Kuvendi dhe Qeveria kanë dalë nga funksioni

Aktuale

Kuvendi dhe Qeveria kanë dalë nga funksioni

Më: 25 prill 2017 Në ora: 07:15
Rexhep Selimi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje!, Rexhep Selimi, ka bërë me dije se Kuvendi dhe Qeveria tashmë kanë dalë totalisht jashtë funksionit të tyre.

Ai ka thënë se edhe veprimet e partnerëve të koalicionit po tregojnë se vendi së shpejti do të shkojë në zgjedhje. Selimi ka deklaruar se vendi do të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare jo pse duan PDK-ja dhe LDK-ja, por sepse këto dy subjekte politike nuk mund të rezistojnë. “PDK-ja dhe LDK-ja ka kohë që janë në fushatën e pashpallur. Kjo tregon se vendi po shkon në zgjedhje të parakohshme jo pse duan ata, por për shkak se nuk mund të rezistojnë edhe më tutje. Edhe Kuvendi dhe Qeveria tashmë kanë dalë totalisht nga funksioni. Po bëjnë fushata ilegale hajnisht, duke mos e shpallur as ditën e zgjedhjeve e as ditën e nisjes së fushatës. Sidoqoftë, as fushatat ilegale nuk mund t’i shpëtojnë nga humbja e pushtetit”, ka thënë Selimi.

Ai ka treguar se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje! e kanë mbështetur tashmë iniciativën e Nismës për mocion mosbesimi ndaj kësaj Qeverie. Sipas Selimit, suksesi i kësaj iniciative varet edhe nga përkrahja e deputetëve të pozitës. “Lëvizja Vetëvendosje! e mbështet me ex-officio cilëndo iniciativë të opozitës për mocion, normalisht të mbështetur edhe në mundësitë numerike si parakusht i domosdoshëm. Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje! e kanë mbështetur tashmë nismën e Nismës. Por, tash varet nga iniciuesi se a ka bërë diçka për marrjen e përkrahjes së nevojshme edhe nga deputetët përtej opozitës”, është shprehur deputeti Selimi.

Sa i përket demarkacionit me Malin e Zi, deputeti i LV-së ka paralajmëruar se Qeveria do të tentojë deri në ditën e fundit të saj ta procedojë demarkacionin në Kuvend. Por, sipas Selimit, vendosmëria e opozitës dhe vetëdija e disa deputetëve të koalicionit që e kanë kundërshtuar këtë variant të demarkacionit nuk do ta lejojnë ratifikimin e kësaj marrëveshje. “Nuk është çudi që deri në ditën e fundit të pushtetit të tyre ata do të provojnë ta sjellin edhe demarkacionin në Kuvend. Ata janë kryeneçë, por ne jemi edhe më të vendosur që ta zhbëjmë atë marrëveshje të dëmshme për Kosovën. Një gjë është shumë evidente, që koalicioni qeverisës nuk i ka numrat e mjaftueshëm në sajë të vendosmërisë së opozitës dhe, po ashtu, në saje të vetëdijes së disa prej deputetëve të mazhorancës të cilët e kundërshtojnë këtë marrëveshje”, ka thënë Selimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat