Gruaja e veprimtarit të njohur rrëfen “bashkëjetesën” 22-vjeçare me kombëtaren “Bota sot”

Aktuale

Gruaja e veprimtarit të njohur rrëfen “bashkëjetesën” 22-vjeçare me kombëtaren “Bota sot”

Nga: Gresa Bajraktari Më: 26 qershor 2017 Në ora: 11:31
Shukrije Bunjaku Osmani, bashkëshortja e idealistit të madh kombëtar, Kadri Osmani, lexuese e rregullt e gazetës “Bota sot”

22 vjetori i gazetës kombëtare “Bota sot”, na takoi me një person shumë të veçantë. Për 22 vjet me radhë zonja Shukrije Bunjaku Osmani, nuk la asnjë numër të gazetës “Bota sot”, pa e blerë e lexuar. Me ëndje lexon edhe sot e kësaj dite çdo numër të gazetës, ndërsa thotë se “Bota sot”, e ka orientuar popullin kah demokracia dhe fryma rugoviane.

Rrudhat në fytyrë nuk tregojnë vitet që ka. Shukrije Bunjaku Osmani është gruaja që në dhjetor të këtij viti mbush 80 vjet. Thotë, se ka vuajtur shumë dhe se nevojitet një javë kohë për të treguar për jetën e saj, ndonëse në pleqërinë të cilën po e jeton ajo nuk ankohet për ndonjë sëmundje. Leximi i gazetës “Bota sot”,  është aktivitet që zonja Shukrije bën çdo ditë.

Thotë se e lexon që nga fillimi i botimit të saj, kur jetoi në Shqipëri për 4 vite, madje edhe kur jetoi në Zvicër për një kohë. Zonja Shukrije, thotë se “Bota sot”,  ishte e vetmja gazetë që tregonte realitetin. Pavarësisht kundërshtimeve, ajo thotë se i ka dalë gjithmonë në mbrojtje.

“Më ka pëlqyer që e ka treguar realitetin, ka shkruar vetëm për të vërtetën çka po ndodh, atë që shihnim që po ndodh, kjo e shkruante të vërtetën, prandaj e kemi lexuar gjithmonë. Të tjerat nuk e shkruanin të vërtetën. Na kritikonin kur na shihnin duke e lexuar, unë u thosha përkundrazi, kjo është e shqiptarëve. Por, kështu kishin qenë shqiptarët, të përçarë gjithmonë por nuk kemi ditur”, rrëfen zonja Shukrije, duke shtuar se “Bota sot”, mbronte ideologjinë e Rugovës, për të cilin thotë se është meritori për këtë që jemi sot.

Image
Shukrije Bunjaku Osmani, bashkëshortja e idealistit të madh kombëtar, Kadri Osmani, me gazetaren e gazetës "Bota sot", Gresa Bajraktari

Gjithmonë në mbrojtje të gazetës “Bota sot”

“Unë ju kam thënë që “Bota sot”, është gazeta më kombëtare dhe e kam mbrojtur e i kam kritikuar ata se ata janë kundër shqiptarëve, se ata po e kundërshtojnë Rugovën, ideologjinë e Ibrahim Rugovës. Sepse duke ju falënderuar Ibrahim Rugovës ne jemi gjallë. Pasi në 1981 kur dilnin në demonstrata, Evropa dhe Amerika nuk donin të dëgjonin pasi Tito ishte bashkuar me ta dhe ata e kundërshtonin enverizmin.  Ndërsa gazeta Bota sot e ka mbrojtur ideologjinë e Ibrahim Rugovës. Kur u formua Lidhja Demokratike të gjithë iu bashkuan asaj, i hodhën librezat e komunizmit dhe u bashkuan me Rugovën dhe u kthyen kah Amerika, e lanë marksizëm leninizmin. Por në Lidhjen Demokratike hynë enverista edhe u kamufluan si demokratë, e kanë pranuar edhe vetë që kanë futur për të marrë siç thoshin kalanë nga brenda, duke thënë se janë me Rugovën”, vazhdon rrëfimin zonja Shukrije.

Për shkak të gjendjes së atëhershme i mungoi shkollimi i duhur dhe thotë se vajzat nuk i dërgonin në shkollë. Por, ajo është në dijeni për politikën edhe sot, pasi e përcjell atë. Thotë se populli shqiptar gjithmonë ka qenë i përçarë dhe për këtë thotë se i ka fajet enverizmi.

“Metush Krasniqi ka thënë se pa u rrëzuar pushteti i Enver Hoxhës, Kosova nuk çlirohet dhe ashtu ndodhi. Por kur shkuam në Shqipëri e kemi parë gjendjen, katastrofë, gënjeshtrat që kanë thënë, vuajtjet e popullit, kemi qëndruar 4 vjet. Populli shqiptar kish qenë gjithmonë i përçarë. Enverizmi na ka përçarë dhe po ia shohim sherrin edhe sot dhe do t’ia shohim sherrin edhe 100 vjet. Gjysma janë kundër, e kanë kuptuar se Enveri s’ka qenë i mirë, ka qenë antikombëtar por disa e përkrahin dhe fillon përçarja mes vete, disa pro disa kundër dhe janë ndarë në blloqe”, thotë ajo.

E fortë dhe shumë energjike pavarësisht moshës që ka, 79 vjeçarja thotë se e lexon gazetën që nga fillimi, komenti e deri tek sporti.

Zonja Shukrije e njeh mirë situatën politike

Duke qenë një lexuese e rregullt e gazetës “Bota sot”, ajo përmend edhe emra të gazetarëve, analistëve e opinionistëve që i lexon.

“I mbaj mend gazetarët Mimoza Lakna, Diana Bunjaku, Gresa Bajraktari, pastaj analistë Skënder Zogaj, që më pëlqen shumë dhe i besoj më së shumti në atë që thotë, Faik Krasniqi, Enver Bytyqi, Xhevat Rexhaj, Fadil Lepaja, ndërsa në fillim kanë qenë Elida Buqpapaj dhe Skënder Buqpapaj”, rrëfen zonja Osmani, e cila është bashkëshortja e të burgosurit politik dhe mësuesit Kadri Osmani.

Përpos që e lexon vet gazetën, ajo ka bërë që edhe vëllezërit e saj ta blejnë atë, pasi ajo i kishte bindur se është më e mira dhe ia vlen të lexohet.

Me ëndje flet për gazetën por ndryshe është kur pyetet për gjendjen politike në Kosovë.

“U bo drithë e miell. Nuk e din njeri çka me thanë”, thotë duke qeshur.

Osmani përmend gabimet e LDK-së për koalicionin me PDK-në, por që thotë se kjo iu bë e qëllimshme.

“Isa Mustafa bëri gabim që u bashkua me PDK-në por ndoshta u detyrua dhe prapë pak nisi me zhvillu ekonominë dhe ky Hoti dukej i talentuar për ekonomi, financa dhe nisi të zhvillohej, por Thaçi e ka pasur me qëllim të bashkohej me Isën për ta rrëzuar pastaj dhe u bashkuan dhe e rrëzuan. Të gjitha partitë politike janë ngritur për ta shkatërruar Lidhjen Demokratike sepse është e vetmja pro-perëndimore dhe këta janë majtistë. Këtë të gjithë i dimë, Thaçin e dimë të gjitha veprimet e tij, vrasjet e pasluftës e këto por Lidhja Demokratike bëri gabim kur u nda kur ishte Nexhat Daci, duke thënë unë po bëhem kryetar, por shqiptarët janë kështu, as në familje nuk bëhen të gjithë bashkë”, rrëfen Shukrije Bunjaku Osmani.

“Lëvizja Vetëvendosje dhe Thaçi janë ekstremistë”

Duke e parë edhe rrezikun për konflikt tani për formimin e qeverisë, ajo jep edhe vlerësimin e saj se kush do të duhej të qeverisë me vendin.

“Tash kush po bashkohet nuk e di. Isa Mustafa dhe Kurti nuk po bashkohen. Vetëvendosje njëherë ka qenë shumë ekstreme, e gjuajti me flakë policinë, hynte në parlament me tym, shkonte në ekstreme, nuk besoj që mund të bëjnë qeveri, ndoshta është më mirë që të bashkohet me LDK-në edhe me e lënë PDK në opozitë por ata nuk lëshojnë pe lehtë dhe kam frikë që shkojnë në konfrontim, Lëvizja Vetëvendosje dhe Thaçi janë ekstremistë, mund të bëjnë luftë. Ndërsa rugovistët nuk janë ekstremistë, nuk bëjnë probleme e shikojnë punën e vet edhe nëse shkojnë në opozitë. Më mirë unë kisha thënë që këta tjerët të bëjnë çka të duan. Ndërsa LDK-ja të merret me veten, ta reformojë, ta vë në rrugë të drejtë, të forcohet njëherë dhe kur të bëhen zgjedhjet tjera do të jetë më mirë për ta”, shprehet ajo.

Si lexuese e gazetës dhe përcjellëse e aktualitetit në Kosovë, ajo flet edhe për koalicionin që bëri Ramush Haradinaj me PDK-në.

“Për Ramushin nuk di çka të them, në luftë ka qenë më trim, ka luftuar por si po dëgjoj ai ka bërë gabime dhe ai ju ka kërcënuar Rugovës, i ka thënë do të të luftoj ma zi se shkaun. Ka gabuar Ramushi që ka shkuar me Kadri Veselin, bashkë me Thaçin dyshohen se kanë bërë vrasje. Vetëm vrasja e Ahmet Krasniqit e ka shkatërruar ushtrinë e Kosovës, ministër i mbrojtjes së Kosovës që e ka bërë Rugova ai do ta bënte dhe do të formohej ushtria, po të bashkohej FARK-u dhe gjithë bashkë, por  e dërguan në Oslo të Norvegjisë, kinse për marrëveshje dhe në gazetë kam lexuar se e kanë dërguar për ta vrarë, Nga ajo që kam lexuar në Tiranë e vranë në bashkëpunim me policinë e Fatos Nanos, enveristat e Kosovës dhe Shqipërisë u bënë bashkë kundër tij”, thotë ajo.

Me mall e kujton edhe bashkëshortin e saj, Kadriun, i cili ishte burgosur disa herë, duke e lënë për nëntë vite vetëm me fëmijët nga viti 1874, derisa ai ishte në burg.

“Bota sot”, e orienton popullin kah demokracia

Vazhdon të shkruajë e të lexojë pa asnjë problem edhe sot, teksa tregon që shkrimin dhe leximin i kishte mësuar në moshën 7 vjeçare në odat e asaj kohe, kur u mblidhnin për të ndjekur një lloj kursi për shkrim-lexim, për të vazhduar më pas shkollimin tetëvjeçar pasi u martua dhe bëri tre fëmijë dhe e gjitha kjo me insistimin e burrit të saj, i cili kishte vazhduar shkollimin edhe pasi ishin martuar, edhe fakultetin dhe kishte punuar mësues.

Si momentin më të vështirë e kujton burgosjen e burrit të saj për herë të parë në vitin 1969, kur kishte qëndruar në burg për vetëm një muaj, por thotë se ka qenë mërzia më e madhe pasi ka menduar se nuk do ta lirojnë kurrë.

E vështirë thotë të ketë qenë edhe rritja e fëmijëve për nëntë vite derisa Kadri Osmani ishte në burg, por përmend shokët e tij dhe popullin që i kishte ndihmuar me gjëra ushqimore.

Krejt në fund ajo na porosit që të vazhdojmë shkrimin e të vërtetës në gazetën e saj të preferuar “Bota sot”, duke iu bërë thirrje edhe njerëzve të tjerë që ta lexojnë, si dritare e të vërtetës.

“Shkruani të vërtetën, për korrupsionin, vrasjet dhe thoni të vërtetën. Lexuesit le ta kuptojnë mirë leximin, mos të lexojnë gjëra të pavërteta por le ta lexojnë gazetën Bota sot sepse ajo e orienton popullin kah demokracia, kah Rugova, sepse Rugovën nuk duhet ta harrojmë nuk duhet ta hedhim poshtë, sepse ai na ka kthyer kah Amerika na ka hequr nga marksizëm leninizmi”, përfundon rrëfimin e saj Shukrije Bunjaku Osmani, me fjalët se do ta vazhdojë ta lexojë çdo ditë gazetën Bota sot.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat