KMDLNJ kërkon nga presidenti Thaçi të publikojë listën e të dënuarve të falur

Aktuale

KMDLNJ kërkon nga presidenti Thaçi të publikojë listën e të dënuarve të falur

Më: 26 prill 2017 Në ora: 12:22
KMDLNJ

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) përmes një letre të hapur drejtuar presidentit të Kosovës Hashim Thaçi kërkon që të publikojë listën e të dënuarve që ka falur, pasi që mos bërja publike e listës së atyre që eventualisht janë falur, sipas KMDLNJ-së, e tensionon situatën brenda institucioneve ku mbahen ata që kanë kërkuar falje.

Duke përkujtuar se për faljen e presidentit kanë aplikuar më shumë se 700 të dënuar, KMDLNJ thekson se të gjitha këto kërkesa janë shqyrtuar nga komisioni i formuar ad hoc  dhe sipas informatave të KMDLNj – së tashmë është dorëzuar lista me emrat e të dënuarve që sipas vlerësimit të komisionit ad hoc e meritojnë të falen.

“Mirëpo Ju, sipas kompetencave që iu jep Ligji mund t’i falni të gjithë nga lista e propozuar nga komisioni ad hoc sikur që mund të mos e falni asnjë të dënuar që ka kërkuar falje. Në rastin konkret, Ju, z. president e keni fjalën e fundit sikur që edhe vendimi përfundimtar është i Juaj , përkatësisht vullnetit Tuaj”, thuhet në letër.

Për informim të opinionit, KMDLNJ njofton se nuk është pjesë e komisionit ad hoc, andaj nuk është në gjendje të japë një informatë të saktë të dënuarve që kanë kërkuar falje.

KMDLNj, në rastin konkret ka dalë në anën e të dënuarve duke kërkuar të falet një numër më i madh se viteve paraprake në rast se i plotësojnë kushtet për falje aq më parë që faljet e mëparshme kanë qenë më shumë provokim i situatës së sigurisë në burgje që kanë ndikuar në tensionimin e situatës se sa një demonstrim i vullnetit dhe mëshirës së presidentit t’i lirojë ata që e meritojnë gjë që do të reflektonte në motivimin e të burgosurve të sillen mirë duke e pranuar programin e risocializimit, thuhet më tej në letër.

KMDLNJ kërkon nga presidenti Thaçi që sa më parë ta bëjë publike listën e personave të falur, nëse ata janë falur, në mënyrë që “të mos i leni në pritje dhe ankth të dënuarit që kanë kërkuar të falur nga Ju, familjarët e tyre sikur edhe opinionin i cili duhet të informohet për vendimin e Juaj për falje apo mos falje”.

“Mos bërja publike e listës së atyre që eventualisht i keni falur e tensionon situatën brenda institucioneve ku mbahen ata që kanë kërkuar falje sikur që në masë të madhe e vështirëson punën e Shërbimit Korrektues të Kosovës që në rastin konkret nuk mbanë asnjë përgjegjësi por se mund të përballet me shumë probleme”, thuhet në letrën e KDMLNJ-së drejtuar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat