Zbatimi i MSA-së i hap rrugë Kosovës të aplikojë për statusin kandidat në BE

Aktuale

Zbatimi i MSA-së i hap rrugë Kosovës të aplikojë për statusin kandidat në BE

Më: 18 prill 2017 Në ora: 11:02
Kuvendi i Kosoves

(E plotësuar) -  I është dashur dy herë, kryesuesit të seancës plenare të Kuvendit të Kosovës që ta hedhë në votim Programin Kombëtar për zbatimin e MSA-së për periudhën 2017-2021, pasi deputetët, edhe pse ishin në sallë, herën e parë nuk e votuan atë. Megjithatë, në herën e dytë, programi për zbatimin e MSA-së mori 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Miratimi i këtij programi u vlerësua si i domosdoshëm në rrugën e Kosovës drejt integrimit, derisa nga opozita pati kritika për mos zbatimin e këtij programi.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj paraqiti para ligjvënësve programin, duke thënë se ai përmban 930 masa, nga të cilat 260 janë masa legjislative, ndërsa 670 janë masa zbatuese.

Programi, po ashtu, e ka koston financiare prej 484 milionë euro, ku 398 milionë janë ndarë nga buxheti, ndërsa 86 milionë nga donatorët.

Ahmetaj: Programi ka për qëllim përmbushjen e detyrimeve që dalin nga MSA

“Programi i hartuar në bashkëpunim të ngushtë me institucionet zbatuese përmban masat afatshkurtra njëvjeçare dhe prioritetet afatmesme pesëvjeçare që kanë për qëllim përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga MSA-ja. Përveç reformave kyçe, politike, ekonomike që kërkon MSA-ja, programi parasheh masa konkrete në kuadër të 33 kapitujt të Akisë së BE-së. Bazuar në strukturën e kritereve të Kopenhagës të gjitha masat dhe prioritetet janë të ndarë në tri blloqe dhe 40 kapituj”, theksoi Ahmetaj.

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani theksoi rëndësinë e madhe që ka miratimi i këtij programi. Por sipas saj, për t’i dhënë vërtetë rëndësi, dinamika e punës në zbatimin e masave që dalin nga MSA-ja të jetë më e madhe, pasi fatkeqësisht sipas planit të qeverisë për gjashtëmujorin e parë pas nënshkrimit të MSA-së, vetëm 27 për qind janë implementuar.

Osmani ka theksuar se zbatimi i MSA-së, mundëson që Kosova të aplikojë për statusin kandidat në BE.

Osmani: Zbatimi i MSA-së hap rrugën për aplikim për statusin kandidat

“Diskutimi lidhur me rëndësinë e implementimit të MSA-së nuk duhet të mbetet vetëm në nivelin teknik. Duhet ta kuptojmë si Republikë e Kosovës që në momentin kur ne i zbatojmë përgjegjësitë që dalin nga kjo marrëveshje ne mund të aplikojmë për statusin kandidatit për BE. Natyrisht, se do të kemi pengesa politike sa i përket 5-shes njohëse në BE. Mirëpo, ka ardhur koha që si Republikë e Kosovës të flasim për statusin e kandidatit edhe këtu në institucionet e Kosovës, edhe në dialogun e Brukselit”, tha Osmani.

Ndonëse e dhanë votën pro, partitë opozitare patën edhe kritika ndaj këtij programi. Deputetja e Vetëvendosjes Puhie Demaku theksoi se opozita e ka kritikën kryesore te zbatimi i këtij plani.

Demaku: Kritika jonë është te zbatimi i këtij plani

“Kritika jonë kryesore mbetet këtu, nga përvojat që kemi pasur nga e kaluara me qeveritë dhe këtë qeveri posaçërisht është se zbatueshmëria është në nivel tepër të ulët dhe kemi pak shpresa se do të ketë zbatim. Shpresa e vetme mund të jetë që ta kemi një qeveri në të ardhmen, e cila vërtet përkushtohet në agjendën evropiane, e cila është ndër pikat e pakta që bashkon pozitën dhe opozitën në këtë rast”, tha Demaku.

Edhe shefja e Grupit Parlamentar të Nisma për Kosovën, Valdete Bajrami, theksoi se rezervat e tyre ndaj këtij programi janë te zbatimi i tij.  

Bajrami: Kemi mosbesim në zbatimin e këtij plani

“Edhe ne kemi rezervat tona që ky program do të mund të zbatohet ashtu në përpikëri, duke ditur se politika drejt BE-së, apo rruga jonë drejt BE-së është ngecje e sipër dhe kjo falë politikë-bërjes së kësaj qeverie dhe qeverive të mëparshme. Ka kritika edhe qasjes që i është bërë këtij programi, mirëpo shpresojmë që së paku që të gjejnë miratim, apo zbatim ky program për zbatimin e MSA-së”, tha Bajrami.

Në seancën e sotme, Kuvendi po ashtu miratoi edhe Programin e Punës së Kuvendit të Kosovës për vitin 2017 me 57 vota për, 14 vota kundër, 4 abstenime. Mirëpo, pati shumë kritika ndaj këtij programi, kur përveç që e quajtën të vonuar, e vlerësuan edhe si të kotë. 

Në emër të Vetëvendosjes, deputetja Shqipe Pantina theksoi se nuk është dashur të hartojnë fare program të punës së Kuvendit kur nuk e zbatojnë atë.

Pantina: Pse të kemi plan kur nuk e respektojmë

“E para, qysh në faqet e para të programit nuk ka një shpjegim se çfarë synon ky Kuvend të arrijë gjatë këtij viti, apo do ta luajë rolin e makinës votuese siç e pamë këtë mëngjes edhe ashtu nuk po funksionon, bile as rolin votues të vetë Kuvendi nuk është duke e kryer si duhet, sepse shumicën e kohës kryesisht deputetë të koalicionit, edhe pse fizikisht janë këtu, nuk votojnë. Kështu që nuk e di pse duhet të hartojmë program, kur ne fare nuk e zbatojmë”, tha Pantina.

E ashpër ishte edhe deputetja e LDK-së Melihate Tërmkolli sipas së cilës ky program tregon jo seriozitetin e Kuvendit.

Tërmkolli: Mungesë e madhe e seriozitetit nga Kuvendi

“Kjo tregon një mungesë të madhe serioziteti edhe të Kuvendit, në radhë të parë të kryetarit të Kuvendit, i cili është gjithçka tjetër pos ushtrues i funksionit të kryetarit të Kuvendit. Ne kemi folur për disa ligje që nuk i pashë këtu në program të punës së Kuvendit. Unë propozoj që të jenë pjesë e programit, një, ligji për memorialin e presidentit Rugova, ligji për gjykatën administrative. Ne po flasim për luftën kundër korrupsionit dhe krimit, por këtu nuk kam parë asnjë ligj që paraqet bazamentin e luftë skundër krimit dhe korrupsionit. Nuk është ligji anti- mafia, nuk është ligji për dekriminalizimin e politikës. Kush po iu ik këtyre temave, ku është MD-ja, ku është Qeveria, ku është Kuvendi”, tha Tërmkolli.

Në emër të AAK-së, deputetja Teuta Haxhiu e quajti të vonuar këtë program, derisa akuzoi kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit për mos kryerjen e punëve sipas detyrës që kanë.

Image
Kuvendi i Kosovës

Haxhiu: Qeveria diktoi punën e Kuvendit

“Me gjithë mangësitë e planit të punës së Kuvendit, shumë herë e kam thënë, se do të duhej Kuvendi ta monitoronte qeverinë e Kosovës. Por, në këtë legjislaturë Qeveria e ka diktuar punën e Kuvendit, fatkeqësisht, një model jo i pranueshëm dhe nuk do të duhej të ndodhte, por ka ndodhur në këtë Qeveri, gjithçka pra i është imponuar nga Qeveria, Kuvendit. Në këtë rast në paaftësinë e kryerjes së detyrave të juaja si Kryesi e Kuvendit. U përmenden edhe grupet e miqësisë, dhe ju si nënkryetar keni pasur preferenca, në një vizitë që keni pasur në Gjermani, keni pasur preferenca dhe keni dalë jashtë asaj për çka jemi grupe të miqësisë dhe kemi caktuar ne si subjekte politike, dhe mua personalisht nuk me jeni përgjigjur as në pyetjen që iu jam drejtuar si nënkryetar i Kuvendit”, tha Haxhiu.

Por, nënkryetari i Kuvendit, që ishte edhe kryesues i seancës, Xhavit Haliti iu kundërpërgjigj deputetes Haxhiu, duke i thënë që të mos ngritë çështje, të cilat, sipas tij, nuk i di.

Haliti: Mos ngritni çështje që nuk i dinë

“Nëse të ka mbetur ty hatri diçka nuk mund të kërkoj falje tash kur të duash bisedojmë. Nuk është çështje për Kuvend ajo që e ngrite, por sidoqoftë nëse të ka ngelur hatri të kërkoj falje, por skam pasur tjetër mundësi sa i përket vizitës në Gjermani dhe unë e kam bërë në kuadër, është i vetmi grup që ka shkuar me ftesë dhe me shpenzime sipas rregullave që kanë të gjitha grupet e miqësisë, tjerat grupe kanë shkuar me shpenzime të Kuvendit të Kosovës dhe kanë shkuar pa ftesë zyrtare. Kështu që nuk është mirë të ngritësh çështje që nuk i dinë”, theksoi Haliti.

Deputeti i Nismës për Kosovën Zafir Berisha këtë plan e vlerësoi si treguesin me të mirë për gjendjen e mjerueshme të koalicionit qeverisës.

Berisha: Ky plan tregon gjendjen e mjerueshme të këtij koalicioni

“Programi i punës e tregon gjendjen e mjerueshme që është institucioni i Kuvendit si rezultat i koalicionit të papërgjegjshëm dhe në këtë plan nuk janë të cekura prioritetet e ka kjo qeveri dhe ky koalicion”, tha Berisha.

Deputetët e Kuvendit shqyrtuan dhe miratuan edhe raportin e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë lidhur me zbatimin e Ligjit për klasifikimin e informacioneve dhe verifikimin e sigurisë. Ky raport mori 61 vota për, asnjë kundër, 3 abstenime.

Në prezantimin e raportit kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Haxhi Shala tha se nga të gjeturat kryesore del se ligji nuk është duke u zbatuar.

Image
Kuvendi i Kosovës

Shala: Nuk ka zbatim të këtij ligji

“Ligji në masë të madhe nuk zbatohet nga institucionet publike e shtetërore të Kosovës. Shumica e institucioneve nuk kanë lista të informacioneve të klasifikuara sipas niveleve të klasifikimit që parasheh ligji, nuk kanë hapësira të nevojshme për ruajtjen e këtyre informacioneve, nuk kanë libra, regjistra të shpërndarjes së këtyre informatave, duke bërë që këto informata të mbesin të shpërndara. Procesi i verifikimit të sigurisë është përcjell me shumë sfida, ka pasur paqartësi rreth procedurave dhe dyshime për jo objektivitet në raste të caktuara, sepse vendimet për dështim të verifikimeve janë marr mbi bazat e fakteve dhe jo relevante. Pezullimi i punës të departamentit të verifikimeve dhe shpërndarja e personelit në njësi tjera paraqet shkelje të ligjit, sepse ky departament është institucioni themelor i themeluar me ligj dhe vendim”, tha Shala.

Po ashtu, deputetët shqyrtuan dhe miratuan rekomandimet e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione lidhur me Propozim-vendimin e Avokatit të Popullit për zgjedhjen e pesë zëvendësve të Avokatit të Popullit.

Ky propozim vendim mori 44 vota për, 11 kundër dhe 7 abstenime. Propozimi i Komisionit i kërkon Avokatit të Popullit plotësimin e listës edhe me një kandidat nga komuniteti serb, pasi aktualisht është vetëm një, pasi kërkohet që për një pozitë të zëvendësit të Avokatit të Popullit të jenë dy kandidatë.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar edhe Projektligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale, pa amendamentin e deputetit Nait Hasani, i cili parashihte zvogëlimin e dënimeve për 1/3 për të dënuarit.

Ky projektligj pas shumë shtyrjeve për shkak të kuorumit, në seancën e sotme mori 63 vota për, asnjë kundër dhe 4 abstenime. Thirrje për miratimin e këtij projektligji ditë më parë bëri edhe ambasadori amerikan në Kosovë Greg Delawie.

Ndërsa, Projektligji për Miniera dhe Minerale u shty për seancën tjetër meqë nuk pati kuorum, sikurse edhe rezoluta për aktivistët e arrestuar të Vetëvendosjes.  

Po ashtu, edhe Projektligjit për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave nga veriu i Kosovës, u shty për seancën e radhës, pasi Komisioni funksional ka dhënë rekomandimin që të mos votohet ky projektligj.

Kuvendi miraton projektligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale

Kuvendi i Kosovës ka miratuar planprogramin për punën e Kuvendit të Kosovës për vitin 2017.

Deputetët kritikuan këtë planprogram, ku përveç se e quajtën të vonuar, thanë se nuk përmban asgjë serioze por vetëm formale.

Deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli, kërkoi që në këtë planprogram të hyjnë edhe disa projektligje tjera, siç është ai për memorialin Ibrahim Rugova, projektligjin për gjykatën Administrative, ligji për dekriminalizimin e skenës politike.

 “Kush po iu ikë këtyre temave, ku është Ministria e Drejtësisë, Qeveria, Kuvendi. Ky plan është tepër formal”, theksoi ajo.

***

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë miratuar projektligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale, pa amendamentin e deputetit Nait Hasani, i cili parashihte zvogëlimin e dënimeve për 1/3 për të dënuarit.

Ky projektligj pas shumë shtyrjeve për shkak të kuorumit, në seancën e sotme mori 63 vota për, asnjë kundër dhe 4 abstenime.

Thirrje për miratimin e këtij projektligji ditë më parë bëri edhe ambasadori amerikan në Kosovë Greg Delawie.

Ndërsa, projektligji për Miniera dhe Minerale u shty për seancën tjetër meqë nuk pati kuorum, sikurse edhe rezoluta për aktivistët e arrestuar të Vetëvendosjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat