Tahiri kërkoi thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Gjermanisë

Aktuale

Tahiri kërkoi thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Gjermanisë

Më: 19 qershor 2017 Në ora: 18:19
Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, po qëndron për vizitë në Berlin.

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, e cila po qëndron për vizitë në Berlin, sot zhvilloi takime me zyrtarë të Qeverisë gjermane, ku u bisedua për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Kosovës dhe Gjermanisë dhe për avancimin e agjendës euroatlantike të Kosovës.

Siç njofton zyra e ministres Tahiri, në Ministrinë për Ekonomi të Gjermanisë, Tahiri u prit nga drejtori për Ballkanin, Helge Tolksodorf. Në takim mori pjesë edhe Heike Backofen – Warnecke, zëvendësdrejtore për Ballkanin në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik si dhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Berlin, Skender Xhakaliu.

“Në këtë takim, ministrja Edita Tahiri kërkoi thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Gjermanisë duke potencuar rëndësinë e rritjes së investimeve ekonomike të Gjermanisë në Kosovë. Ajo, po ashtu, vlerësoi rritjen e angazhimeve të Gjermanisë në Kosovë dhe rajon, me ç'rast nënvizoi se procesi i Berlinit po i jep një shtytje të re rimëkëmbjes ekonomike të rajonit, përmes stimulimit të bashkëpunimit rajonal dhe mbështetjes për infrastrukturën dhe interkonektivitetin rajonal. Ministrja Tahiri theksoi se me qëllim që agjenda e interkonektivitetit të ketë sukses në zbatimin praktik, duhet të hiqen pengesat e caktuara në raportet fqinjësore mes shteteve, duke kërkuar nga Gjermania që të angazhohet për zhbllokimin Marrëveshjes së Brukselit për Energjinë, e cila po mbahet peng nga ana e Serbisë. Ajo tha se Serbia duke e mbajtur të bllokuar marrëveshjen për Energjinë jo vetëm që po cenon sigurinë energjetike në r ajon, por po bëhet pengesë për Kosovën si dhe për operimin e interkoneksionit energjetik mes Kosovës dhe Shqipërisë për të cilën Gjermania ka investuar. Prandaj, në prag të Samitit të Triestës që mbahet në muajin korrik, është me rëndësi që Serbia të zhbllokojë marrëveshjen për Energjinë, për t'i hapur rrugë sukseseve të procesit të Berlinit, në funksion të ardhmërisë më të mirë në rajon”, thuhet nw komunikatë.

Drejtori për Ballkanin në Ministrinë gjermane të Ekonomisë, Helge Tolksdorf, tha se Gjermania mbështet shtetin e Kosovës në proceset e përparimit shtetëror si në planin e brendshëm ashtu edhe në integrimet euroatlantike, dhe fokusi jonë është po ashtu i përqendruar në përkrahjen ekonomike për Kosovën.

“Në këtë periudhë të përgatitjeve intensive për Samitin e Triestës në kuadër të Procesit të Berlinit, jemi të vetëdijshëm për pengesat dhe jemi shumë të angazhuar që të gjejmë rrugët për heqjen e pengesave që vijnë nga moszbatimi i marrëveshjes për Energjinë të arritur mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Po ashtu, Gjermania ka dhënë mbështetje financiare për interkoneksionin energjetik mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe ne jemi shumë të interesuar për funksionimin e saj, sepse në këtë mënyrë i bëjmë realitet angazhimet tona për interkonektivitetin rajonal në fushën e energjisë, që hap rrugë për zhvillimin ekonomik të vendeve të rajonit”, theksoi Tolksdorf.

kurse Warneke, zëvendësdrejtore për Ballkanin në Ministrinë për Zhvillim Ekonomik theksoi përkushtimin e Gjermanisë për mbështetje ekonomike për Kosovën duke thënë se Kosova është në agjendën e prioriteteve ndërsa premtoi një bashkëpunim edhe më thellë në këtë drejtim. Ajo potencoi rëndësinë e zbatimit të agjendës së procesit të Berlinit si dhe angazhimet e tyre konkrete për të ndihmuar në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit për Energjinë dhe vazhdimin e dialogut për fqinjësi të mirë në Bruksel. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat