Gjykimi i policit të akuzuar për vrasje me revole zyrtare

Aktuale

Gjykimi i policit të akuzuar për vrasje me revole zyrtare

Më: 12 korrik 2017 Në ora: 21:35
Foto nga gjykimi i policit

Në gjykimin ku Zyfer Krasniqi akuzohet për vrasjen e Bahri Sogojevës, nuk do të bëhet rikonstruksioni i vendit të ngjarjes.

Rikonstruksioni i vendit të ngjarjes ku ndodhi vrasja e Bahri Sogojevës nuk do të bëhet, edhe pse ishte parashikuar që kjo punë të kryhet në dhjetor të vitit 2016.

Atëherë këqyrja e vendit të vrasjes dështoi ngase zyrtarët policorë nuk kishin qenë të ftuar përmes ftesave të rregullta.

Në vend të ngjarjes kishin shkuar vetëm disa nga palët në procedurë, përfshirë këtu të akuzuarin Zyfer Krasniqi dhe avokatin e tij Bajram Tmava, të cilët kishin vërejtur se vendi ku pretendohet të ketë ndodhur vrasja nuk ekziston më.

“Konstatimi im dhe i të mbrojturit tim është se vendi ku ka qenë i parkuar automjeti më nuk ekziston, sepse ka ardhë deri tek zgjerimi i rrugës unazore në atë pjesë që lidh fshatin Matiçan me Kolovicën”, deklaroi në seancë avokati Tmava.

Zgjerimi i kësaj rruge paraqet rrezik të pengojë zbardhjen e plotë faktike në gjykimin ndaj Zyfer Krasniqit i akuzuar për vrasje me revole zyrtare pasi që i njëjti ushtronte profesionin e zyrtarit policor.

Por prokurorja e çështjes Shemsije Asllani mbeti pranë propozimit të prokurores së mëparshme, Besa Krajku, që të bëhet rikonstruksioni me arsyetimin se ndihmon në zbardhjen e plotë të gjendjes faktike në këtë çështje penale.

Në anën tjetër, avokati Tmava, theksoi se si rezultat i zgjerimit të rrugës, rikonstruksioni i vendit të ngjarjes nuk do të prodhojë efekt.

Andaj si rezultat, kërkesa e prokurores për rikonstruksionin e vendit të ngjarjes u refuzua nga kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, me arsyetimin se ka ndryshuar rrënjësisht konfiguracioni i terrenit.

Gjykimi vazhdoi me dhënien e deklaratës së të akuzuarit i cili vendosi që të mbrohet në heshtje, ndërkaq në seancën e radhës do të jepet fjala përfundimtare.

Në bazë të aktakuzës, ngjarja kishte ndodhur më 20 korrik 2010 rreth orës 17:00 në lokacionin e quajtur “Te antenat” në parkun e Gërmisë në Prishtinë.

Prokuroria pretendon se Zyfer Krasniqi me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin Bahri Sogojeva, pasi më parë Sogojeva ia kishte grabitur një telefon mobil, duke e kërcënuar me revole dhe duke e goditur disa herë me grusht në fytyrë.

Sipas aktakuzës, pasi Sogojeva kishte filluar të ikë me telefonin e grabitur, i akuzuari Krasniqi e kishte marrë revolen e tij zyrtare nga vetura dhe kishte qëlluar shtatë herë në drejtim të Sogojevës, duke e qëlluar me të gjithë këta plumba në disa pjesë të trupit.

Sogojeva nga plagët e marra kishte vdekur, ndërsa prokuroria e akuzon Krasniqin se ka mundur të shfrytëzojë metoda tjera për ta ndaluar dhe arrestuar atë./kallxo

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat