KQZ vendos për rinumërimin edhe të 280 kutive të votimit

Aktuale

KQZ vendos për rinumërimin edhe të 280 kutive të votimit

Më: 19 qershor 2017 Në ora: 16:08
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

(E plotësuar) - Komisioni Qendror i Zgjedhor (KQZ) ka vendosur që të rinumërohen edhe 280 kuti të votimit, pasi paraprakisht kishte marrë rekomandim nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve. Rinumërimi i tyre do të bëhet për shkak të mospërputhjes së të dhënave të kandidatëve dhe subjekteve politike.

Rekomandim i QNR-së ishte që 150 kuti të votimit të futen në rinumërim të pjesshëm, ndërsa, 130 më rinumërim të plotë.

Koordinatori i QNR-së, Burim Ahmetaj tha sot se në pjesën e procedimit të të dhënave nga formularët e rezultateve një numër i madh i formularëve të rezultateve nuk kanë mundur të kalojnë auditimin.

Ahmetaj: Një numër i madh i formularëve nuk kanë mundur të kalojnë auditimin

“Në pjesën e procedimit të të dhënave përkatësisht në futjen e të dhënave nga formularët e rezultateve, një numër i madh i formularëve të rezultateve nuk kanë mundur të procedohen, ta kalojnë auditimin. Sikurse vendvotimet të cilat kanë qenë 115 vendvotime nga auditimi, që ju nënshtruan edhe rinumërimit. Arsyet janë pothuajse të njëjta, pra kemi raste kur subjekti nuk ka vota dhe kandidatët kanë vota dhe QNR në disa raste ju ka referuar edhe fletave të punës aty ku ka qenë e arsyetuar dhe ka mundur të korrigjojë ato raste, do të thotë i ka përmirësuar, aty ku nuk ka mundur që t’i korrigjojë ato raste janë sjell edhe tek ju”, tha ai.

Ai paraqiti edhe propozimet e QNR-së, sipas të cilit në vendvotimet ku diferenca është më e madhe sesa 10 vota për të gjitha kategoritë të rinumërohen.

Ahmetaj: Kemi bërë një kategorizim të mospërputhjes ose diferencës

“Kemi bërë një kategorizim të mospërputhjes ose diferencës që mund të dallojë nga vendvotimi i parë deri tek vendvotimi i fundit. Kategoria e parë është prej numrit për diferencë, tejkalimi i votave në vendvotime, të cilat kanë diferencën apo tejkalimin prej një vote deri në 10 vota dhe i referohet rekomandimit nga kategoria 1a, ku mospërputhja e votave të kandidatëve të një subjekti kur diferenca nuk kalon mbi 10 vota. Pra, rekomandimi është që votat vetëm për këtë subjekt të rinumërohen, ndërsa në ato rastet kur vërehet mospërputhje të kërkohet edhe leja e KQZ-së për t’u rinumëruar të gjitha. Ndërsa, për vendvotimet ku diferenca është më e madhe sesa 10 vota për të gjitha kategoritë, rekomandimi është që të rinumërohen”, tha ai.

Ndërkohë ai bëri të ditur se Qendra e Numërimit dhe Rezultateve ka përmbyllur procesin e rinumërimit të 115 vendvotimeve, të cilat nuk kanë mundur të kalojnë auditimin për shkak të parregullsive. Sipas tij, rinumërimi është kompletuar sot dhe materiali nga këto vendvotime tani është duke ju nënshtruar procedurës të zakonshme të procedimit të formularit të rezultateve.

Betim Gjoshi, përfaqësues i PDK në KQZ, tha se e përkrahë edhe më tutje që rinumërimi të bëhet i plotë.

Gjoshi: Me vazhdua me vendimin që e kemi pasur herën e kaluar

“Qëndroj pas parimit që një këshill i vendvotimit që ka mundur të gabojë tek një subjekt ose të një kandidat, mund tek të gjithë me vazhdua me vendimin që e kemi pasur herën e kaluar. Mundemi t’i kërkojmë ndjesë publikut që ndoshta po na merr më shumë kohë, por ju sugjeroj që me vazhduar punën dhe me pas mundësi me riorganizuar, ndoshta me ndërrime,  që një ndërrim me i numëruar të paktën dy kutia. Ndoshta me zgjatë orarin apo me i bë tri ndërrime, me ka 5 orë aq sa po zgjatë rinumërimi i një kutie dhe me vazhduar me numërimin”, tha ai.

Ndërsa, përfaqësuesi i Vetëvendosjes në KQZ, Adnan Rrustemi tha se e përkrahë rekomandimin e QNR-së, për të përfituar në kohë që të kenë rezultate dhe proces sa më shpejt të përmbyllur.

Rrustemi: Jam për një vendim që i respekton rekomandimet e QNR-së

“Është e vërtet që është një numër goxha i madh i kutive dhe nëse e shohim dinamikën e numërimit të 115 kutive, shihet qartë që do të merr kohë rinumërimi, respektivisht shpallja e rezultateve përfundimtare dhe certifikimi i tyre në fund. Unë nuk jam kundër rinumërimit të përgjithshëm edhe për kategorinë e parë, sado që jam për një vendim që i respekton rekomandimet e QNR-së, në këtë rast për të fituar në kohë që të kemi rezultate edhe proces sa më të shpejtë të përmbyllur”, tha ai.

Rinumërimi 280 kutive të votimit e qon në 425 numrin e kutive të rinumëruara

KQZ vendos të rinumërohen 280 kuti të votimit

 KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen edhe 280 kuti të votimit, rekomandim ky i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve.

Prej tyre 150 në rinumërim të pjesshëm, ndërsa, 130 më rinumërim të plotë. Rinumërimi i tyre do të bëhet për shkak të mospërputhjes së të dhënave të kandidatëve dhe subjekteve politike.

Mbledhja e KQZ-së (Drejtpërdrejt)

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po mban mbledhjen e radhës.

Mbledhjen pritet ta hap kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, por gjithashtu pritet tw jepet raporti nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat