Reagimi i ngutshëm i Bashkimit Evropian ndaj Ramës e Thaçit

Aktuale

Reagimi i ngutshëm i Bashkimit Evropian ndaj Ramës e Thaçit

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 25 prill 2017 Në ora: 09:59
Rama dhe Thaçi

Deklaratat e fundit të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, lidhur me bashkimin e mundshëm të të dyja vendeve, nëse venitet perspektiva për anëtarësim në BE kanë ngjallur reagime të shumta. Më të ashpra ishin reagimet e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian.

Maja Kocijançiç, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, në një prononcim, ka deklaruar se çdo formë e ndërhyrjes politike dëmton konsolidimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore.

“Ne po punojmë me të gjithë partnerët në rajon për arritjen e këtij qëllimi, të bazuar në parimet e pajtimit dhe bashkëpunimit rajonal”, ka thënë Kocijançiç, duke komentuar deklaratën e fundit të kryeministrit Rama. Ajo ka shtuar se “çdo formë e ndërhyrjes politike dëmton konsolidimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore”.

Kritikohet deklarata e Kocijançiç

Për Bilall Sherifin, sekretar nga Nisma për Kosovën, deklaratat e zonjës Kocijançiç, nxisin shpresat ekspansioniste të Serbisë!

“Prononcimi i zëdhënëses së Komisionit Evropian Maja Kocijançiq se "Deklaratat që mund të interpretohen si ndërhyrje politike në punët e brendshme të vendit fqinj nuk janë të dobishme për ndërtimin e raporteve të mira fqinjësore në rajon" më befasoi. Fillimisht mendova se ishte një prononcim kundër autoriteteve të Serbisë të cilët vazhdimisht kërcënohen se do të përdorin të gjitha mjetet e mundshme për të kthyer sovranitetin e vet mbi shtetin e Kosovës. Por, jo! Qëndrimet e zonjës Kocijançiq nuk kishin të bënin fare as me deklaratat e Tomisllav Nikoliqit, e as me ato të Aleksandar Vuçiqit e Ivica Daçiqit”, thuhet në reagimin e tij të lëshuar dy ditë më parë.

Image
Bilall Sherifin

Sipas Sherifit, zonja Kocijancic, për habinë e çdo njeriu që njeh realitetin e kësaj pjese të Ballkanit, këtë prononcim e bëri lidhur me deklaratat e Edi Ramës dhe Hashim Thaçit!

“Nëse vërtet ajo ka prononcuar një qëndrim të tillë dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë shtrembërim në përkthim atëherë zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq ka bërë një deklaratë që është në kundërshtim të plotë me realitetin. Për çfarë raportesh fqinjësore flet ajo? Së pari, nëse qëndrimi i tillë i drejtohet Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, atëherë zonja Kociançiq nuk e di se Shqipëria, së paku nga 17 shkurti i vitit 2008, nuk është shtet fqinj i Serbisë”, është shprehur ai.

Sherifi i`a ka kujtuar zëdhënëses së Komisionit Evropian, faktin se Kosova nuk është më pjesë e Serbisë.

“Nëse zonja Kociançiq prononcohet duke pasur në kokë hartat e vjetra politike dhe këtë qëndrim e shpreh në raport me deklaratën e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, atëherë po ia rikujtoj se Kosova që në qershor të vitit 1999 praktikisht nuk është pjesë e Serbisë, ndërsa nga viti 2008 edhe në aspektin formalo-juridik Kosova është shtet i pavarur, mëvetësinë e të cilës e kanë njohur shumica e vendeve në botë dhe shumica dërmuese e shteteve të Bashkimit Evropian. Deklarata e zëdhënëses së Komisionit Evropian Maja Kocijançiq përmban paqartësi të mëdha dhe si e tillë ajo nxit shpresat ekspansioniste të Serbisë, shtetit që kreu tri gjenocide vetëm në dekadën e fundit të shekullit XX. Prandaj, si zëdhënëse e një institucioni aq të rëndësishëm evropian, zonja Kociançiq duhet të jetë më aktive kundër përzierjes së Serbisë në punët e brendshme të shtetit të Kosovës dhe diskurseve luftënxitëse të Serbisë që nuk janë të dobishme për ndërtimin e raporteve të mira fqinjësore në rajon”, ka përfunduar ai.

“Fajtor lidershipi i Kosovë”

Analistët kanë mendime të ndryshme sa i përket reagimeve të shpejta të BE-së ndaj shqiptarëve. Kështu, i pyetur nga gazeta “Bota sot”, Sami Blakaj, magjistër i integrimeve evropiane, nëse këto reagime bëhen me ndonjë tendencë  ndaj shqiptarëve ka thënë se përbërja e Bashkimit Evropian është përbërje komplekse sepse përfaqëson interesa të ndryshme kombëtare dhe mbi kombëtare.

“Emërimi dhe përfaqësimi në institucionet kryesore vendim-marrëse të BE-së është në përbërje të 28 shteteve anëtare që sot përbëjnë Unionin Evropian.  Kjo jo rrallë herë komplekson procesin politik dhe vendim-marrës brenda BE-së, e sidomos kur kemi të bëjmë me politikën e zgjerimit dhe anëtarësimit”, ka potencuar Blakaj.

Kështu, Blakaj, ka vlerësuar se Kosova fatkeqësisht akoma nuk po arrin që të tregohet palë serioze në raport me BE-në dhe ti bëjë ballë kritereve të vendosura nga BE.

“BE ndryshon vazhdimisht dhe pjesë e këtij ndryshimi janë edhe kriteret e anëtarësimit. Prandaj çdo shtet i pavarur dhe sovran që synon anëtarësimin evropian duhet të jetë sfidues në këtë rrugëtim.  Pjesë e këtij rrugëtimi politik është edhe Kosova, e cila ka kohë që ka stagnuar në rrugën e saj integruese.  Vendi ynë fatkeqësisht akoma nuk po arrin që të tregohet palë serioze në raport me BE-në dhe ti bëjë ballë kritereve të vendosura nga BE”, ka thënë Blakaj.

Tashmë, për magjistrin e integrimeve evropiane, është e qartë se kush është fajtori në këtë proces.

“Nuk është BE-ja dhe nuk janë përfaqësuesit evropian ata që po e vështirësojnë  integrimin e Kosovës në të njëjtën kohë është e ledhatuara e UE-së  në familjen evropiane, por është pikërisht Kosova dhe lidershipi kosovarë që po e ngadalëson këtë proces me rëndësi jetike për qytetarët tanë.  Nuk shkohet në BE me bojkote e inate politike dhe personale dhe as me një drejtësi të korruptuar dhe kriminale. Prandaj ngecjet e Kosovës drejt BE-së dhe mos liberalizimi i vizave për Kosovën për mua tanimë nuk përbën rastësi, por është një realitet i hidhur që kërkon përgjegjësi.  Dhe përgjegjësia nuk duhet kërkuar në BE, por duhet kërkuar tek ne dhe vetëm tek ne”, ka potencuar ai.

Qytetarët, viktimat e vetme

Po ashtu, reagimet e shpejta të zyrtarëve të BE-së, kundrejt Kosovës i ka komentuar edhe analisti Faik Krasniqi. Sipas Krasniqit, kur është në pyetje minoriteti serb, zyrtarët e BE-së kanë reaguar edhe për gjërat me të pakuptimta.

Image
Faik Krasniqi

“Zyrtarët e BE-së dhe shumë ambasadorë të huaj në Kosovë, gjithmonë kanë reaguar për gjërat edhe më të pakuptimta. Sidomos kur ka qenë në pyetje minoriteti serb në Kosovë, të cilët në vazhdimësi kanë punuar për interesa dhe me direktiva të Serbisë. Por jo edhe në qindra raste kur shqiptarët janë diskredituar në mënyrën më të keqe të mundshme”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Sipas tij, kjo qasje e BE-së karshi shqiptarëve të Kosovës, po shihet tash e 18 vite edhe me izolimin e tyre, duke i vënë kushte të pakuptimta si Demarkacioni etj.

“Mirëpo, kjo qasje me tendencë e BE-së karshi shqiptarëve të Kosovës, ka të bëjë edhe me klasën politike të Kosovës, të cilët në vend se të ishin partnerë me shtetet e BE-së për interesat shtetërore dhe të qytetarëve të saj, ata u shndërruan në servilët e tyre për interesa personale”, ka shtuar Krasniqi.

Nga e gjithë ky maltretim i BE-së ndaj Kosovës, analisti Faik Krasniqi ka thënë se po pësojnë qytetarët dhe po përfitojnë politikanët mafiozë, për të qëndruar sa më gjatë në pushtet.

“Prandaj, nuk ka të bëjë prejardhja e zyrtarëve të BE-së, disa që vijnë nga vendet e ish Jugosllavisë, por ka të bëjë me klasë politike të Kosovës, e sidomos të atyre që janë në pushtet”, ka përfunduar ai.

“Shqipëria e Kosova të brenda Unionit Evropian”

Kurse sipas analistit Zudi Xhelili, deklarata e kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe ajo e Kryetarit të Kosovës Hashim Thaçi se nëse BE i mbyllë dyert për Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor,  Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen si dhe do të shqyrtohet mundësia që shqiptaret të jetojnë në një hapësirë të vetme, paraqesin realitetin brenda shqiptarëve qe një kohë të gjatë pretendojnë të bëhen pjesë e familjes Evropiane.

Image
Zudi Xhelili

“Nuk besoj që ka tendencë të zyrtarëve të BE-së ndaj Shqiptarëve, Shqipërisë i caktuan datë për bisedime, Shqipëria dhe shtetet e rajonit janë zotuar se do ti plotësojnë kushtet për anëtarësim ne BE. Shqipëria dhe Kosova janë pjesë përbëre e Evropës dhe si të tilla duam ti kemi brenda Unionit, kështu ishte deklaruar zëdhënësja e Këshillit të Evropës. Por detyrimet duhet të plotësohen si në Shqipëri ashtu edhe ne Kosove”, ka thënë Xhelili.

Ai ka theksuar se reformat janë në interes të shqiptarëve dhe si të tilla duhet të plotësohen.

“Kosova ka mbështetje maksimale nga Brukseli dhe mendoj kjo mbështetje nuk do të mungoj edhe në të ardhmen. E ardhmja e shqiptareve është integrimi në NATO dhe BE dhe se kjo është perspektiva e vetme për shqiptaret dhe popujt e Ballkanit Perëndimor”, është shprehur ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat