Dy të rinj serbë rrahin keq me shkopinj druri shqiptarin në Mitrovicë

Aktuale

Dy të rinj serbë rrahin keq me shkopinj druri shqiptarin në Mitrovicë

Më: 22 shkurt 2017 Në ora: 14:58
Sadat Habib Rama

Është sulmuar fizikisht nga dy të rinj serb, të martën rreth orës 16:00, banori i “Kroit të Vitakut”, Sadat Habib Rama. Ai ishte qëlluar me shkopinj prej druri disa herë në gjoks dhe pjesët tjera të trupit përderisa ka mbetur i alivanosur në rrugë,

Viktima Sadat Rama, i cili rastin e ka paraqitur në stacionin verior të policisë dhe kishte ardhur në komunën e Mitrovicës Jugore për të njoftuar drejtuesit e komunës, me ç’rast edhe është pritur nga nënkryetari Faruk Mujka.

Rama i tha nënkryetarit Mujka, se ngjarja ka ndodhur në hyrje të lagjes veriore “Lugina e Doktorëve”, para ndërtesës së ngritur nga Qeveria e Serbisë për të akomoduar serbët e ardhur nga Kroacia dhe të tjerët, në hyrje të lagjes së lartpërmendur.

“Isha duke u kthyer në shtëpi rrugës që kalon nëpër “Luginën e Doktorëve”, kur papritmas më janë ofruar dy të rinj që flisnin serbisht dhe kanë filluar së pari të shajnë e pastaj të më qëllojnë me shkopinj prej druri nëpër tërë trupin. Më kanë goditur përderisa jam rrëzuar në tokë dhe jam alivanosur, duke mbetur aty për disa minuta i shtrirë, pa më ofruar askush ndihmë”, tha ai.

Viktima  Rama bëri të ditur se ka kërkuar ndihmën e mjekut në QKMF-në në pjesën jugore të qytetit, ku ai ka konstatuar lëndimet serioze trupore.

Incidentin ndëretnik që ka ndodhur pas një kohe bukur të gjatë, e kanë dënuar ashpër kryetari i komunës, Agim Bahtiri dhe nënkryetari, Faruk Mujka. Kryetari Bahtiri ka kërkuar nga policia e Kosovës dhe organet e hetuesisë që rasti të zbardhet sa më shpejtë dhe që sulmuesit të kapen e të qiten para drejtësisë për të marrë dënimin e merituar.

“Të gjithë duhet t’i dënojmë rastet e këtilla të incidenteve ndëretnike, sepse ato mund ta përkeqësojnë situatën e sigurisë, e cila ka një kohë të gjatë që ishte e qetë dhe mjaftë stabile, falë kontributit të vet qytetarëve të të gjitha përkatësive etnike para së gjithash, drejtuesve të komunës, policisë së Kosovës  dhe të institucioneve tjera. Unë edhe me këtë rast ftoj qytetarët që të mos bëhen pre e njerëzve keqbërës  me prirje kriminale, që kanë ëpr qëllim destabilizimin e situatës”, tha ndër ët tjera kryetari Bahtiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat