërë pyetje se në çfarë distance është gjuajtur kjo veturë dhe nga cila anë. Tha mundet të jetë prej 2 deri në katër metra distancë dhe është gjuajtur vetëm nga ana e djathtë. Me këtë deklaratë ka rënë komplet akuza, sepse ka dalë në rrenë Blerimi sepse, nuk është gjuajtur me tri armë por vetëm nga ana e djathtë”, ka shpjeguar ai.  

Po ashtu, Halilaj ka theksuar, se edhe provat për këtë rast janë zhdukur, apo edhe janë montuar vetëm për t`i dënuar vëllezërit Ramadani e Kiçina.  

“Incizimi është bërë me një kamerë të thjeshtë dhe shihet xhirimi që ndërpritet në shumë raste.  Çka është edhe më interesant, Blerimi thotë “Erdh Skenda”,  ndërsa polici i huaj hetues pyet: “Skënder Halilaj?” , ia plotëson fjalinë. Unë e kam pyetur se ku pati dijeni hetuesi se është fjala pikërisht për Skender Halilajn. Kjo të jep të kuptohet se skenarin e kanë bërë Policia.  Tek unë s`kanë mundur të kapen. Supremja thotë se për Skender Halilajn,  Blerim Kiçina ka gënjyer ndërsa për Arsimin, Burimin e Arbenin ka mundur ta tregoj të vërtetën.  Çdo provë që ka qenë, e kanë zhdukur kur na kanë arrestuar, d.m.th i kanë zhdukur rezultatet e provave për t`i lënë fajtorë këta djemtë”, ka nënvizuar ai.  Halilaj ka thënë se nëse rasti rikthehet në gjykim, është i gatshëm të dëshmoj për këtë rast.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat