“Qindra mijëra votues janë duke pritur, Kadri Veseli nuk do të ketë shans të fitojë”

Aktuale

“Qindra mijëra votues janë duke pritur, Kadri Veseli nuk do të ketë shans të fitojë”

Nga: P.R Më: 16 maj 2017 Në ora: 12:39
Foto e postuar nga Donika Gërvalla: Pervjetori i LDK-së në Istog

Donika Gërvalla, vajza e heroit Jusuf Gërvalla, dhe anëtare e LDK-së, përmes një postimi në facebook, ka komentuar zhvillimet e fundit në skenën politike dhe kandidatin për kryeministër.

“Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të ofrojë një kandidat serioz për kryeministër, i cili simbolizon mbi të gjitha kredibilitet dhe qëndrim dinjitoz. LDK duhet t'i ofrojë votuesit të saj një listë, e cila me përbërjen e saj garanton që janë kuptuar gabimet e së kaluarës dhe ato nuk mund të përsëriten më. Vetëm atëherë LDK-ja mund të ringjallë tek elektorati i saj besimin e humbur”, ka shkruar Gërvalla, përcjellë “Bota sot”.

Sipas Gërvallës, nëse LDK-ja e bën këtë, atëherë Kadri Veseli mund të organizojë shfaqje teatrale sa të dëshirojë, sepse nuk do të ketë shans të fitojë.

Image
Donika Gërvalla

Ja postimi i saj i plotë:

Qindra mijëra votues janë duke pritur

Pas vendimit të drejtë dhe të domosdoshëm të Isa Mustafës për të mos qenë bartës i listës së LDK-së dhe për të mos kandiduar më për kryeministër, pra për të hapur rrugën për një ringjallje të LDK-së, Lidhja Demokratike e Kosovës mund të çlirohet nga kurthi i PDK-së, në të cilin e futën pa nevojë Isa Mustafa, Lutfi Haziri, Agim Veliu dhe të tjerë.

Ky hap i Isa Mustafës ka kuptim vetëm atëherë kur këto deklarata dokumentohen në ofertën që LDK do t'i bëjë votuesit në zgjedhjet e ardhshme dhe shpresa në LDK nuk varroset nga lojërat taktike të gardës së vjetër rreth Isa Mustafës.

Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të ofrojë një kandidat serioz për kryeministër, i cili simbolizon mbi të gjitha kredibilitet dhe qëndrim dinjitoz. LDK duhet t'i ofrojë votuesit të saj një listë, e cila me përbërjen e saj garanton që janë kuptuar gabimet e së kaluarës dhe ato nuk mund të përsëriten më. Vetëm atëherë LDK-ja mund të ringjallë tek elektorati i saj besimin e humbur.

Vetëm nëse lista e LDK-së kryesohet nga një person kompetent dhe me kredibilitet dhe nëse votuesit në listën e LDK-së do të gjejnë personalitete të besueshme dhe të dashura për ta, atëherë LDK-ja do të mund jo vetëm të ndal rënien në humnerë, por edhe të ngrihet si forca politike e parë në Kosovë.

Qindra mijëra votues janë duke e pritur këtë. Qindra mijëra votues të cilët shumë qartë kanë treguar se LDK-në e votojnë përsëri vetëm pasi të jetë kthyer në parimet e saj dhe të ketë kthyer besimin e humbur. Qindra mijëra votues, të cilët kanë bërë të qartë se ky është minimumi i domosdoshëm për të nxjerrë në kuti të votimit votuesin tradicional dhe besnik të LDK-së.

Deri të premten ka kohë për të marrë vendimet e duhura. Nëse LDK-ja e bën këtë, atëherë Kadri Veseli mund të organizojë shfaqje teatrale sa të dëshirojë, sepse nuk do të ketë shans të fitojë. Ky do të ishte një shërbim i madh, të cilin LDK ia ka borxh Kosovës. LDK nuk mund t'i largohet përgjegjësisë që mban për Kosovën dhe të ardhmen e saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat