Jahjaga: Kriminelët e dhunës seksuale gjatë luftës duhet të dënohen

Aktuale

Jahjaga: Kriminelët e dhunës seksuale gjatë luftës duhet të dënohen

Më: 19 qershor 2017 Në ora: 14:12
Pamje nga tryeza e organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Dhunës

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka bërë të ditur se nga shtatori do të fillojë procesi për aplikimin e viktimave të dhunës seksuale për njohje dhe verifikim.

Jahjaga në një tryezë të organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Dhunës në Ditën Ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt, tha se viktimat për herë të parë do të kërkojnë me ligj të drejtat e tyre.

Jahjaga: Aplikimi fillon në shtator

“Aplikimi që pritet të nis në vjeshtën e këtij viti do të jetë një pikë kthese për të gjitha viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Për herë të parë që nga paslufta të mbijetuarit e dhunës seksuale do të kenë mundësinë që zyrtarisht dhe natyrisht në kushte të plota të anonimitetit do të kërkon të drejtat e tyre që u takojnë me ligj..... Dënimi i kryerësve të krimeve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë është pjesa ndoshta më kryesore, më kruciale, dhe më e rëndësishme e gjithë këtij procesi. Refuzimi i Serbisë për të pranuar krimet që janë ushtruar gjatë luftës nga regjimi Millosheviqit mbi popullatën në Kosovë dhe mungesa e vullnetit politik të Beogradit për të dhënë përpara drejtësisë ata kriminel janë pengesa shumë të mëdha dhe përpjekjet tona për të ofruar drejtësi të mbi 20 mijë grave dhe burrave që u bënë cak i dhunimit seksuale gjatë luftës”, tha ajo.

Jahjaga tha se çdo vonesë shtesë do të riviktivizonte dhe t’i ritraumatizonte të mbijetuarit e dhunës seksuale.

Ndërkaq, drejtoresha e Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Dhunës, Feride Rushiti tha se shënimi i kësaj dite synon që të rrisë ndërgjegjësimin për t’i dhënë fund dhunës seksuale në konflikte. Ajo gjatë kësaj tryeze ka paraqitu edhe tri rekomandimet e dala nga raporti i Kombeve të Bashkuara në prill të vitit 2017.

Rushtit: Tri rekomandimet e OKB-së

“Tri rekomandimet e fundit të dala nga raporti i sekretariatit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në prill të vitit 2017 përkojnë me të gjitha zhvillimet që i ka Kosova, edhe pse Kosova.....në këtë drejtim dua t’i ndaj tri më të rëndësishmet siç është të rishikohet korniza ligjore ku fuqimisht ky raport i inkurajon vendet anëtare të OKB-së por edhe organizatat rajonale të rishikojnë kornizën ligjore për politikat kombëtare për të siguruar që të mbijetuarit e dhunës seksuale të kryer nga grupet e armatosura apo terroristë të  njihen si viktima legjitime të konfliktit apo terrorizmit në mënyrë që të përfitojnë dëmshpërblim dhe trajtimin dinjëtoz. Po ashtu, rekomandimi dy thotë që të mbijetuarit e dhunës seksuale të jenë të administruar me legjislacionin vendor dhe të kemi institucione azhure që i ofrojnë shërbime shëndetësore kësaj kategorie.....rekomandimi i tretë fletë për përmirësimin e nor mave të dënimit për krimin e dhunës seksuale duke integruar mundësinë e mbështetjes ligjore në kujdes mjekësor psikosocial”, tha ajo.

Ajo shtoi se në këtë vit është formuar edhe Komisioni shtetëror për njohje dhe verifikim të viktimave të dhunës seksuale,  mirëpo sipas saj janë vonë në këtë proces të cilin po e zgjatë më tej edhe situata aktuale në vend.

I pranishëm në këtë tryezë diskutimi për viktimat e dhunës seksuale në konflikt ishte edhe Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O'Connell, i cili ka kërkuar nga qeveria e ardhshme pensione dinjëtoze për të mbijetuar e dhunës seksuale nga lufta e fundit në Kosovë.

O’Connell: Qeveria e ardhshme duhet të caktojë shumën e pensioneve

“Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të caktojë shumën e pensionit prandaj siç keni thënë edhe ju zonja presidente që të mos riviktimizohen të mbijetuarit ky pension duhet të jetë dinjëtoz. Ky pension që iu takon ata duhet të jenë të aftë të udhëheqin jetën sipas nevojave të tyre.....Andaj një shumë e vogël e pensionit do të ishte diskriminuese”, tha ai.

O’Connell shtoi se përkrahja  e Britanisë së Madhe për këtë kategori do të jetë e vazhdueshme me qëllim që të mbijetuarit e dhunës seksuale të mos të ndihen të fajësuar për atë që u ka ndodhur, dhe të mos të ndihen të neglizhuar për mbështetje nga institucionet e vendit.

Gjatë kësaj tryeze është nga të pranishmit thënë se buxhetin për reparacionin e të mbijetuarve të dhunës seksuale në luftën në Kosovë duhet ta paguajë Serbia, pasi që ajo është fajtore për këto krime.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat