11 të burgosur në Dubravë tentuan të vetëvriten

Aktuale

11 të burgosur në Dubravë tentuan të vetëvriten

Më: 16 mars 2017 Në ora: 14:41
Tryeza e KMDLNj gjatë publikimit të Raportit për monitorimin e qendrave të ndalimit, qendrave të paraburgimit dhe për qendrat korrektuese për vitin 2016.

Të dënuarit nëpër burgjet e Kosovës ankohen për trajtim jo të duhur dhe jo korrekt nga Shërbimi Korrektues i Kosovës. Këto ankesa më të shprehura kanë qenë në burgun e Dubravës, në burgun për Siguri të Lartë në Gërdoc si dhe në Lipjan.

Kështu u tha në tryezën e organizuar nga KMDLNJ gjatë publikimit të Raportit për monitorimin e qendrave të ndalimit, qendrave të paraburgimit dhe për qendrat korrektuese për vitin 2016.

Ndër të gjeturat e këtij raporti janë kontrabanda, korrupsioni, diskriminimi, ndikimi politik dhe nepotizmi nëpër burgje.  Gjithashtu në bazë të këtij raporti kanë qenë 11 raste të tentim vrasjeve.

Ankesa sa i përket trajtimit jo të duhur ndaj të burgosurve ka pasur në burgun e Dubravës dhe në burgun e Sigurisë së Lartë në Gërdoc. 

Problematike mbeten edhe pozitat udhëheqëse nëpër Qendra Korrektuese me ushtrues detyre. Si e gjetur në këtë raport është edhe ndikimi politik në Qendrat Korrektuese.

Përfaqësuesja nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut(KMDLNj), Valentina Demolli tha se të gjeturat kryesore sa i përket këtij monitorimi një vjeçar në të gjitha Qendrat Korrektuese dhe të paraburgimit në Kosovë kanë të bëjnë me ankesat e njerëzve të privuar për trajtim jo të duhur dhe jo korrekt.

Demolli: Kontrabandë, korrupsion, diskriminim dhe tentim vrasje nëpër burgje

 “Gjithashtu ka ankesa se ka korrupsion, nepotizëm, diskriminim të standardeve të dyfishta në aplikimin e regjimit të avancuar, por edhe të privilegjeve... Në vitin 2016 janë regjistruar rreth 11 tentim vrasje në Dubravë... Gjithashtu kontrabanda dhe korrupsioni kanë qenë të shprehura edhe gjatë këtij viti, kjo dukuri ka qenë më e shprehur në  qendrën korrektuese në Dubravë”, theksoi Demolli.

Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj, tha se pavarësisht të gjeturave, Shërbimi Korrektues do të punojë ngusht me të gjithë mekanizmat për evitimin e parregullsive dhe trajtimit më mirë të të burgosurve. Ai nuk kam mohuar se nuk ka korrupsion, kontrabandë dhe nepotizëm nëpër burgje.

Zogaj: Ka kontrabandë dhe korrupsion nëpër burgje

 “Unë asnjëherë nuk kam  thënë se nuk ka kontrabandë në Shërbimin Korrektues të Kosovës. mundem me thënë se në burgun e Sigurisë së Lartë jemi model jo vetëm për regjion, por edhe për Evropë që kontrabanda është zero. Sa i përket burgut në Dubravë është e vërtetë se ka kontrabandë, por është një fenomen që tani 50 përqind e kontrabandës parandalohet... Jemi pjesë e kësaj shoqërie nuk po them se nuk ka korrupsion, oficerët të cilët janë marrë me çështje të tilla një pjesë e tyre janë të dënuar një pjesë e tyre janë duke mbajtur dënimin dhe ne jemi të fokusuar në bashkëpunim me policinë që ata njerëz të dyshimtë t’i identifikojmë dhe të mos kemi raste të tilla.... Unë nuk kam ndikim prej askujt sinqerisht po iu them”, deklaroi Zogaj. 

Kryetari i KMDLNj, Behxhet Shala, tha se raporti monitorues ka karakter rekomandues për përmirësimin e kushteve në Qendrat Korrektuese.

Sipas tij, të gjeturat janë të njëjta sikur ato të viteve paraprake. Ai shtoi se përkundër shumë problemeve që janë në Qendrat Korrektuese, ato ofrojnë kushte dhe trajtime më të mira se në vendet e rajoni dhe në vendet e zhvilluara.  

Shala: Ka probleme në burgjet e Kosovës, por jemi më mirë se rajoni

“Unë po e them ,përkundër 100 mijë problemeve që i ka Shërbimi Korrektues i Kosovës në burgje, besoni ne jemi shumë më përpara se në Shqipëri, në Maqedoni se në Serbi. Jemi shumë përpara edhe në aspektin  e trajtimit të personave të privuar nga liria, por edhe në aspektin e krijimit të kushteve fizike”, deklaroi Shala. 

Ai tha se me këtë raport dëshirojnë ta paraqesin një realitet nëpër burgje, i cili raport çon drejt një përparimi në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Në këtë raport thuhet se Burgu i Sigurisë së Lartë pavarësisht se është një objekt i ri i lëshuar së voni në funksion ka disa probleme sa i përket dyshemeve si dhe për çarjet nëpër korridoret e këtij objekti. Në kuzhinën  e këtij, burgu ka lagështi dhe myk. Po ashtu kushte të mira fizike nuk ofron as objekti i burgut të Dubravës.

Sipas raportit, infrastruktura aktuale nuk është më e mira e mundshme, sidomos nuk ka infrastrukturë adekuate për personat të cilët janë me aftësi të kufizuar. Këta persona në përgjithësi janë të vendosur në Qendrën Korrektuese në Dubravë.

Dhe kjo qendër nuk i plotëson kushtet fizike për trajtimin e këtyre personave ose për vendosjen e këtyre personave me aftësi të kufizuara. Po ashtu Shërbimi Korrektues ka edhe një mungesë e cila ka të bëjë me trajtimin profesional për personat me aftësi mendore.

Në raportin monitorues të KMDLNj-së janë evidentuar 59 rekomandime për institucionet përkatëse lidhur me burgjet e Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat