Telashet e policisë për t’u furnizuar me municion

Aktuale

Telashet e policisë për t’u furnizuar me municion

Më: 11 prill 2017 Në ora: 08:53
ilustrim

Policia e Kosovës ka hasur në shumë telashe për furnizim me municion.

Tenderin e parë për furnizim me municion Policia e kishte hapur në vitin 2015, por kishte arritur ta përmbyllte vetëm në vitin 2016.

Nga pesë llote, Policia kishte arritur që vetëm për njërin të nënshkruante kontratë me një operator ekonomik.

Më 27 gusht të vitit 2015, Policia e Kosovës e kishte iniciuar tenderin për furnizim me municion. Tenderi ishte ndarë në 5 llote (pjesë). Më 23 shtator, Policia kishte bërë njoftim për vazhdim të afatit e aplikimit për këtë tender.

Më 27 tetor të atij viti, Policia kishte njoftuar për anulim të kontratës për furnizim me municion.

“Ky aktivitet i prokurimit për pjesën 1 anulohet në mungesë të dy ofertave të përgjegjshme, kurse pjesa 2 dhe 5 anulohet projekti në mungesë të dy ofertave të pranuara”, thuhet në arsyetimin e anulimit të tenderit.

Policia e Kosovës në muajin nëntor të vitit 2015 e kishte iniciuar edhe një herë tenderin për furnizim me municion (ritender). Në ritenderim, Policia e kishte ndryshuar vlerën e sigurisë së tenderit për pesë llotet.

Në tenderin e parë, siguria e tenderit kishte qenë 10 mijë euro për secilin llot. Ndërsa, në ritenderim, siguria e tenderit për llotin e parë ishte bërë 25 mijë e 400 euro, kurse për llotin e dytë ishte bërë 6 mijë e 700 euro. Për tri llotet e tjera (3, 4 dhe 5), siguria e tenderit ishte zvogëluar në vetëm 1,000 euro.

Në muajin janar 2016, Policia e Kosovës kishte arritur të përmbyllte vetëm njërin nga llotet. Për llotin e parë, Policia e kishte rekomanduar për kontratë kompaninë “Lenti”.

Në njoftimin për dhënie të kontratës, thuhet se “Lenti” kishte ofertuar me 573 mijë e 950 euro. Sipas Policisë, kjo ishte oferta më e lirë e përgjegjshme.

Por, Policia e Kosovës kishte dështuar t’i përmbyllte llotet e tjera të këtij tenderi. Në llotin e dytë i kishte pranuar 2 oferta, në llotin e tretë dhe të katërt i kishte pranuar vetëm nga një ofertë, kurse në llotin 5 nuk kishte oferta të përgjegjshme.

“Ky aktivitet i prokurimit për pjesët 2, 3, 4 anulohet në mungesë të dy ofertave të përgjegjshme, kurse pjesa 5 anulohet projekti në mungesë pranimit te ofertave”, thuhet në njoftimin e anulimit të këtij tenderi, që është publikuar më 20 janar 2016.

Policia e Kosovës kishte bërë edhe një tentim të dështuar për të nënshkruar kontratë për furnizim me municion në muajt e verës të vitit 2016. Tenderin me dy llote e kishte hapur më 1 korrik. Në llotin e parë ishin planifikuar 308 mijë euro për blerjen e municionit, ndërsa për pjesën e dytë janë planifikuar 18 mijë e 625 euro.

Asnjë kompani nuk kishte shprehur interesim për t’i shitur municion Policisë së Kosovës.

“Projekti anulohet në mungesë të ofertave të pranuara”, thuhet në njoftimin për njoftimin për anulim të tenderit për furnizim me municion.

Në janar të këtij viti, kur KALLXO.com mësoi se Policia kishte mbetur pa municion, kontaktuam me kompaninë kontraktuese e cila kishte marrë kontratë për furnizim me municion.

Këta të fundit nuk treguan se a e kanë kryer detyrën e furnizimit me municion duke u arsyetuar se nuk kanë autorizim për të folur rreth kësaj teme.

“Për shkak të natyrës së furnizimit për të cilën ne jemi të kontraktuar dhe në mungesë të autorizimit për momentin nuk mund t’ju ofrojmë informacione. Ju lusim t’u drejtoheni autoritetit kontraktues të PK-së për informata të mëtejme”, thuhet në përgjigjen e kompanisë “Lenti”.

KALLXO.com mësoi gjatë javës së kaluar se furnizimi është kryer muajin që shkoi ndërsa pyeti Policinë e Kosovës në lidhje me këtë furnizim.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë për KALLXO.com se ata janë duke u furnizuar me municion nga kompania.

“Policia e Kosovës ka kontratë me NTSh “Lenti” për furnizim me municion”, tha Kelani.

Ai tregoi se Policia e ka pranuar kontingjentin e parë me municion.

“Në fund të javës së kaluar kompania në fjalë ka sjellë municionin e porositur. Municioni është në proces të verifikimit (ekspertizës laboratorike) të rregullt për të verifikuar përputhshmërinë e specifikave me kontratën. Ky proces, nëse është pozitiv, kryhet në fillim të kësaj jave kur edhe bëhet pranimi zyrtar i municionit nga komisioni”, tha Kelani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat