Aktivitetet e “Ujqve” në veri ishin sportive, por Maxhuni e pranon se nuk ishte gjithçka në rregull

Aktuale

Aktivitetet e “Ujqve” në veri ishin sportive, por Maxhuni e pranon se nuk ishte gjithçka në rregull

Më: 13 shkurt 2017 Në ora: 13:07
Raportimi i Maxhunit te Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës

(E plotësuar) - Aktivitetet e një grupi në veri të Kosovës, që u raportuan se ishin stërvitje nga një formacion ushtarak serb, sipas drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni, ishin sportive dhe jo ushtarake dhe se ishte monitoruar nga Policia e Kosovës.

Megjithatë, ai tha se kishte edhe gjëra që nuk ishin krejtësisht normale, siç ishte flamuri i Serbisë në atë aktivitet. 

Kreu i Policisë gjatë raportimit para Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje te FSK-së rreth situatës në veri, tha se nga informacionet që kanë, tha se bëhet fjalë për një aeroklub që ka për qëllim promovimin e sportit, dhe se nuk ka të bëjë me ndonjë stërvitje ushtarake.

Maxhuni tha se themeluesi i kësaj organizate është Momçillo Arllov dhe ka dokumentacionin e Republikës së Kosovës.

Maxhuni: Në veri bëri nuk pati formacione ushtarake

“Nga informacionet që ne kemi, të verifikuara me lejoni të konstatoj se bëhet fjalë për një aeroklub, klubi ‘Ujqit’, e cila është e regjistruar si organizatë jo qeveritare e pavarur, jo fitimprurëse dhe sipas saj qëllimi është të promovojë kryesisht disiplina sportive. Nga informacione që kemi verifikuar nga institucione të Kosovës kjo OJQ është e formuar sipas ligjit për bashkëpunim të OJQ-ve. Organizata në fjalë operon në veri të Mitrovicës, udhëhiqet nga Momçillo Arllov i lindur me 15. 02. 1976, origjina e tij vjen nga Kroacia dhe banon në Mitrovicën veriore që nga viti 1996”, tha Maxhuni.

Ai tha se Arllov posedon edhe letërnjoftimin e Kosovës, derisa pas verifikimit të të dhënave për të kaluar kriminale, në sistemin e Poliicisë nuk figuron se ka të kaluar kriminale.

Maxhuni tha se pajisjet që përdor kjo OJQ nuk janë armë zjarri dhe këto pajisje shfrytëzojnë sfera plastike si municion.

Maxhuni tha se veshjet që ka përdorur ky grup janë blerë në ‘Melodia PX’ dhe janë pronë individuale. Sipas tij, pajisjet janë verifikuar nga Forenzika dhe nuk janë armë, edhe pse duken si të tilla.

Maxhuni: Aktivitetin e kësaj organizate Policia e monitoroi nga afër

“Bazuar në statusin e kësaj OJQ-je, mjetet që përdorën për këtë veprimtari janë një kategori pajisjesh që quhen përsëritëse dhe nuk janë armë zjarri dhe këto pajisje është interpretuar që është autorizuar nga Poicia. Unë mund të konfirmoj se ka qenë dokument njoftues i asaj organizate e që është procedurë standarde, është deponuar në stacionin policor të Leposaviqit dhe kjo vulë është vulë protokolare e Policisë  me rastin e çfarëdo informimi në Polici  dhe nuk bëhet fjalë për asnjë autorizim, sepse s’ka nevojë për autorizim...Kjo nënkupton se ky aktivitet është monitoruar për së afërmi nga Policia  dhe po ashtu nga raportet zyrtare që ne kemi marr ato pajisje para aktivitetit sportiv janë kontrolluar fizikisht nga policët  që kanë qenë prezent në ngjarje ”, theksoi ai. 

Aktiviteti i kësaj organizate sipas Maxhunit është mbajtur në muajin gusht të vitit 2016, saktësisht nga data 19 deri më 21 gusht 2016.

Ai tha se fotot që janë publikuar në media nuk kanë qenë në territorin e Kosovës, por nga një aktivitet tjetër në Serbi.

Kreu i Policisë, tha se aktualisht në Kosovë janë një numër jashtëzakonisht i madh i OJQ-ve të regjistruara, që arrijnë në 9 mijë, derisa vetëm nga të huajt janë të regjistruara diku 400 OJQ.

Derisa, ka kërkuar revokimin e licencës për këtë OJQ, pasi kanë kuptuar se themeluesi i kësaj organizate, ka të kaluar kriminale jashtë territorit të Kosovës.

Maxhuni: Kemi kërkuar revokimin e licencës për këtë organizatë

“Ne jemi në koordinim e sipër edhe me institucionet tjera relevante dhe thjeshtë kam bërë një sugjerim që të rishikohet dhe eventualisht të merret në konsideratë për revokim të certifikatës së kësaj organizate. Tani ligjërisht funksionimi i kësaj OJQ-je është në rregull sepse posedon të gjitha dokumentacionet e nevojshme, licencën , numrin fiskal, por si shkas ne konsiderojmë profilin e Arllov i cili del të jetë i involvuar në aktivitete kriminale jashtë territorit të Kosovës për të cilin Policia ka mësuar shumë vonë, jo për fajin tonë”, u shpreh Maxhuni.

Anëtarët e komisionit për Siguri patën një varg pyetjesh për Maxhunin me fokus situatën në veri.

Deputeti i LDK-së Anton Quni, tha se në veri kanë qarkulluar lajme se po stërvitet një grup njerëzish me uniforma, armë e të tjera, gjë që ka krijuar një dozë paniku. Derisa, në formë humori Quni tha se si njerëz me të kaluar ushtarake, nuk kanë fort qejf të flasin për armë lodra, sepse aktiviteti i kësaj organizate nuk ishte për relaks.

Quni: Kjo organizatë nuk e ka këtë sport për relaks apo atraksion

“Ne jemi këtu me prejardhje apo ‘beckground’ ushtarak kemi pasur e përdorur armë e tjera, dhe na vjen bukur mërzi të merremi me lodra. Të njëjtit rrugëtim e kanë edhe disa djem të kësaj organizate. Janë të njohur që nga Knini, Bosnja, Kosova e tjera edhe jam më se i sigurt që nuk e kanë këtë sport për relaks apo atraksion”, tha Quni.  

Ndërsa, për  deputetin  Rexhep Selimi, gjendja e paraqitur në veri nga drejtori i Policisë nuk duket të jetë normale.

Selimi: Situata nuk ishte krejtësisht sportive

“Nuk besoj se  do të duhej të ishim krejt në rregull, ishte një operacion sportiv dhe ne të bëhemi avokat sportiv sepse edhe qëllimi edhe shpërndarja e tyre edhe dalja e tyre po dihet se çfarë qëllimi kanë. Prandaj shpresoj se ju do t’i merrni masat adekuate, nuk dyshoj në qëllimin tuaj, ndoshta dyshoj në diçka tjetër, kapacitetet, dyshoj në mundësinë por nuk dyshoj në qëllimin që keni”, tha Selimi.

Jo normale krejt ato skena nuk iu kanë dukur as drejtorit të Policisë Shpend Maxhuni.

Maxhuni: Pajtohem, nuk ishte e tërë ngjarja në rregull

“Jo, pajtohem plotësisht që e tërë ngjarja nuk duket të jetë në rregull dhe për këtë arsye i jam drejtuar ministrit kompetent që ta shqyrtoj revokimin e licencës për këtë aeroklub. Çka nuk më duket në rregull për mua, tash bartja e veshjeve të kamufluara të uniformës  nuk sanksionohet, nuk parashihet me ligj që sanksionohet. E shpjeguam edhe çështjen e këtyre pajisjeve që duken në shikim të parë që janë armë, as kjo nuk sanksionohet. Për ne çka është e papranueshme për çka është iniciuar procedurë mbajtja e flamurit të Serbisë në territorin e Kosovës”, tha Maxhuni.

Maxhuni, u pyet edhe rreth gjendjes së stacioneve policore, për të cilat tha se disa janë në gjendje të rëndë dhe që po paraqesin pengesa në realizimin e punës së Policisë së Kosovës.

Maxhuni u pyet edhe për urdhërdhënësin për ndalimin e trenit të nisur nga Beogradi. Ai tha se vendimin për ndalimin e trenit e kanë marr krerët institucional, derisa urdhrin për dërgimin e njësive të Policisë në veri e ka dhënë drejtori i përgjithshëm i Policisë.

Krejt në fund, kryetari i këtij komisioni, Daut Haradinaj, pyeti Maxhunin, nëse dorëheqja e shefit të AKI-së, Agron Selimaj ishte për shkak të mosbashkëpunimit me institucionet tjera rreth informacioneve për trenin e nisur nga Beogradi. Por, Maxhuni tha se sikurse të gjitha informatën për dorëheqjen e tij e ka marr përmes mediave, porse ka theksuar se kanë bashkëpunim të mirë me AKI-në.

Maxhuni: Urdhrin për ndaljen e trenit serb e dhanë krerët e institucioneve të Kosovës

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, tha se urdhri për ndaljen e trenit propagandues serb e kanë dhënë krerët institucionalë të Kosovës.

Ndërsa urdhrin për të shkuar PK-ja në veri tha se e ka dhënë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë.

Kjo deklaratë e Maxhunit erdhi si përgjigje ndaj pyetjes së deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi në Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Maxhuni: Stërvitjet në veri nuk ishin ushtarake por sportive

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni po raporton para Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje te FSK-së rreth situatës në veri.

Deputeti Anton Quni, tha se në veri kanë qarkulluar lajme se po stërvitet një grup njerëzish me uniforma, armë e të tjera, gjë që ka krijuar një dozë paniku.

Quni ka kërkuar nga drejtori që ta sqarojë gjithë këtë situatë në veri të vendit.

Ndërsa drejtori i PK-së, Shpend Maxhuni, tha se nga informacionet që kanë konstatoi se bëhet fjalë për një aeroklub që ka për qëllim promovimin e sportit, dhe se nuk ka të bëjë me ndonjë stërvitje ushtarake.

Maxhuni tha se themeluesi i kësaj organizate e ka dokumentacionin e Republikës së Kosovës.

Kreu i PK-s tha se pajisjet që përdor kjo OJQ nuk janë armë zjarri dhe këto pajisje shfrytëzojnë sfera plastike si municion.

Maxhuni tha se veshjet nga ky grup janë blerë në Melodia PX dhe janë pronë individuale.

Sipas tij, pajisjet janë verifikuar nga forenzika dhe nuk janë armë edhe pse duken si të tilla.

Aktiviteti i kësaj organizate sipas Maxhunit është mbajtur në muajin gusht të vitit 2016.

Ai tha se fotot që janë publikuar në media nuk kanë qenë në territorin e Kosovës, por nga një aktivitet tjetër në Serbi.

Drejtori i Policisë raporton para Komisionit (Drejtpërdrejt)

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni raporton sot para Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat