Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ ), ka bërë tërheqjen e shortit, për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim për zgjedhjet e parakohshme.
Sipas shortit koalicioni PDK-AAK- Nisma, do të garojnë me numrin 12, LDK-AKR-Alternativa me numër 16 dhe Lëvizja Vetëvendosje me numër 35.
Por numrat e njëjtë me të partive të cilave u përkasin, janë dhe deputetët që gjenden në listë, e të cilët mund të jenë më fat, pasi që numri i njëjtë me atë të partisë, mund t’iu sjellë më shumë vota, gjë që është dëshmuar dhe në të kaluarën.
Driton Selmanaj, i cili iu ka bashkangjitur LDK-s nga shoqëria civile në këto zgjedhje, e ka numrin e njëjtë me të koalicionit LDK-AKR-Alternativa, pra numrin 16.
Ky numër mund të jetë me fat për Selmanajn, kur dihet tashmë që deputeti i cili ka numrin e njëjtë me atë të partisë, mund të marrë një numër më të madh të votave. Pasi që jo rrallë herë, qytetarët votojnë numrin e partisë dhe numrin e njëjtë të deputetit që gjendet po në atë listë.
Ndërkaq numrin e njëjtë me të koalicionit PDK-AAK-NISMA, e mban deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu pra numrin 12. Haxhiu, e cila edhe në mandatin e kaluar ka qenë deputete nga radhët e AAK-së mund të mbledh vota më shumë, se sa që kishte shpresuar, fal numrit që mban në listë e deputetit.
Te Lëvizja Vetëvendosje, kandidati, i cili ka numrin e njëjtë me atë të partisë është i sapoaderuari në VV Ali Lajçi, ish-deputet i LDK-së në të kaluarën. Edhe Lajçi mund të konsiderohet me fat, pasi që ka numrin e njëjtë me atë të VV-së, pra numrin 35, numër këtë të cilin VV-ja e ka pasur dhe në zgjedhjet e kaluara.
Se a do të arrijnë të marrin më shumë vota, deputetët të cilët u ka rastisur t’i kenë numrat e njëjtë me të partive me të cilat garojnë në këto zgjedhje, mbetet të shihet pas zgjedhjeve të 11 qershorit.