Ja pse Gjykata Speciale duhet t’i hetoj vrasjet e pasluftës dhe kush mund të jenë të akuzuarit

Aktuale

Ja pse Gjykata Speciale duhet t’i hetoj vrasjet e pasluftës dhe kush mund të jenë të akuzuarit

Nga: Bota sot Më: 14 korrik 2017 Në ora: 08:01
Disa nga viktimat e vrasjeve politike

Duke folur lidhur me ngritjen e aktakuzave të para nga Gjykata Speciale, dhe punës e saj, Profesori dhe studiuesi ndërkomnebtar, Enver Bytyçi thotë se nga Specialja duhet të hetohen edhe vrasjet e pasluftës, pa marrë parasysh nga kush janë kryer.

“Nga ana tjetër vrasjet e pasluftës janë e duhet të jenë objekt i kësaj gjykate. Ajo ka për detyrë t’i gjejë e t’i dënojë ata. Mund të jenë shqiptarë, mund të jenë edhe serbë apo të një kombësie tjetër, me qëllim destabilizimin e Kosovës. Mund të jenë doras, ekzekutorë, por duhen gjetur edhe urdhëruesit, të cilët nuk janë njerëz të thjeshtë e pa pushtet. Kushdo të jenë ata duhet t’i nënshtrohen drejtësisë. Pa drejtësi nuk ka paqe e pajtim. Këtë do të duhet ta kërkojmë me ngulm për vrasjet e përdhunimet, djegiet e shkatërrimet e Kosovës nga ana e Serbisë, por edhe për ato pak vrasje e atë dhunë që mundet të kenë ushtruar një grusht shqiptarësh kundër shqiptarëve ose etnive të tjera”, ka deklaruar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Image
Profesori dhe studiuesi ndërkomnebtar, Enver Bytyçi

Bytyçi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” flet edhe për personat që mund të jenë të akuzuar nga kjo gjykatë, ku sipas tij, objekt hetimi duhet të jenë njerëz që janë me influencë dhe jo me influencë në Kosovë.

“Objekt hetimi dhe gjykimi do të jenë njerëz me influencë dhe jo me influencë. Nuk është e thënë se kanë bërë krime vetëm komandantët e luftës. Shumica prej tyre janë e duhet të jenë të pastër nga kjo anë, sepse ata kanë respektuar ligjet e luftës. Por mund të ketë dhe ndonjë ish-komandant që ka tejkaluar detyrën e tij dhe ka ndëshkuar njerëz të pafajshëm. Të tillë mund të ketë pasur edhe ushtarë të thjeshtë, të cilët duke menduar se janë në luftë i kanë lejuar vetes tejkalimin e të drejtës së tyre. Por në Kosovë fshihen gjithashtu edhe serbë lokalë që kanë kryer krime lufte kundër shqiptarëve, që kanë vrarë e përdhunuar. Ata duhen hetuar, duhen gjykuar e duhen dënuar. Krimi nuk ka atdhe, kombësi, ngjyrë, racë, hierarki apo diçka tjetër. Krimi ka vetëm një emër, ai quhet krim dhe autori i tij quhet kriminel”, ka vazhduar më tej profesori dhe analisti, Enver Bytyçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat