Abdullahu i reagon Matoshit: S’të pret sakica në një vend, a do t’i besosh tani shefit tënd Kadri Veselit

Aktuale

Abdullahu i reagon Matoshit: S’të pret sakica në një vend, a do t’i besosh tani shefit tënd Kadri Veselit

Nga: B.S Më: 17 maj 2017 Në ora: 09:35
Faton Abdullahu

Anëtari më i ri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ish-analisti Halil Matoshi, e ka quajtur rrenc zëdhënësin e Qeverisë, Faton Abdullahu.

Abdullahu përmes një postimi në Facebook kishte shkruar se e kishte gëzuar fakti pse Halil Matoshi nuk u pranua në LDK për shkak se, sipas tij, një pjesë jo e vogël e koncepteve të tij politike, kulturore dhe identitare janë antirugoviste.

Por, pas deklaratës së Matoshit, ka reaguar sërish zëdhënësi i Qeverisë, përcjell Bota sot.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ai ka thënë se Matoshi gjithmonë ka dashur gjithmonë të ketë një rol në politikë, por që nuk i ka prerë kurrë ‘sakica në një vend’ dhe se ai sjell vetëm humbje të votave dhe jo punë në parti.

Në fund Abdullahu e pyet Matoshin se a do t’i besojë tashmë shefit të ri, Kadri Veselit.

Postimi i tij i plotë:

Me atë që ka thënë Halil Matoshi duke reaguar gjatë dhe ultë ndaj një postimi tim të shkurtë në Facebook dhe duke më ofenduar shumë, u mundua ta kryej një detyrë që i shkreti kurrë s’ka ditë ta bëj edhe pse fortë ka pas qef dhe ka provu jo vetëm një herë– detyrë partiake në politikë. Ai më sulmoj shumë, bile duke ofenduar edhe identitetin tim lokal, s’la gjë pa më thënë. 
E vërtetë unë jam i një ‘lagjeje të kasabas’, por nuk e kuptoj pse Halil Matoshi e thotë me nënvlerësim. Kjo kasaba e ka emrin Prishtinë dhe unë jam prishtinali i vjetër. Është një lloj identiteti, e gjenë gjithandej. Mbase atij i duket e çuditshme që një ‘kasabali’ me ja fut kokall shqiptarqe teorive të tija primitive. 
Keq, shumë keq, nuk e kam njohur bash për të tillë. Nuk do ta thosha as një fjalë sikur ta dija se do të më sulmonte kështu me ofendime. Nuk ja vlen. Por ama tash nuk mund as të hesht. 
Halil Matoshi nuk do të më sulmonte kështu keq e me inat, për këto që kam thënë në postimin tim të shkurt, sikur të mos e konsideronte këtë sulm detyrë të re partiake. Akumulimi i pakënaqësisë së tij u determinua nga hatërmbetja pse nuk u bë LDK dhe më sulmoj mua, bile duke ja qarë hallin LDK se nëse identifikohet ajo me Faton Abdullahun, “pus do ti ket punët”. Nuk e kupton ky sharllatan se LDK nuk identifikohet me individë, sado ekspresivë qofshin ata, sepse është parti shumë e madhe. Por ai mendjengushtë nuk e kupton këtë parti të madhe, gjithmonë e ka keqkuptuar.
Halil Matoshi si atrofik që është në analiza e kalkulime politike, më fajson mua për rënjen e qeverisë, as më shumë as më pak. Dhe shih analizën militante, inatçore të tij, pse – sepse ‘Faton Abdullahu dështoj t’i bind shtetasit se demarkimi i kufinit me Malin e Zi ishte në rregull’. 
E vërtetë, ‘dështova’. Dështova unë bashkë me ‘Komisionin shtetëror’, me ‘Komisionin ad hock’ me ‘Komisionin për matjen e territorit’ me ekspertët e pavarur me ‘State Departamentin Amerikan’ me Gjermanin Federale dhe me shumë të tjerë. Dhe ajo pse dështuam është tërpia hamshore e atyre të cilët me trillime ja arritën ta ngrenë një ‘kauzë patriotike’ për ta rrëzuar qeverinë me çdo kusht, me çdo kend, me çdo mënyrë, që pastaj të vijnë vet në pushtet. Ska bir nëne që i bind ata që janë bindur se mos bindja ju sjell bindshëm pushtet. Prandaj nuk është bindur as ky militant i ri. Tani është bërë mercenar i Koalicionit “Mashtrimi i Madh” 
Halil Matoshi është nga ata që herë me vetëdije herë pa te, ka shkruar shumë kundër LDK-së. Këtë luftë e kanë bërë dhe po e bëjnë shumë si ai edhe sot e kësaj dite. Ata të cilët, kur nuk mund të bëhen pjesë e saj e pështyjnë, ofendojnë dhe duan ta shkatërojnë apo së paku ta përçajnë. Kështu bëjnë edhe disa që largohen prej saj. Thelbi i kësaj lufte ishte dhe është - rugovizmi të ndahet nga LDK. Rugovizmi është diçka tjetër, LDK është diçka tjetër – kështu thonë ata të cilët e sulmojnë LDK-n herë tek e tek e shumë më shpesh bashkë. Kështu ka bërë edhe Halil Matoshi. Mandej çudutet pse unë u gëzova që ai nuk u bë pjesë e LDK-së.
Mos dëshiron Halil Matoshi që kësaj rradhe unë të polemizoj me te për nacionalizmin, shtetin apo identitetin. Ik bre. Para 20 viteve kam botuar libra e punime për këto çështje dhe kam studijuar në universitet prestigjioz në Londër. Kosovarizmi i tij është primitivizëm antievropian, anti- rugovizëm. Rugovizmi është shqiptarizëm – koncept i djathtë politik. Halil Matoshi ka mbetur në shekullin e XX me teoritë e mësuara nga autorët që ka mundur ti lexoj serbo-kroatisht të ardhura nga Zagrebi e Beogradi, në Prishtinë. Aty është ende - e do mu bo pjesë e LDK-së.
Ai në fund me një përkushtim neveritës partiak, që të kujton militantë enveristë thotë - politika është besim prandaj unë i besoj 1001 her për çështje të atëdheut Ramush Haradinajt dhe zero herë i besoj Faton Abdullahut. Jam i bindur se ai nuk i beson as Ramush Haradinajt as Faton Abdullahut, për asgjë. Nuk mundet, nuk dinë. Nuk i ka pre sakica në një vend, për asgjë, asnjëherë. Ai në parti sjell fjalë, jo punë. Dhe fjalët e tij ja humbin votat çdo partie. A do t’i besosh tash e tutje shefit tënd të ri Kadri Veselit. Ashtu si u gëzova unë që nuk e pranua në LDK, ashtu do të gëzohen edhe ata kur do ta largojnë prej atje ku s’do ta bëj vendin./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat