Në KQZ kanë aplikuar 5 koalicione, 19 parti dhe 2 iniciativa

Aktuale

Në KQZ kanë aplikuar 5 koalicione, 19 parti dhe 2 iniciativa

Më: 20 maj 2017 Në ora: 00:01
Valmir Elezi

(E plotësuar) - Për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit, në KQZ kanë aplikuar 5 koalicione, 19 parti dhe 2 iniciativa, që gjithsej janë 26 subjekte politike, të cilat kanë aplikuar për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje, theksoi zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Në koalicion me PDK është AAK-NISMA për Kosovën-PD- LB-PSHDK-PK-PLK-ADK-REK –PB-PSD- BKK. Ndërsa, me LDK në koalicion është AKR, derisa Lëvizja Vetëvendosje garon e vetme.

Elezi: Janë 26 subjekte politike që kanë aplikuar për certifikim

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se është përmbyllur afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike, të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen më 11 qershor. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se lista e subjekteve politike që aplikuan në këtë periudhë, 11 maj – 19 maj, është si në vijim, janë pesë koalicione, 19 parti politike dhe dy iniciativa qytetare. Pra, gjithsej janë 26 subjekte politike, të cilat kanë aplikuar për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e 11 qershorit”, theksoi Elezi.

Ndryshe, zgjedhjet e 11 qershorit vijnë pas rrëzimit të Qeverisë së Kosovës të drejtuar nga Isa Mustafa, pas votimit të mocionit të mos besimit.

Partitë dorëzojnë listat e kandidatëve për deputetë në KQZ

Lëvizja Vetëvendosje sapo ka dorëzuar listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 11 qershorit.

Ka qenë sekretari organizativ, Dardan Molliqaj që ka dorëzuar listën.

Molliqaj para mediave ka treguar se vet është pjesë e listës, ashtu sikur edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Ai ka thënë se më vonë do ta publikojnë listën e plotë, ndonëse nuk ka treguar se kush janë pesë emrat e parë në këtë listë.

***

Në këto momente edhe koalicioni PDK-AAK-Nisma për Kosovën në objektin e KQZ-së ka dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit.

***

Përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje kanë hyrë në objektin e KQZ-së për të dorëzuar listat për pjesëmarrje në zgjedhjet e 11 qershorit.

***

Në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) dorëzohen listat e partive politike dhe koalicioneve për deputetë për zgjedhjet e 11 qershorit.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat