Daut Haradinaj: Dikush në Serbi po provokon të njëjtën situatën si më 1999

Aktuale

Daut Haradinaj: Dikush në Serbi po provokon të njëjtën situatën si më 1999

Më: 13 prill 2017 Në ora: 22:55
Daut Haradinaj

Deputeti i AAK-së në Kuvendin e Kosovës, Daut Haradinaj ka deklaruar se nuk ka kërcënuar se Kosova do të mbetet pa serbë nëse vëllai i tij, ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj do të ekstradohet nga Franca për në Serbi.

“Unë kam thënë se dikush në Serbi dëshiron që të provokojë të njëjtën situatë sikur në vitin 1999 dhe në këtë rast përgjigjja do të jetë e njëjtë. Nuk kam kërcënuar unë, kam thënë mos na provokoni, pasi koha e Millosheviqit ka kaluar”, ka thënë Daut Haradinaj për mediat serbe.

Ai ka hedhur poshtë të ketë deklaruar se në Kosovë do të ketë spastrim etnik të serbëve, në rast të ekstradimit të Ramush Haradinajt në Serbi, duke thënë se liderët në Beograd “nuk i japin pesë para” për serbët e Kosovës.

“Ata e dinë se Tribunali i Hagës ka shpallur Ramush Haradinajn të pafajshëm. Përkundër kësaj, ata dëshirojnë të mbajnë me çdo çmim konfliktin me shqiptarët. Kam thënë se kjo nuk mund të jetë në interes të serbëve në Kosovë”, ka thënë Daut Haradinaj. I pyetur nëse do të ketë skenar të njëjtë sikur në vitin 2004, ai tha se shqiptarët nuk po përgatitin kurrfarë skenari.

Ai qasjen e Beogradit ndaj Kosovës e ka quajtur si konfliktuoze, ndërsa për serbët në Kosovë tha se gjithmonë do të mbrohen të drejtat e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat