Delawie: Nuk dua që në lista të shoh njerëz të akuzuar për korrupsion

Aktuale

Delawie: Nuk dua që në lista të shoh njerëz të akuzuar për korrupsion

Më: 19 maj 2017 Në ora: 15:22
Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie dhe kryetarja e KQZ, Valdete Daka

(E plotesuar) - Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, gjatë një vizite bërë në Komisionin Qendror Zgjedhor, u bëri thirrje liderëve politikë që në listat e kandidatëve për deputet, të mos përfshijnë njerëz, të cilët janë të përfshirë në korrupsion apo krime serioze, duke pohuar se ata nuk kanë vend në këto lista.

Delawie: Të korruptuarit s’kanë vend në listat për deputet

“Bëjë thirrje tek të gjithë liderët politik që të zotohen se do të mbajnë zgjedhje të lira nga mashtrimi dhe dhuna politike, të jeni të lirë nga mashtrimi dhe me lista të pastra të kandidatëve, sepse çdo person i përfshirë në korrupsion apo krime serioze sipas mendimit tim, nuk ka vend në listat e kandidatëve. Kosova ka shumë liderë politikë të talentuar,  të cilët nuk janë të përfshirë në këto aktivitete dhe të cilët meritojnë një rast . Kampanjat janë për atë se kush ka idetë më të mira, ato janë për të tërhequr aspiratat më të larta të popullit të Kosovës,  për të jetuar në një vend paqësor dhe të begatshëm në  rajon. Prandaj, iu bëj thirrje liderëve politik, që të mos pranojnë dhe të dënojnë të gjitha format e frikësimit” tha ai.

Delawie pati dhe një mesazh për qytetarët e Kosovës, të cilëve u tha se duhet të dalin më 11 qershor dhe të votojnë, pasi që e ardhmja është në duart e tyre. Ndërsa u shpreh i sigurtë, që KQZ, do ta bëjë maksimumin për të siguruar integritetin e votës.

Delawie: Vendimtar besimi i publikut

“Në të kaluarën ne kemi parë se si zgjedhjet mund ta dëmtojnë Kosovën. Përpjekjet tuaja në vitin 2014 kanë kontribuuar në një proces të drejtë, e cila besoj se është e drejtë fundamentale e çdo qytetari. Unë jam i sigurt se KQZ-ja do ta bëjë maksimumin për ta siguruar integritetin e votës, pasi që kjo është vendimtare që Kosova të vazhdojë të përmbushë standardet evropiane sa i përket zgjedhjeve.  Ambasada Amerikane do t’iu bashkohet organizatave tjera në vendosjen e ekipeve vëzhguese nëpër vendvotime anë e mbanë Kosovës. Ne besojmë se besimi i publikut është vendimtarë për zgjedhjet në Kosovë”, tha ai.

Ai tha se USAID është duke punuar rreth një programi me KDI-në, e cila përmes koalicionit jo-qeveritar Demokracia në Veprim do të rekrutojë, trajnojë dhe do të vendos 2.800 qytetarë monitorues, të cilët do të vëzhgojnë dhe do të regjistrojnë regjistrimin e votuesve, votimin dhe procedurat në qendrat e votimit.

Kurse, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se pas shumë proceseve zgjedhore, KQZ ka arritur që të sprovohet dhe të rrisë kapacitetet për të administruar zgjedhjet me kompetencë dhe se po punojnë maksimalisht në përmbushjen e detyrimeve kushtetuese dhe ligjore.

Daka: Ftoj subjektet politike të sillen sipas ligjit

“Nga këtu dua të garantoj të gjithë akterët e këtij procesi zgjedhor dhe sidomos qytetarët tanë, se KQZ mbetet e vendosur që do të punoj parreshtur për organizimin e këtyre zgjedhjeve, ashtu siç kërkohet me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, si dhe me standardet ndërkombëtare. Rritja e besueshmërisë në procesin zgjedhor, realizimi me integritet i tij, rritja e pjesëmarrjes së votuesve në zgjedhje, modernizimi i shërbimeve, janë vetëm disa prej aspekteve për arritjen e të cilave mbetet i përkushtuar KQZ. Zgjedhjet e lira, demokratike dhe sipas standardeve ndërkombëtare janë themeli i angazhimit institucional, sepse qëllimi ynë është zgjedhjet të gëzojnë besimin e qytetarëve dhe aktereve tjerë të procesit zgjedhor....Nga këtu dua t’i bëjë ftesë subjekteve politike që të sillen sipas ligjit dhe rregullave zgjedhore të KQZ-së, sepse në këtë mënyrë konsiderojmë se do t’i shërbejnë frymës  pozitive për një pro ces të suksesshëm zgjedhor”, tha ajo.

Image
Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie në KQZ

***

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie ka përsëritur thirrjen e tij, që në listat zgjedhore mos të ketë njerëz më aktakuza për korrupsion.

Ai gjatë një vizite që i ka bërë KQZ-së ka thënë se nuk dëshiron të shohë në lista njerëz, ndaj të cilëve ka aktakuza për korrupsion.

Delawie në konferencën e përbashkët për media me kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të dalin në zgjedhje.

Kryetarja e KQZ-së ka thënë se institucioni që ajo drejton është e përkushtuar që të organizojë një proces të rregullt.

Ajo ka falënderuar ambasadorin amerikan për mbështejen dhe bashkëpunimi.

Delawie bën thirrje për zgjedhje të lira e demokratike (Drejtpërdrejt)

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike për organizimin e një procesi zgjedhor demokratik, më 11 qershor.

“Bëjmë thirrje për zgjedhje të lira, fer dhe demokratike”, ka thënë Delawie, gjatë një takimi me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Ai kërkoi nga partitë politike që të garojnë me “lista të pastra”, ku nuk do të ketë persona nën hetime apo me të kaluar kriminale.

Njëherësh, Delawie bëri thirrje për fushata dinjitoze, për transparencë dhe sigurimin e të gjitha kushteve për punë për mediat, monitoruesit dhe vëzhguesit e zgjedhjeve.

Ai i ka dhënë mbështetje të plotë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ndërkohë, Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se i gjithë angazhimi do të jetë për organizimin e zgjedhjeve, të cilat dol të ishin model edhe për vendet tjera.

Delawie viziton KQZ-në

Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie po viziton KQZ-në.

Gjatë ditës KZQ-në e ka vizituar edhe përfaqësuesja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalia Apostolova, e cila u ka bërë thirrje të gjithë liderëve politikë që të sigurojnë se zgjedhjet dhe kampanjat zgjedhore do të kryhen në përputhje me standardet politike, si dhe të sigurojnë që në lista të vendosen kandidatet të që përmbushin standardet më të larta të zyrtarëve publik.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat