Pjesëtarët serbë të FSK-së nuk i pengon transformimi në FAK

Aktuale

Pjesëtarët serbë të FSK-së nuk i pengon transformimi në FAK

Më: 7 korrik 2017 Në ora: 11:50
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

(E plotësuar) - Janë certifikuar 61 rekrutë të rinj nga komunitetet jo shumicë në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Të sapo certifikuarit, janë shprehur të lumtur që i shërbejnë kësaj force, derisa thonë se nuk i pengon transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura. Ata, madje, ndihen mirë që do të shërbejnë në ushtrinë e ardhshme të Kosovës.

Pjesëtari më i ri i FSK-së, nga komuniteti serb Velko Çurçiq, thotë se e sheh të ardhmen në Kosovë, pasi dëshiron të punoj dhe të jetoj këtu, sepse nuk ka pengesa nga askush. Madje, fton edhe bashkëkombësit e tjerë të tij që t’i bashkohen FSK-së dhe institucioneve tjera shtetërore.

Çuqiq: Nuk më pengon transformimi i FSK-së

“Jo, me sa di unë jo...Ata të paraqiten në konkurse dhe të kërkojnë punë...Jo, nuk do të thosha se më pengon”, ka thënë ai.

Një i ri tjetër serb, Stefan Gjukiq nga Zubin Potoku e quan përvojë të mirë t’i shërbejë ushtrisë së Kosovës dhe ndihet mirë për këtë.

Gjukiq: Më pëlqen jeta ushtarake

“Kemi kërkuar punë. Më pëlqen jeta ushtarake, babai im është polic, e dua këtë punë”, ka thënë ai. Kjo është një përvojë e re, unë jam këtu për herë të parë, super. Është një përvojë e re”, ka thënë Gjukiq.

Në këtë ceremoni morën pjesë edhe personalitete të larta shtetërore. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, e ka quajtur hap të rëndësishëm dhe të guximshëm për karrierën dhe të ardhmen e 61 kadetëve të rinj të FSK-së nga radhët e komuniteteve jo shumicë. Ai theksoi se po punojnë pa ndalë bashkë me partnerët për transformimin e FSK-së në FAK.

Thaçi: Po punojmë që ta përmbyllim transformimin e FSK-së në FAK

“Institucioni të cilit ju po i bashkoheni sot është shembulli më i mirë i një institucioni demokratik, shumetnik dhe profesional, duke i përfaqësuar më së miri vlerat e shtetit tonë të përbashkët. Ju e dini që në përputhje me rekomandimet e rishikimit të sektorit të sigurinë, unë si president dhe institucionet e Kosovës, në koordinim të plotë me partnerët tanë strategjik, po punojmë për ta përfunduar transformimin e FSK-së në Forca të Armatosua të Kosovës, që nënkupton ndryshime të rëndësishme në mandatin, misionin, madhësinë dhe strukturën e FSK-së”, tha Thaçi.

Sipas kreut të shtetit, askush në rajon nuk duhet të shqetësohet për këtë proces të natyrshëm dhe të domosdoshëm, pasi FSK as tani nuk dallon shumë nga ushtritë tjera.

Thaçi: Pas transformimit do të vazhdoni të shërbeni me dinjitet

“E them me bindje këtë gjë, sepse FSK-ja edhe sot nuk dallon shumë nga ushtritë e tjera. Ndërsa, jam i sigurt se pas transformimit, ju pjesëtarë të të gjitha komuniteteve do të vazhdoni të shërbeni me dinjitet në interes të mbrojtjes së sovranitetit të Kosovës, të mbrojtjes së pronës dhe trashëgimisë suaj. Ju edhe sot po kontribuoni për ndërtimin dhe ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe atij global”, tha presidenti Thaçi.

Thaçi tha se përbërja shumetnike e FSK-së është mesazhi më i mirë se si duhet të jenë të integruara komunitetet në jetën shoqërore e institucionale të një shteti demokratik. Derisa, mënyra e vetme dhe më e mirë për mbrojtjen dhe avancimin e interesave të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë në këtë rast edhe të komunitetit serb, sipas tij, është dhe mbetet vetëm përmes pjesëmarrjes së tyre aktive në institucionet tona shtetërore.

Ndërsa, ministri në detyrë i FSK-së Haki Demolli tha se certifikimi i 61 rekrutëve pas trajnimit intensiv 9 javor është hap i radhës  rëndësishëm në ngritjen e kapaciteteve njerëzore të FSK-së që të krijon bazën e mirë për ecjen tonë drejt realizimit të objektivave tona ligjore e që janë krijimi i një force operacionele, fleksibile dhe profesionale, e cila do të jetë e aftë të realizoj me përkushtim dhe përpikëri të gjitha detyrat e saj.

Ai tha se me certifikimin e këtyre rekrutëve nga komunitetet, po dëshmohet se FSK është bërë e dashur dhe e besueshme për të gjithë qytetarët e Kosovës, multietnike, e hapur për të gjithë dhe në shërbim të të gjithëve.

Demolli: Po certifikoheni në kohën e transformimit të FSK-së në FAK

“Ky vullnet i madh i juaji dëshmon se ju keni bërë zgjidhjen e duhur kur jeni përcaktuar për të shërbyer në FSK, për t’i shërbyer Republikës së Kosovës dhe gjithë qytetarëve të saj, pa dallime kombi, race apo gjinie. Me këtë veprim ju keni nderuar vetën dhe familjet e juaja. Ju po certifikoheni në një moment shumë të rëndësishme në ndërtimin e kapaciteteve mbrojtëse të shtetit tonë, në kohën kur tanimë janë kryer planifikimet dhe përgatitjet e duhura për procesin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës”, u shpreh Demolli.

Sipas tij, ky transformim do të bëhet në bashkëpunim me qytetarët, spektrin politik, komunitetet dhe partnerët ndërkombëtarë, NATO-në dhe vendet tjera përkrahëse.

Në këtë ceremoni mirënjohje iu ndanë rekrutëve të dalluar dhe instruktorëve të dalluar. Ndryshe, pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë në këtë ceremoni janë betuar në gjuhën serbe. 

Thaçi: FSK dëshmon se si duhet integruar komunitetet në jetën institucionale

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha sot se përbërja etnike e FSK-së tregon më së miri se si duhet integruar komunitetet në jetën institucionale dhe se FSK nuk dallon shumë nga ushtritë e rajonit.

Ai këto komente i bëri me rastin e certifikimit të 61 rekrutëve të FSK-së nga komunitetet jo shumicë, pas trajnimit 9 javor në Qendrën e Doktrinës dhe Stërvitjeve në Ferizaj.

Thaçi tha se si president në bashkëpunim me partnerët po punojnë për ndryshimin e mandatit të FSK-së. Kreu i shtetit theksoi se askush nuk duhet të shqetësohet për këtë proces të natyrshëm. Sipas tij FSK edhe tash nuk dallon shumë nga ushtritë e rajonit.

Ai tha se rezultatet që po i sjellin Kosovës pjesëtarët e FSK-së po i bënë krenar të gjithë dhe se përbërja etnike e FSK-së tregon më së miri se si duhet të integrohen komunitetet në jetën institucionale.

Ministri në detyrë i FSK-së, Haki Demolli tha se certifikimi i 61 rekrutëve është një hap i radhës për ngritjen profesionale të FSK-së. Demolli theksoi se rekrutët e rinj janë nga komuniteti serb dhe malazez që tregon se FSK po bëhet e dashur për të gjithë.

Ai tha se janë të vendosur ta transformojnë FSK në FAK, e cila do të jetë në shërbim të të gjithëve.

Ndryshe, me këtë rast u janë ndarë mirënjohje rekrutëve dhe rreshterëve të dalluar.

Image
FSK
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat