Qela: Ata që shpalosin fakte nëpër holle të hoteleve janë të ndikuar nga politika

Aktuale

Qela: Ata që shpalosin fakte nëpër holle të hoteleve janë të ndikuar nga politika

Më: 24 shkurt 2017 Në ora: 10:06
Zëdhënësi i komisionit theksoi se Kosova deri para gushtit të vitit 2015, ka pasur 10 mijë e 908 kilometra katrorë, por pas matjes që ata kanë bërë, kanë gjetur në dy zona kadastrale në pjesën e kufirit me Maqedoninë se ka minus sipërfaqe, por jo edhe në pjesën kufitare mes Kosovës e Malit të Zi.

(E plotësuar) -  Komisioni Qeveritar për matjen e territorit ka rikonfirmuar se Kosova nuk humb territor me marrëveshjen aktuale për shënimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Zëdhënësi i këtij komisioni  për matjen e territorit Tomor Qela tha se Kosova ka 10 mijë e 905.25 kilometra katrorë.

Qela në një konferencë për media theksoi se Kosova deri para gushtit të vitit 2015, ka pasur 10 mijë e 908 kilometra katrorë, por pas matjes që ata kanë bërë, kanë gjetur në dy zona kadastrale në pjesën e kufirit me Maqedoninë se ka minus sipërfaqe, por jo edhe në pjesën kufitare mes Kosovës e Malit të Zi.

Qela: Kosova nuk humb territor

“Para gushtit të vitit 2015 territori i Kosovës sipas gjithë dokumentacionit ka qenë 10 mijë e 908 kilometra katrorë. Mirëpo, në bazë të obligimeve ndërkombëtare që ka marr shteti ynë në radhë të parë nga plani i Ahtisarit, po e përmend aneksin 8, paragrafin 3, pikën 2 të kësaj marrëveshje që shpjegon procesin e demaskimit mes RSFJ-së dhe republikës së Maqedonisë, kemi vërejtur se ka një ndryshim të vogël të sipërfaqes, në zonën Debëllde që ka minus, zonën e Restelicës që ka minus të sipërfaqes dhe sipërfaqen e Dimcës që ka rritje të sipërfaqes. E gjithë kjo është në pjesën e segmentit të kufirit mes Kosovës dhe Maqedonisë. Prandaj në bazë të gjithë këtyre gjetjeve është vërtetuar se territori i Kosovës është 10 mijë e 905.25 kilometra katror”, tha Qela.

Qela ka siguruar se edhe pas demarkacionit me Serbinë, territori i Kosovës do ta ketë këtë madhësi dhe nuk do të lëvizë për asnjë metër.

Derisa, Qela po mbante konferencën për media, në një vend tjetër, grupi i ekspertëve të pavarur po shpaloste fakte të reja se Kosova humb territor.

Por, Qela ka ftuar personat tjerë që kanë kundërshtuar këtë proces që të shkojnë në sallën e Qeverisë ku janë ekspozuar materialet dhe ta nxjerrin një përfundim së bashku.

Qela: Ftoj kundërshtuesit të diskutojmë bashkë

“Komisioni fton personat e tjerë që tash e disa muaj kanë ngritur dilema dhe pretendime rreth këtij procesi që kontributin e tyre dhe prezantimin e çdo fakti, dokumenti të vijnë këtu në sallën ku është i ekspozuar dokumentacioni publik të diskutojmë së bashku dhe të nxjerrim një përfundim mbi faktogfrafinë të cilën ne e posedojmë dhe faktografinë të cilën ata e kanë në dispozicion”, tha Qela.

Madje, ai i ka ftuar ata që faktet të mos shpalosen nëpër holle të hoteleve e restoranteve,  por në institucionet e shtetit.

Qela: Mos i shpalosni faktet në holle të hoteleve

“Edhe një herë bëjë ftesë publike që dokumentacioni zyrtar, argumentet shkencore, faktografia dhe informacionet e tjera mos të shpalosën në holle të restoranteve dhe hoteleve dhe ambienteve tjera afariste por të shpalosen aty ku është vendi, ku është themeli i shtetit, institucioni që duhet t vazhdon dhe procedoj me këtë çështje deri në verifikimin përfundimtar”, shtoi ai.

Qela u është përgjigjur edhe akuzave se komisioni për matjen e territorit është politik, duke thënë se prezantimi i fakteve nëpër holle të restoranteve është ndikim politik.

Qela: Ndikim politik kanë ata që po shpalosin fakte në holle të hoteleve

“Unë konsideroj që prezantimi i fakteve në holle të restoranteve është ndikim politik... Ne nuk e konsiderojmë vetën si pjesë e pozicioneve politike, për ne nuk ka qenë privilegj nuk mbetet as për të ardhmen, ka qenë përgjegjësi dhe mbetet përgjegjësi për punën profesionale dhe shkencore që kemi bërë deri tash ”, tha ai.

Qela shtoi se për këto tri ditë sa kanë diskutuar me publikun në ndërtesën e Qeverisë për faktet rreth matjen e territorit, ka pasur vizitorë edhe nga fshatrat që preken nga demarkacioni, por se nuk kanë deponuar fakte që tregojnë se Kosova humb territor.

Qela: Banorët s’kanë sjell dokumente

“Ata banorë të asaj zone, siç kemi pasur nga Bogaj, Haxhaj që kanë ardhur prej atje nuk kanë deponuar në sekretariatin tonë asnjë dokument që dëshmon një gjë të tillë. Kanë shpalosur disa aktvendime të gjykatave mirëpo ato kanë qenë të deponuara edhe më herët, por ne nuk kemi mundur të sigurojmë përputhshmëri të atyre dokumenteve më të dhënat zyrtare që kemi ne”, tha ai.

Ndërsa i pyetur nëse i kanë ndihmuar Qeverisë që t’i bind deputetët e saj për ta votuar këtë marrëveshje të demarkacionit, Qela tha se nuk e kanë pasur përgjegjësi ta bindin asnjë deputet, por kanë pasur përgjegjësi matjen e territorit dhe kryerjen e një pune shkencore.

Image

Ekspertët për matjen e territorit rikonfirmojnë, Kosova ka 10 mijë e 905.25km2

Komisioni i ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës, sot përmes zëdhënësit Tomor Qela konfirmuan përmes një konference për ditën e sotme si të fundit për konsultime lidhur me raportin për matjen e territorit.

Qela tha se ata ftojnë të gjithë personat që kanë kundërshtuar këtë proces që të vijnë në sallën e qeverisë ku janë ekspozuar materialet dhe ta nxjerrin një përfundim. Ai shtoi se Komisioni ka pasur një shkallë absolute të transparencës.

Tomor Qela tha se i tërë procesi është monitoruar nga përfaqësuesve të ambasadës së SHBA-së, BE-së dhe KFOR-it.

Përndryshe, nga Komisioni u rikonfirmua edhe njëherë se territori i Kosovës është 10 mijë e 905.25 kilometra katror.

Konferenca e komisionit për matjen e territorit (Drejtpërdrejt)

Komisioni i ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës mban konferencë për medie.

Gjatë tre ditëve, institucionet, shoqëria civile dhe qytetarët kanë mundur të informohen lidhur me faktet që ka gjetë ky komision, si dhe të ofrojnë vërejtjet e tyre në lidhje me vijën kufitare të Kosovë, konkretisht në pjesën mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat