Nisma nuk do të lejojë askënd të bëjë pazare me Kosovën

Aktuale

Nisma nuk do të lejojë askënd të bëjë pazare me Kosovën

Më: 25 shkurt 2017 Në ora: 15:24
Kryetari i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj

(E plotësuar) - Nisma për Kosovën ka shënuar tre vjetorin e themelimit. Në një konventë solemne, krerët e kësaj partie akuzuan pushtetin aktual se po i shesin interesat e Kosovës për të shpëtuar vetën. Sipas tyre, Kosova ka mbetur pa zot shtëpie, derisa kjo qeveri do të mbahet mend me tri gjëra që janë në dëm të interesave të Kosovës, Asociacioni, Demarkacioni dhe Gjykata Speciale.

Kryetari i këshillit Kombëtar të Nisma për Kosovën, Jakup Kraniqi ka akuzuar pushtetin se me funksionim autoritar është bërë pengesë për ndërtimin e një shteti të së drejtës.

Por, sipas tij, gjatë historisë shqiptarët kanë treguar se dinë t'ia dalin mbarë edhe në rrethana më të vështira, edhe në rrethana robërie.

Krasniqi: Funksionimi autoritar i koalicionit qeverisës po e ngulfatë vendin

“Funksionimi autoritar dhe aspak demokratik në radhët partive të koalicionit qeverisë, sundim autoritar që është bërë në institucionet e shtetit, sidomos pas pavarësisë, është bërë pengesë për ndërtimin e Kosovës si shtetit të së drejtës. Autoritarizmi, despotizmi, tirania, nepotizmi dhe të gjitha mënyrat demokratike të funksionimit e ngulfatin aspiratën për funksionimit të një shteti të së drejte”, tha Krasniqi.

Ish kreu i Kuvendit, shtoi me tutje se Nisma socialdemokrate, së bashku me qytetarët, duhet të ndahen nga politika që nuk prodhon stabilitet, e që nuk ka zemër që t’i ndjejë brengat e qytetarëve.

Image

Krasniqi: Me këta dinak e mashtrues, Kosovën nuk e presin zhvillime pozitive

“Nisma socialdemokrate për Kosovën, duhet të ndahet qartazi dhe pa ekuivoke nga politika dinake e finoke, mashtruese e denigruese, e cila politikë po e degradojnë e cenojnë rënd lirinë, demokracinë, sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Republikës sonë. Të gjitha zhvillimet edhe këto të këtij viti, e konfirmojnë këtë, por asnjë zhvillim politik, demokratik a ekonomik, me këta dinak e mashtrues që kemi në krye të shtetit, as sot e as në vazhdim, nuk na presin zhvillime pozitive e progresiste, Kosovës i duhet zhvillim progresist”, theksoi ish kreu i Kuvendit.

Ndërsa, në anën tjetër kryetari i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj theksoi se pushtetarët ia kanë humbur dinjitetin shtetit. Por, me lot në sy, Limaj tha se duhet t’ia kthejnë dinjitetin këtij shteti, në mënyrë që nipat dhe mbesat e tyre të krenohen me Kosovën e tyre.

Limaj: Kosova ka mbetur pa zot shtëpie

“Unë dua dhe siç doni edhe ju, që nipi im Andri dhe mbesa ime Lala, të krenohen me Kosovën e tyre. Unë dua që edhe heronjtë tanë, që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, familjet e tyre, nesër të thonë që vëllai im, babai im, nëna ime ka pasur për çka të jap jetën. Dhe ajo bëhet kur t’ia kthejmë dinjitetin vendin tonë. Për pesë vite ky dinjitet është rrënuar për toke. Kosova ka mbetur si vend pa zot, pa drejtues, fyhet, përçmohet atdheu jonë, luhet me vendin tonë. Shkohet bisedohet pa asnjë kusht me xhelatin tonë, janë qindra mijëra njerëz që nuk dihet për fatin e tyre, e ata puthen në Bruksel pa pasur asnjë kusht ndaj atyre që i shkaktuan kaq shumë vuajtje atdheut tonë”, tha Limaj.

Qeveria e Kosovës, sipas Limajt do të mbahet mend me tri gjëra të dëmshme për interesin e vendit. Por, tha se nuk do të lejojnë të bëhet pazare me vendin.

Limaj: Tri gjëra me të cilat do të mbahet mend kjo qeveri

“Për çka do të mbahet në mend kjo qeverisje për këto katër vite, Asociacionin, Gjykatën Speciale, Demarkacionin, për këto gjëra do të mbahet mend, të gjitha të dëmshme dhe në kundërshtim me interesat e vendit. O zot çfarë energjie kanë këta njerëz kundër vendin të tyre. Kur të vijnë këtu bëhen si djalli para qytetarëve të vet, kur të dalin jashtë e ulin kokën si qengji, sa të vogël bëhen kur të shkojnë atje, e kur të vijnë këtu rrahin gjoks. Kosova është në rrezik, këta janë kthyer në kërcënim për vendin tonë, këta fatin e Kosovës e kanë lidhur me fatin e tyre individual dhe janë të gatshëm që interesat e Kosovës në çdo kohë t’i bëjnë pazar vetëm të shpëtojnë vetën e tyre, e ne nuk do t’i lejojmë, askush nuk mund të bëjë pazar me Kosovën”, theksoi ai.

Duke qenë se këtë vit Kosova do të zhvillojë zgjedhjet lokale, Limaj ka ftuar të gjitha degët që të nisin punën për t’u përgatitur sepse sipas tij, Nisma do të jetë në qeverisje edhe lokale, edhe qendrore.

Limaj: Pushtetarët janë kthyer në kërcenin për vendin

Kryetari i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj ka deklaruar se Kosova ende ka mijëra të pagjetur derisa pushtetarët shkojnë dhe puthen në dialogun e Brukselit. Sipas tij, këta pushtetar janë kthyer në kërcenin për vendin sepse fatin e Kosovës e kanë lidhur me fatin e tyre.

Në përvjetorin e tretë të themelimit të Nismës për Kosovën, Limaj tha para simpatizantëve se ata ishin nismëtar të bashkimit të opozitës, ishin ata që nuk lëshuan pe dhe se deputetët e Nismës në Kuvend nuk pranuan shantazheve e joshjes duke i qëndruar besnik parimeve të veta.

Limaj shtoi se jo rastësisht kanë vënë slloganin “Ne mbajmë fjalën”, sepse ata mbajnë fjalën dhe nuk i thejnë parimet e tyre në dëm të Kosovës.

Ai tha se koalicioni qeverisës e ka bastarduar politikën në vend duke shitur mashtrimin si vlerë.

Limaj shtoi se po vjen koha se do të dihet kush janë hajnat e vërtetë dhe po vjen koha e çkapjes së drejtësisë.

Sipas Limajt, po vjen koha e drejtësisë dhe se ky shtet do të bëhet por pa ata që po qeverisin por me djemë e vajza të reja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat