Ymeri: Kosovën do ta zhvillojmë, ta bashkojmë dhe ruajmë kufirin

Aktuale

Ymeri: Kosovën do ta zhvillojmë, ta bashkojmë dhe ruajmë kufirin

Më: 25 maj 2017 Në ora: 12:20
Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri

Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ka prezantuar programin 40 pikësh të kësaj lëvizjeje, që sipas tij do të jetë “plani i fitores me 11 qershor”.

“Në këto pika ngërthehen të gjitha nevojat që i ka Kosova – që nga rritja ekonomike deri të mirëqenia sociale”, tha Ymeri.

“Ne e zhvillojmë Kosovën ekonomikisht, e bashkojmë Kosovën, e ruajmë kufirin”.

“Vetëvendosje e sheh zhvillimin e ekonomik me vizion, me angazhim aktiv të institucioneve dhe të të gjitha resurseve, atyre minerale, natyrore, financiare e kadrovike”.

Ymeri tutje ka thënë se Kosova dhe Shqipëria duhet të bashkohen në prodhimin e përbashkët të energjisë.

“Sistemi energjetik do të pavarësohet nga Serbia dhe do të bashkohet me atë të Shqipërisë”.

Poashtu ai ka thënë se këto dy vende do ta kenë edhe një treg të përbashkët.

Kryetari i Vetëvendosjes, ka thënë se nëse ata vijnë në Qeveri do ta mbështesin edhe bujqësinë – sidomos në sistemin e ujitjes.

“Ne do t’i rrisim subvencionet dhe grandet në bujqësi – 65% do të ketë subvencione dhe 35% grande”.

“Ndërsa prodhimeve vendore do të ju krijojmë treg në Kosovë”.

Ymeri ka folur edhe për krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

“Me ardhjen tonë në pushtet do ta ndajmë buxhetin për ta forcuar fillimisht këtë forcë e pastaj do të fillojmë bisedimet që ajo të shndërrohet në Ushtri e të integrohet në NATO”.

Tutje ai ka thënë se “me planin prej 13 pikave do të bëhet edhe bashkimi i Mitrovicës”.

“Ky plan parasheh një kombinim të masave ekonomike dhe sociale për ta bashkuar Trepçën e Mitrovicës së Kosovës”.

“Me Vetëvendosjen nuk do t’i falen toka askujt. Do ta rishikojmë marrëveshjen me Malin e Zi”.

Ymeri ka thënë se kujdes institucional do të ketë edhe për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat