AAK i çon "selam" Serbisë për Ramush Haradinajn

Aktuale

AAK i çon "selam" Serbisë për Ramush Haradinajn

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 21 prill 2017 Në ora: 11:01
Ramush Haradinaj dhe Muharrem Nitaj

Janë bërë më shumë se tre muaj që kur lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është ndaluar në Francë, për shkak të një flet-arresti të lëshuar nga Serbia më 2004.

Atij i është caktuar seanca dy herë, por vendimi nga gjykata franceze ende nuk është marrë dhe këtë herë seanca është caktuar të mbahet me 27 prill.

Që nga arrestimi i tij në Francë, zyrtarë të AAK-së, zyrtarë të partive tjera, avokatë dhe analistë janë deklaruar se Haradinaj do të lirohet, pasi ai është shpallur i pafajshëm edhe në Tribunalin e Hagës.

Megjithë deklarata e tilla, vendimi është shtyrë dhe nga AAK thonë se presin që këtë herë të shpallet vendimi për lirimin e tij dhe ai të kthehet.

Image
Muharrem Nitaj dhe Ramush Haradinaj

Nitaj: Presim që çështja e Haradinaj të mbyllet përfundimisht dhe ai të lihet i lirë

Zëdhënësi i AAK-së, Muharrem Nitaj ka thënë për gazetën “Bota sot” se me flet-arreste të tilla, Serbia po mundohet ta destabilizojë Kosovën.

“Ramush Haradinaj i ka spastruar hesapet me drejtësinë. Kundër tij nuk mund të ketë asnjë rast tjetër. Natyrisht se ne presim që çështja të mbyllet përfundimisht dhe ai të lihet i lirë në punën dhe në agjendën e tij politike. Aktakuzat e Serbisë dhe flet-arrestet e saj, janë përpjekjet e fundit dëshpëruese për të destabilizuar Kosovën. Kjo nuk mund të ketë sukses, sepse koha e Millosheviqit ka kaluar”, ka deklaruar Nitaj.

Image
Avokati Tomë Gashi

Gashi: Pritet lirimi i tij, shanset për ekstradim janë zero

Ndërsa, avokati Tomë Gashi, ka thënë se gjasat që Ramush Haradinaj të ekstradohet në Serbi janë zero dhe se gjykata franceze do të duhej të vendos për lirimin e tij.

“Gjasat për ta ekstraduar në Serbi janë të barabarta me zero, për shkak se në bazë të së drejtës ndërkombëtare nuk transferohet askush, nuk ekstradohet në shtetin armiqësor, ku nuk do t’i mundësohej as një gjykim i denjë. Kështu që, përveç arsyeve të tjera që kemi të bëjmë me një urdhër-arrest që ka konotacion vetëm politik dhe jo juridik, janë edhe arsyet e tjera, që nuk lejojnë që Ramush Haradinaj të transferohet në Serbi. Me siguri që gjykata në Francë ka keqpërdorur autoritetet e veta në bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe tani përfundimisht ashtu siç është dashur të ndodh qysh më herët, do të sjellë vendim për lirimin e tij, kthimin e tij në Kosovë tek familja e tij”, ka thënë Gashi për gazetën “Bota sot”.

Lidhur me atë se vazhdimisht ka pasur deklarata se ai do të lirohet dhe në anën tjetër drejtësia franceze nuk e ka liruar, por i ka shtyrë gjykimi, avokati Gashi ka theksuar se do të ketë të tilla pasi flet-arresti nga Serbia është që nga viti 2004 dhe ai është liruar dy herë nga Tribunali i Hagës.

“Gjithmonë do të ketë deklarata të njëjta, sepse nuk ka ndryshuar asgjë, duke pasur parasysh që flet-arresti i lëshuar nga Serbia është që nga viti 2004 dhe Ramush Haradinaj është përballur me akuza të tilla, është liruar dy herë nga Tribunali i Hagës, kështu që nuk kanë kurrfarë vlere juridike ato akuza të Serbisë, kanë vetëm konotacion politik dhe për arsye politike, askush nuk do të duhej që me një urdhër-arrest të një shteti armiqësor të transferohej atje në atë shtet, sepse ndër të tjera nuk i garantohet gjykim i drejtë. Ai është liruar dy herë në Tribunalin e Hagës ku dhe kam qenë avokat mbrojtës i tij”, është shprehur Tomë Gashi për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat