Lajçi e quan politik Komisionin për matje të territorit

Aktuale

Lajçi e quan politik Komisionin për matje të territorit

Më: 23 shkurt 2017 Në ora: 01:00
Ali Lajçi

Ali Lajçi, ish-anëtar i Komisionit Shtetëror për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, e ka quajtur komision politik, komisionin e ekspertëve të thirrur nga Qeveria për matjen e territorit të Kosovës.

Ai thotë se komisioni ishte krejtësisht politik dhe komision që ishte thirrur vetëm që të vërtetonte variantin aktual të kufijve, të cilin Lajçi e quan të dështuar.

“Që në fillim e kemi marrë këtë komision si komision i stisur, komision farsë për qëllime krejt politike, sepse donte të vërtetonte edhe njëherë variantin, të cilin e konsideroj të dështuar në të gjitha pikëpamjet. Ky komision u angazhua për t’i dhënë shkas që të futet sërish në Kuvend për ratifikim”, ka thënë ai në Interaktiv.

“Ani pse këtu ka të bëjë politika shtetërore, ky komision shërbeu si strukturë. Hivzi Islami ishte njëri që mori pjesë më 3 gusht në debat dhe tregoi qasjen e vet se ishte pro atij komisioni, dhe Tomor Qela që dihet tashmë puna e tij. Këta dy ishin bazë e komisionit dhe komisioni nuk e ka as legjitimitetin”.

Lajçi thotë se përzgjedhja e metodës kadastrale për matjen e territorit të Kosovës është “rrudhje e territorit, ashtu siç ndodhi me Malin e Zi”.

“Prona private nuk e përcakton vijën e kufirit shtetëror. Sepse sovraniteti i shtetit varet nga pronat shtetërore. Aty nuk jepet një vijë kufitare të ligjshme, por japin një vijë të tkurrjes të territorit”, ka shtuar ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat