Vendosen kamera në qendër të Kaçanikut

Aktuale

Vendosen kamera në qendër të Kaçanikut

Më: 24 qershor 2017 Në ora: 10:23
Kaçanik

Komuna e Kaçanikut ka nisur vendosjen e kamerave në qendër të këtij qyteti.

Komuna e Kaçanikut ka bërë vendosjen e kamerave me vlerë 33 mijë euro në qendër të qytetit.

Zyrtarë nga Komuna e Kaçanikut për kallxo kanë bërë të ditur se kamerat janë vendosur nga  hyrja e qytetit  në drejtim të bulevardit “Ismet Raka”.

“Pjesa e parë e projektit e  ka përfshi pjesën prej hyrjes në qytet që shkon në Bulevardin ‘Ismajl Raka’, përfshirë edhe parkun e qytetit”, ka bërë të ditur Fatlume Guri.

Sipas një njoftimi nga Komuna e Kaçanikut pritet që të realizohet edhe pjesa e dytë e këtij projekti me vlerë 18, 789 euro.

Fatlume Guri, zëdhënësja e komunës, tha se projekti i vendosjes së kamerave është financuar prej fondeve të Bashkimit Europian si dhe pritet të vazhdojë edhe më tej me fonde të Komunës së Kaçanikut.

“Pjesa e parë është financu prej fondeve të Bashkimit Europian, kurse pjesa e dytë është financu prej komunës edhe kanë me përfshi pjesë të tjera. Veç ka fillu me u realizu projekti. Ka me përfshi krejt edhe pjesën tjetër- do të thotë krejt qendra e qytetit ka me u mbulu me kamera”, tha Guri.

Pamjet nga kamerat  në qytetin e Kaçanikut do të mbikëqyren nga stacioni policor i këtij qyteti.

“Këto kamera kanë me u monitoru prej Stacionit Policor në Kaçanik, Komuna nuk ka me qenë e përfshine në monitorim”, tha Guri.

Ajo deklaroi se vendosja e kamerave nuk lidhet me ndonjë ngjarje të caktuar të ndodhur në këtë qytet.

“Ideja ka qenë moti, por  për shkak të mundësisë së mosfinancimit nuk ka qenë e mundur më herët dhe tash  janë të gjithë të kënaqur edhe është në hapje ky projekt, por pa ndonjë arsye që ka ndodhur diçka në këtë vit. Gjithmonë ka qenë ideja, por nuk kemi pasur mundësi më herët për shkak të financave”, sqaroi Guri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat