I arrestuari për krime në Nju Jork, vozitës i Konsullatës dhe i afërt me Thaçin e Hoxhajn

Aktuale

I arrestuari për krime në Nju Jork, vozitës i Konsullatës dhe i afërt me Thaçin e Hoxhajn

Më: 29 qershor 2017 Në ora: 15:47
Albert Veliu

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), publikuan dje njoftimin për arrestimin e gjashtë personave në Nju Jork, në mesin e tyre shqiptarë dhe të huaj, si dhe 4 të tjerëve në Kosovë, nën dyshimin për krim të organizuar, shpëlarje parash, trafikim ndërkombëtar të armëve dhe  zhvatje.

Sipas njoftimit, operacioni është kryer në bashkëpunim ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Agjencisë Kundër Drogës (DEA) në SHBA.

Në mesin e të arrestuarve në Nju Jork është edhe Albert Veliu, i cili deri më tash ishte vozitës zyrtar i Konsullatës së Kosovës në Nju Jork. Po ashtu, i arrestuar në mesin e narko-dilerëve të dyshuar e transportuesve të armëve të rënda, është edhe vëllai i tij, Alban Veliu.

Ajo që nuk dihet është se Albert Veliu nuk është thjesht një vozitës i Konsullatës së Kosovës në Nju Jork. Ai është i afërt edhe më zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës.

I njëjti kishte qëndruar në kohën e fushatës në Kosovë, siç merr vesh media, me kërkesë të ministrit në detyre të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhajt.  Merret vesh se Hoxha kishte kërkuar nga Veliu që t’i ndihmojë partisë së tij gjatë fushatës.

Gjatë kohës së ka qëndruar në Kosovë, Veliu është takuar edhe me bashkëpunëtorin e ngushtë të ish kryetarit të PDK-së, tash presidentit Hashim Thaçi, Edi Sejdiun. Sejdiu, aktualisht mban pozitën e Shefit të Protokollit në zyrën e Presidentit Thaçi.

Sa për ta “dëshmuar” takimin e tyre, Veliu e Sejdiu kishin publikuar një foto të përbashkët të tyre në rrjetin social “Instagram”. Sipas përcaktimit të lokacionit, takimi i tyre ishte zhvilluar në kafiterinë “Bon Vivant”, pronë e nënkryetarit të PDK-së, Uran Ismajli.

Image
Edi Sejdiu dhe Albert Veliu

Media merr vesh se ish-Ambasadori i Kosovës në SHBA, Bekim Sejdiu kishte kërkuar disa herë shkarkimin nga puna të Albert Veliut nga Konsullata në SHBA, por kjo gjë ishte refuzuar fuqishëm nga Thaçi e Hoxhaj në vazhdimësi.

Shkarkimin e tij e kishte kërkuar edhe Konsullja e përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju Jork, Teuta Sahatqija, por nuk ka pasur asnjë rezultat konkret në këtë drejtim, falë mbështetjes së pakompromis që Thaçi e Hoxhaj ia kanë bërë të dyshuarit për krime të rënda në SHBA, Albert Veliut.

Për rastin, Gazeta britanike “Daily Mail” shkruan se zola anti-tank dhe pushkë automatike AK-47 do të shkonin për bandat meksikane në kufi me SHBA-të, nga grupi ku bënin pjesë edhe dy vëllezërit Veliu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat