Pesha e rëndë e çantave nuk ka ndikim afatgjatë në shëndetin e fëmijëve

Aktuale

Pesha e rëndë e çantave nuk ka ndikim afatgjatë në shëndetin e fëmijëve

Më: 23 mars 2017 Në ora: 13:04
Përfaqësuesit e Institutit EdGuard

Pesha e çantave tek fëmijët e ciklit të ulët e tejkalon kufizimin e këshillueshëm prej 10 përqind të peshës së trupit, por që nuk ka ndonjë ndikim afatgjatë në shëndetin e fëmijëve. Këto janë rezultatet e hulumtimit të bërë nga instituti EdGuard me temën “Ndikimi i peshës së çantave tek fëmijët e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta”.

Sipas përfaqësuesve të Institutit EdGuard, qëllimi i këtij hulumtimi ka qenë ofrimi i të dhënave empirike rreth peshës së çantave tek fëmijët e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta dhe ndikimin e mundshëm në shëndetin e fëmijëve.

Si mostër në këtë hulumtim kanë qenë 275 nxënës, nga klasa e parë deri në klasën e nëntë të shkollave fillore dhe të mesme të ulëta. Hulumtimi është bërë për pesë ditë, ku fillimisht është bërë matja e peshës dhe gjatësisë së fëmijëve, matja e çantës dhe matja e librave.

Sipas menaxherit të projektit të institutit EdGuard, Besart Alshiqi, shqetësuese është kalimi i normës së rekomanduar prej 10 përqind të peshës së trupit tek fëmijët e ciklit të ulët.

Alshiqi: Pesha e çantave tek fëmijët e ciklit të ulët e tejkalon normën

 “Së pari sa i përket shëndetit të fëmijëve pesha e çantave tek fëmijët e ciklit të ulët, këtu është shqetësimi sepse e tejkalon normën e rekomanduar prej 10 përqind të peshës së trupit. Mirëpo çka është një e dhënë e rëndësishme është se pesha e çantave nuk ka ndonjë ndikim afatgjatë tek shëndeti i fëmijëve. Pesha e çantës mund të ketë eventualisht pasoja momentale të cilat mund të ndikojnë në koncentrimin e nxënësve në lojën e tyre dhe rrjedhimisht mund të shkaktojë edhe dekoncentrim në mësim. Një fakt kryesorë që ka ndikuar tek ankesat e fëmijëve ka qenë edhe mungesa e aktivitetit fizik, do të thotë kjo është potencuar edhe nga fizioterapeutët të cilët kanë deklaruar se mungesa e aktivitetit fizik është e barabartë në ndikim sikurse edhe pesha e rëndë e çantave. Një shqetësim tjetër është që fëmijët nuk kanë aktivitete të mjaftueshme fizik e në shkollë dhe jashtë saj”, bëri të ditur menaxheri i projektit.

Po ashtu, ky institut paraqiti edhe rekomandimet, të cilat i prezantojë menaxheri i projektit. Ai tha se rekomandimi i parë është të rishikohen tekstet shkollore dhe planprogramet aktuale.

Alshiqi: Të rishikohen tekstet shkollore dhe planprogramet aktuale

“Rekomandimi i parë është të rishikohen tekstet shkollore dhe plan programet aktuale, të reduktohen detyrat e shtëpisë në atë masë sa është minimale e mjaftueshme që nxënësit të kenë një aktivitet të mjaftueshëm në shtëpi. Mësimdhënësit të trajnohen për implementim efikas të plan programit gjatë orëve të mësimit, të rritet numri i orëve të lëndës së edukatës fizike, pasi që kjo ka rezultuar të ketë ndikim mjaft të madh në shëndetin e tyre. Të rishikohet mbarëvajtja e aktiviteteve gjatë orëve të Edukatës Fizike, do të thotë të ketë një plan sistematik që kontribuon në zhvillimin fizik të tyre”, tha ai.

Kurse, Rinor Qehaja, drejtor ekzekutiv i Institutit EdGuard, tha se është hera e parë që në Kosovë ndodh një matje e tillë.

Qehaja: Është hera e parë që një matje e tillë ndodh në vendin tonë

“Është hera e parë që një matje e tillë ndodh në vendin tonë dhe përtej të gjithave edhe qëllimi i mirë i hulumtimit që të ofroj rekomandime për intervenime në ato komponentë ku mendojmë që si në kohë afatshkurtër dhe afatgjatë që të eliminohet ky problem prezent tek fëmijët”, tha ai.

Kurse, Lah Nitaj, këshilltar politik në MASHT, tha se ky hulumtim përkon me punën që bëhet në arsimin e Kosovës. Ai tha se që 15 vite në Kosovë nuk është bërë rishqyrtimi i librave shkollorë.

Nitaj: 15 vite nuk kemi pasur një rishqyrtim të librave shkollorë

“15 vite nuk kemi pasur një rishqyrtim të tyre, një analizë të tyre, që nga përmbajtja, që nga saktësia shkencore, që nga materia, tematika, që nga gjuha, që nga mesazhet që japin, që transmetohen tek të rinjtë tanë. Për këtë vitin e kaluar vitin 2016 është parë e udhës që një proces i tillë duhet përfundimisht të ndodh, në të mirë të shkollës, në të mirë të nxënësve tanë. Për herë të parë ne kemi bërë rishikimin e teksteve mësimore nga klasa e parë deri në klasën e nëntë, përkatësisht atë që është arsim i obliguar. Dhe çfarë kemi gjetur, me çfarë jemi ndeshur, ka qenë një debat për vite që tekstet tona mësimore, shkollore nuk janë cilësore dhe nuk përmbushin nevojat e të rinjve tanë, nxënësve tanë. Nuk janë atraktive madje, dinë të jenë edhe të bezdisshme jo vetëm për nxënësit por edhe për komunitetin e mësimdhënësve”, tha ai.

Ndërsa, Besa Shahini, drejtoreshë e Pneumit për Arsim, tha se tekstet shkollore në Kosovë janë shumë të rëndësishme, për arsye se për shumicën e fëmijëve në Kosovë është i vetmi libër të cilin e kanë në shtëpi.

Shahini: Tekstet shkollore në Kosovë janë shumë të rëndësishme

“Teksti shkollor përveç që është i rëndësishëm natyrisht në proces të mësimit gjithkah nëpër botë, në Kosovë është veçanërisht i rëndësishëm. E para se për shumë fëmijë ky është teksti i vetëm që e kanë në shtëpi, do të thotë nuk kemi shumë libra për fëmijë nëpër shtëpi. Është një studim i UNICEF-it  që tregon që fëmijët nën 5 vjet rreth 56 përqind e tyre nuk kanë asnjë libër për fëmijë në shtëpi. Nëse teksti shkollorë është libri i vetëm që e kanë është e rëndësishme me qenë sa më kualitativ, i qasshëm, me ilustrime të mira, i saktë dhe që përcjellë dije”, tha ajo.

Hulumtimi i bërë nga instituti EdGuard është realizuar me gjithsej 275 nxënës të shkollave fillore dhe të mesme të ulëta. Hulumtimi është bërë për pesë ditë, ku fillimisht është bërë matja e peshës dhe gjatësisë së fëmijëve, matja e çantës dhe matja e librave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat