Mustafa: Anëtarësimi në strukturat euroatlantike, alternativa e vetme për Kosovën

Aktuale

Mustafa: Anëtarësimi në strukturat euroatlantike, alternativa e vetme për Kosovën

Më: 12 maj 2017 Në ora: 16:58
Takimi i Mustafës me delegacion nga Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-ve

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti të premten në takim një delegacion nga Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-ve, të kryesuar nga kongresisti Bob Goodlatte nga Virginia, kryesues i Dhomës së Përfaqësuesve për Gjyqësorin, me të cilët u bisedua për progresin e deritashëm, zhvillimet aktuale dhe perspektivën e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës në vitet në vijim.

Mustafa me këtë rast i njoftoi kongresistët amerikanë për të arriturat e Kosovës në fushën e zhvillimit ekonomik, në proceset integruese euroatlantike, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe në fusha të tjera të jetës.

Duke theksuar mirënjohjen e qytetarëve të Kosovës për përkrahjen e pazëvendësueshme të SHBA-ve, Mustafa shprehu përkushtimin e Kosovës për fuqizimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe të partneritetit strategjik me SHBA-të.

Mustafa, po ashtu, foli për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, relacionet me shtetet në rajon, suksesin e arritur në luftën kundër terrorizmit dhe për përkushtimin e plotë të Kosovës në rrugën integruese euroatlantike.

“Për Kosovën dhe popullin e saj, anëtarësimi i plotë në strukturat euroatlantike, ndryshe prej ndonjë vendi në rajon, është e vetmja alternativë”, tha ai.

Nga ana e tyre, kongresistët amerikanë vlerësuan të arriturat e deritashme të Kosovës duke theksuar përkrahjen e SHBA-ve për zhvillimet e mëtejshme.

Kongresistët amerikanë u interesuan për çështje të ndryshme që lidhen me zhvillimet aktuale në Kosovës, për relacionet me vendet fqinje, forcimin e shtetit të së drejtës, për zhvillimet në rajon dhe më gjerë.

Të pranishëm në takim ishin kongresistët Bob Goodlatte (R-VA), Peter DeFazio (D-OR), Steve King (R-IA), David Cicilline (D-RI), Dave Trott (R-MI), Matt Gaetz (R-FL) dhe zëvendës-shefja e Misionit të SHBA-ve në Kosovë, Colleen Hyland.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat