AAK: S’ka pritje qeveritare për Haradinaj por vetëm qytetare

Aktuale

AAK: S’ka pritje qeveritare për Haradinaj por vetëm qytetare

Më: 27 prill 2017 Në ora: 11:48
Nënkryetari i AAK-së Ardian Gjini dhe zyrtari per informim Muharrem Nitaj

(E plotësuar) - Ramush Haradinaj, i cili pritet që sonte të kthehet në Kosovës, pas vendimit për lirim nga Gjykata e Francës, do të pritet në Aeroportin e Prishtinës vetëm nga familja e tij, bashkëshortja dhe fëmijët. Ndërsa qytetarët dhe zyrtarët e AAK-së, do ta presin atë në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku Haradinaj ddo t’i drejtohet qytetarëve të cilët festojnë lirimin e tij.

Zyrtarë të AAK-së në një konferencë për media pohuan se kësaj radhe Haradinaj do të ketë vetëm pritje qytetare, jo qeveritare. Zëdhënësi i kësaj partie, Muharrem Nitaj tha se Haradinaj, nuk do të pritet me tepih të kuq dhe askush nuk do të mund të përfitojë nga rasti Haradinaj. Ndërsa lirimin e tij, e quajti lajm të mirë për Kosovën.

Nitaj: S’ka pritje qeveritare, vetëm qytetare

“Sot po dalim para jush me një arsye të fuqishme. Më në fund një lajm të mirë, i cili besojmë ne jo vetëm që e ka lehtësuar, e ka shpëtuar z. Haradinaj, familjen e tij dhe AAK-në, mirëpo e ka lehtësuar, e ka shpëtuar realisht dhe popullin e Kosovës dhe vet Kosovën. Një vendim logjik sot i autoriteteve franceze të drejtësisë është një mesazh i fortë, që armiqtë e Kosovës, sado të fortë që janë është pothuajse e pamundur që ta gjunjëzojnë një popull. Popullin që gjatë gjithë kësaj kohe ishte në mbështetje të z. Haradinaj...Pritja do të jetë qytetare, popullore, jo qeveritare. Këtë herë nuk ka tepih të kuq, këtë herë nuk do të mund të përfitoj askush nga rasti Haradinaj. Ka ndodh njëherë që e kanë keqpërdorur dhe këtë herë z. Haradinaj do të pritet nga qytetarët e Kosovës, nga bashkëluftëtarët e tij, nga ata që e duan, nga populli që i është gëzuar. Besojmë lirimit të tij dhe vendimit të sotëm, nuk do të ketë pritje politike qeveritare”, tha ai.

Ndërsa nënkryetari i parë i AAK-së, Ardian Gjini tha se edhe kësaj radhe ka dështuar përpjekje e Serbisë që t’i kthej udhëheqësit e luftës dhe qytetarët e Kosovës, në subjekt të ligjit të vet.

Gjini: Lajmi i mirë ka ardhur

“Lajmi i mirë ka ardh. Definitivisht nja katër muaj të panevojshëm bllokadë, por prapë se prapë ka ardh. Ne si AAK jemi shumë të gëzuar, jemi duke e parë se në gjithë Kosovën, që gjithë populli i Kosovës është shumë i gëzuar. Është një vendim që është dashur të merret më herët, sidoqoftë  më mirë vonë se ndryshe...Është një ditë e mirë për ne, është një ditë e mirë për Kosovën, është ditë e mirë për të gjithë shqiptarët...Ka dështuar përpjekja e Serbisë që prapë me i kthy qytetarët e Kosovës, udhëheqësit e Kosovës, udhëheqësit e luftës në subjekt të ligjit të vet. Kjo nuk do të ndodh kurrë dhe me kaq ka përfunduar kjo etapë“, tha ai.

Ndryshe, festa para kësaj partie filloi me të kuptuar vendimin e gjykatës dhe vazhdoi për disa orë.

AAK: S’do të ketë pritje qeveritare për Haradinajn

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë se lirimi i Ramush Haradinajt nga autoritetet franceze ka lehtësuar gjithë popullin e Kosovës.

Muharrem Nitaj ka deklaruar se vendimi logjik i autoriteteve franceze të drejtësisë është mesazh i fortë që armiqtë e Kosovës sado të fortë që janë, është e pamundur ta gjunjëzojnë një popull që gjatë gjithë kësaj kohe ishte në mbështetje të Haradinajt.

Ai ka bërë të ditur se pritja e liderit të AAK-së Ramush Haradinaj do të jetë qytetare e jo qeveritare.

“Madje as AAK s’do të dalë në aeroport, ndërkaq ne do ta presim me popullin në sheshin ‘Zahir Pajaziti’, tha Nitaj.

E nënkryetari i AAK-së Ardian Gjini theksoi se vendimi për lirimin e Haradinajt është dashur të merret më herët.

Ai ka ftuar qytetarët që sonte në orën 19:00-20:00 të dalin në shesh për të pritur Ramush Haradinajn në kthimin e tij nga Franca.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat