LDK reagon ndaj sondazhit të porositur e të transmetuar nga RTK

Aktuale

LDK reagon ndaj sondazhit të porositur e të transmetuar nga RTK

Më: 26 maj 2017 Në ora: 11:48
LDK

Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate për media ka reaguar ndaj sondazhit të porositur të “Indeksonline” e të transmetuar nga RTK.

Sipas LDK-së, duke shkelur çdo standard profesional dhe Ligjin për Transmetuesin Publik, RTK, në lajmet qendrore ka transmetuar me shumë pompozitet rezultatet e këtij sondazhi.

Ja komunikata e plotë:

“Indeksonline”, një prej portaleve të Prishtinës, e dëshmuar për anshmëri politike, ka publikuar një, gjoja sondazh, të cilin vet e ka pranuar se është i porositur, por nuk ka treguar as prej cilës kompani është realizuar, cila metodologji është përdorur dhe as me sa respondentë është realizuar.

Publikuesi i gjoja sondazhit, s’ka dhënë asnjë shpjegim tjetër, të domosdoshëm, të paktën për ta shfaqur si të besueshëm.

Në karremin e rezultateve të këtij sondazhi të porositur, të cilat nuk i besojnë as ata që e kanë porositur, nuk kanë rënë mediat serioze të Kosovës. Por, “ka rënë” Radio Televizioni i Kosovës (RTK).

Duke shkelur çdo standard profesional dhe Ligjin për Transmetuesin Publik, RTK, në lajmet qendrore transmetoi me shumë pompozitet rezultatet e këtij sondazhi.

Në kushte normale, për këtë shkelje profesionale dhe ligjore, edhe ndaj “Indeksonline” si “porositës”, por edhe RTK si “transmetues” i këtij “sondazhi” do të duhej të kërkohej dhe të jepej llogari.

Por, ne në Kosovë nuk jemi në kushte normale. Të paktën jo deri më 11 qershor, kur do të flasë sovrani.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), pa u shqetësuar, për hir të sqarimit të anëtarësisë e përkrahësve të saj dhe opinionit publik, thekson se praktikat tashmë të njohura të publikimit të sondazheve të porositura, jo vetëm që janë demaskuar, por kanë prodhuar efekte të kundërta.

Sondazhet e porositura nuk mund ta ndryshojnë vullnetin e sovranit më 11 qershor, kur institucionet e pavarura të Kosovës, përfshirë këtu edhe RTK-në, do të ç’kapen.  

Zyra për Informim e LDK-së

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat