Një tentim vrasje në Strellc, një i lënduar, dy të dyshuar

Aktuale

Një tentim vrasje në Strellc, një i lënduar, dy të dyshuar

Më: 28 maj 2017 Në ora: 18:34
Foto ilustrim

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Xhevat Ibra, ka konfirmuar se ka ndodhur një zënkë në fshatin Strellcë të Deçanit, ku një person është lënduar, ndërsa, dy të tjerë janë të dyshuar. Nuk ka treguar motivin dhe ka thënë se po punohet në zbardhjen e rastit. Burime tregojnë se shkak i kësaj tentim vrasje është një problem pronësor ndërmjet familjeve Dautaj dhe Gjukaj.

Sidoqoftë, Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Xhevat Ibra,  ka treguar se lëndimi i personit ka ardhur pasi është goditur me veturë derisa ende nuk është klasifikuar vepra penale. Ka thënë se arma dhe as një thikë nuk është përdorur në sulm.

“Një person ka pësuar lëndime joserioze, sipas vlerësimit të mjekëve. Nuk është klasifikuar ende vepra nga ana e Prokurorit. Dy persona janë të dyshuar. Nuk është përdorur arma. As mjeti tjetër i mbrehtë. Është goditur me automjet”, ka thënë Ibra.

“Rasti është në hetim dhe ende nuk dihet motivi.  Dihen kryesi, dy janë të dyshuar, tash varet prej Prokurorit se çfarë vendimi do të marrë. Rasti është nën hetim”, ka thënë ai.

Ndërkohë, burime të Express, kanë treguar se bëhet fjalë për një tentim vrasje, ku të përfshirë janë: B.Gjukaj dhe Xh.Dautaj.

Sipas burimeve, B.Gjukaj me armën “kallash” ia ka zënë pritën Xh. Dautaj, duke e kërcënuar, lidhur me një pronë, pompë e benzinës, e cila ishte në tender të Agjencisë Kosovare të Privatizimeve.

Prej pasluftës, për shkak të pronave, ka pasur edhe vrasje, derisa një pjesë e pronave shtetërore vazhdojnë të mbesin të uzurpuara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat